Lypjan – “Zajednica” shumëfishon dëmet e decentralizimit

14 Sep 2015
Krijimi i “Zajednicës” po mbështetet në decentralizimin mbi baza etnike dhe sipas kërkesave të asokohshme të Serbisë. Dëmi i madh që decentralizimi i shkaktoi Komunës së Lypjanit, do të shumëfishohet, si dhe do të përmbush funksionet e plota negative edhe për shtetin vetëm duke u bërë pjesë e “Zajednicës”. Për pasojë, Komuna e Lypjanit do të shërbejë si kufiri qendror i këtij shteti brenda shtetit të Kosovës, duke shkuar thellë në territorin e Republikës, edhe përtej Prishtinës. Fillimisht përmes themelimit të komunës së Graqanicës, e tani duke u përfshirë në territorin dhe nën autoritetin e “Zajednicës”, Komuna e Lipjanit do të dëmtohet jo vetëm territorialisht e politikisht, por edhe ekonomikisht, sikurse edhe do të izolohet nga Prishtina e pjesë tjera të vendit, duke u kufizuar me “Zajednicën”. Me tetë fshatra të shkëputura, me rreth 100 km katror, apo mbi 20% të territorit me tokën më pjellore të Komunës, pjesën më strategjike të zhvillimit ekonomik, me ndërhyrjen e thellë deri në qytet, duke gllabëruar jo vetëm tokën bujqësore, por edhe bizneset e shumta të vendosura përgjatë magjistrales Prishtinë-Ferizaj dhe Prishtinë-Shtime, Lypjani do të ngulfatet nga pamundësia e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik e vështirësitë e komunikimit, dhe qytetarët do të përjetojnë presionin e drejtpërdrejtë të politikave të Serbisë përmes “Zajednicës”. Zona industriale e planifikuar shumë kohë më parë, në të dy anët e qytetit, ku operojnë mbi 90% e bizneseve kryesore, tanimë i përket tërësisht territorit të Graqanicës dhe rrjedhimisht edhe “Zajednicës”. Të hyrat nga këto biznese do të derdhën direkt në buxhetin e “Zajednicës”, për të mundësuar zhvillimin ekonomik të saj në kurriz të zhvillimit të Lypjanit dhe të mirëqenies së qytetarëve të saj. Ndarja arbitrare të tetë fshatrave shqiptare të rrethit të Janjevës dhe Sllovisë dhe pjesës tjetër të Komunës, duke i detyruar mijëra qytetarë që në qytetin e Lypjanit të arrijnë vetëm përmes territorit të Graqanicës, respektivisht “Zajednicës”. Gjithashtu, lënia e dhjetëra familjeve shqiptare të fshatit Suhodoll dhe Lagjes së Re jashtë territorit dhe përgjegjësisë së Komunës së Lypjanit, edhe pse jetojnë vetëm disa qindra metra nga qyteti i detyron të jetojnë nën politikat e “Zajednicës” dhe pa kurrfarë përkujdesje institucionale dhe të harruar nga Republika e Kosovës. Prandaj, qytetarët e Lypjanit tani duhet të bëhen bashkë më shumë se kurrë, ashtu që të mos lejojmë themelimin e “Zajednicës”, e cila i rritë edhe më tutje dëmet e decentralizimit, duke pamundësuar kështu funksionalitetin dhe zhvillimin e Lypjanit. Lëvizja VETËVENDOSJE!-Qendra në Lypjan, do ta kundërshtojë fuqishëm themelimin e këtij entiteti dhe ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve për organizim dhe mobilizim kundër shtrirjes së “Zajednicës” në thellësi të territorit të Komunës së Lypjanit.   14 shtator 2015 Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Lypjan

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera