Ferizaj – Dokumente të rrejshme në Kuvendin Komunal

11 Sep 2015
Në seancën e datës 4 shtator, në Kuvendin Komunal të Ferizajt u prezantuan dokumente mashtruese para asamblistëve. Në shkresën e datës 24.08.2015, Nr. 863, Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit të nënshkruar nga Kryetari i Komunës dhe Drejtoi i Drejtorisë përkatëse japin propozim vendim për dhënien në shfrytëzim të tokës komunale për zgjerimin e Stacionit Transfer në Gerlicë për Klasifikimin e Mbeturinave për Komunën e Ferizajit. Citojmë shkresën në fjalë: “Në fshatin Gërlicë tani më ekziston një deponi transfer e cila për fat të keq nuk po mbahet si duhet, dhe po shkakton mjaft ndotje të ambientit, kjo ishte dhe arsyeja që në seancën e kaluar shumica e këshilltarëve e refuzuan kërkesën e Ministrisë, por pas analizës se përbashkët që i kemi bërë projektit, së bashku me banorët e Fshatit Komogllavë dhe Gërlicë, kemi ardhur në përfundim se klasifikimi i mbeturinave në këtë deponi sipas projektit të ofruar ndikon pozitivisht në mbrojtjen e ambientit, shqetësim ky për të gjithë ne.” Komunarët thanë se “së bashku me propozimin ju dërgojmë edhe kërkesën e ministrisë dhe një elaborate, që tregon mënyrën dhe metodat që do të përdoren në procesin e riciklimit të mbeturinave”. Por pse nuk sollën këta zyrtarë para asamblistëve edhe shkresën e banorëve për atë që thoshin se “pas analizës së përbashkët që i kemi bërë projektit, së bashku me banorët e fshatit Komogllavë dhe Gërlicë, kemi ardhur në përfundim…”?. Nuk e sollën sepse nuk ka pasur një dakordim me banorët fshatin për këtë çështje. Për më tepër, fshatrat në të cilët thirret shkresa zyrtare e nënshkruar nga Sfarqa dhe Grainca kanë vullnet të kundërt. Janë kundër zgjerimit të deponisë. Ata janë për heqjen e saj nga këto vendbanime. Të shqetësuar nga veprimi i Komunës në kundërshtim me interesin e tyre më 28 gusht 2015 mbajtën mbledhje dhe e nënshkruan kundërshtimin e tyre. “Në diskutim të shumicës absolute të qytetarëve Gërlicë dhe Komogllavë – thuhet në procesverbalin e mbajtur në këtë mbledhje – ishin që këtë hapësirë ekzistuese ta heqin, dhe në asnjë mënyrë të mos i ipet plus 1 hektar tjetër MMPH-së”. Pra, dokumenti i Komunës ishte bërë në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve dhe prezantohej rrejshëm si vullneti i qytetarëve të fshatrave të prekura nga ky projekt, pra prezantimi si vullnet i konfirmuar i qytetarëve ishte një mashtrim për asamblistët. Publikisht i drejtohemi Prokurorisë themelore në Ferizaj që të merret me këtë lloj kriminaliteti që hynë në kategorinë e mashtrimit dhe falsifikimit. Këtij denoncimi i bashkëngjiten materialet përkatëse: 1. Shkresa e zyrtareve te Komunës së Ferizajt lidhur me piken e rendit te ditës për datën 4 shtator 2015, për deponinë e mbeturinave dhe riciklim. 2. Procesverbali me nënshkrime i banorëve të fshatit Gurëz dhe Komogllavë, i Mbledhjes së Këshillit të Fshatit Komogllavë i datës 28 gusht 2015. 11 shtator 2015 Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Ferizaj

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera