Malishevë: Buxheti komunal nuk është në funksion të zhvillimit dhe mirëqenies qytetare

01 Oct 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Malishevë pas shqyrtimit të projekt buxhetit të Komunës së Malishevës ka dhënë një numër vërejtjesh dhe plotësimesh të cilat dje ka arritur t’i fus si pjesë të buxhetit komunal i cili është miratuar me shumicë votash. Ne e konsiderojmë si të dëmshme qasjen e partive politike gjatë hartimit të buxhetit, të cilat kanë tentuar që paranë publike ta konsiderojnë si ndarje mes partive dhe militantëve të tyre, dhe jo si shpërndarje e drejtë për qytetarët. Duke parë domosdoshmërinë për një buxhetim sa më të drejtë dhe të barabartë i cili bazohet në nevojat dhe kërkesat qytetare dhe sidomos të disa kategorive më në nevojë që kanë të bëjnë me sigurinë njerëzore, mirëqenien qytetare, kujdesin ndaj grave dhe fëmijëve ne kemi bërë30 kërkesa konkrete të cilat kanë rrjedhur nga nevojat qytetare dhe alternativa e jonë qeverisëse lokale që kanë të bëjnë me: Ndërtimin i trotuareve dhe vendosja e ndriçimeve publike duke lidhur lagjet e fshatrave në mes vete dhe sidomos me shkollat; Ndërtimin e stacioneve pritëse për qytetarë; Subvencionimi në bujqësi, blegtori, bletari, pemëtari dhe perimtari sidomos për kategoritë që nuk i parasheh Ministria e Bujqësisë duke mundësuar subvencionimin e blerjes së naftës, farërave dhe plehrave; Pajisja e QKMF-së me aparat të mamografisë dhe fillimi i këtij shërbimi. Duke qenë se kemi arritur t’i fusim brenda planfikimit buxhetor mbi 70% të kërkesave tona dhe duke parë limitet buxhetore ne kemi votuar buxhetin e komunës së Malishevës. Ne jemi të vetëdijshëm për nivelin e sasisë dhe cilësisë së investimeve dhe zbatimit të projekteve në të deritanishme në Komunën e Malishevës për të cilat kemi reaguar zëshëm. Ne presim nga qeverisja komunale një reflektim të thellë dhe ndryshim radikal si në strukturën e saj qeverisëse ashtu edhe në qasjen ndaj nevojave qytetare dhe parasë publike. Ne do të vazhdojmë të përcjellim nga afër nivelin e realizimit të kërkesave qytetare të adresuara në buxhetin komunal dhe do jemi të pakompromis në kërkesën tonë që projektet e planifikuara të zbatohen pikë për pikë. Interesat qytetare duhet të mbizotërojnë mbi kalkulimet partiake dhe klanore.   1 tetor 2015 Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Malishevë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera