Qendra e Vitisë: Ta ndalim “Zajednicën”

31 Aug 2015
Nënshkrimi dhe pranimi për themelimin e “Zajednicës” paraqet përpjekjen më serioze për rikthimin dhe legjitimimin e interesave të Serbisë në Kosovë. Me këtë nënshkrim, Isa Mustafa e Hashim Thaçi, janë vënë në funksion të plotë të qëllime të Serbisë brenda Kosovës. Pranimi për themelimin e saj është shkelja dhe përçmimi më brutal i përpjekjeve të gjata, duke përfshirë edhe luftën e fundit të kombit për liri dhe bashkim. Pavarësisht përpjekjeve për të relativizuar problemin, nuk mund të fshihet fakti se themelimi “Zajednicës” është krijim i entitetit politiko-territorial dhe etnik serb që përfundimisht do të pamundësojë funksionalizimin e shtetit të Kosovës Me procesin e decentralizimit dhe themelimin e Komunës së Kllokotit, qytetarët e Vitisë e dinë mirë cila është kostoja e këtyre proceseve. 10 vite më parë, Vitisë iu nda pjesa më vitale e saj. Humbi rreth 25 km2 të territorit, në të cilat gjendet resurset më të rëndësishme ekonomike. Ujërat termal, Banja e Kllokotit (Banja e vjetër dhe Nëna Naile,të njohura për vetitë shëruese), fabrikat për prodhim të ujit dhe një numër i kompanive të fuqishme, mbetën nën menaxhimin e Komunës së re, e cila tashmë udhëhiqet nga Lista Serbe, krijesë dhe përfaqësuese kjo e drejtpërdrejtë e Beogradit. Të gjitha këto u dhanë një komune, që në regjistrimin e fundit rezulton të ketë jo më shumë se 2500 banorë. Qytetarët e Vitisë askush nuk i pyeti për interesat e tyre. Sikur kjo të mos mjaftoj, Isa Mustafa e Hashim Thaçi, me marrëveshjen e fundit pranuan që “Zajednica” të ketë të drejtë të shtrihet edhe në këtë anë, dhe të menaxhojë me këto pasuri tonat. Lëvizja VETËVENDOSJE!, Qendra në Viti, u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Vitisë, pa dallime partiake, që të bashkohen përpjekjeve për ndalimin e “Zajednicës”. Ndalimi i “Zajednicës” është obligim i përbashkët qytetar dhe kombëtar dhe është akt për mbrojtje të lirisë dhe ndalim të rikthimit të Serbisë në Kosovë. Populli i Kosovës nuk do të lejojë që për interesa të ditës të disa politikanëve të shantazhuar, të dëmtohet interesi shtetëror dhe kombëtar. “Zajednica” nuk kalon.     28 gusht 2015 Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Viti

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera