Qeveria Thaçi shpall 230 mijë vende pune!

05 Aug 2013
Sot aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! organizuan në qytete të Kosovës aksionin simbolik “Konkurs Punësimi”. Aktivistët shpërndanë “njoftime” nga Kryeministri Thaçi për hapjen e 230 mijë vendeve të reja të punës ku paga minimale mujore do të jetë 700 euro.   Të zhytur brenda përditshmërisë, të përthithur nga situata ku edhe publikimi i skandaleve po duket gjendje normale, u desh të shihnim mijëra bashkëvendës teksa lëshojnë vendin, të shohim vuajtjet e tyre nëpër kampe e burgje për të na u tërhequr vëmendja mbi gjendjen e padurueshme ku jemi katandisur. Njerëzit po ikin masivisht, si dikur nga pushtuesit e huaj.   Qeveria e Kosovës në mënyrë shumë të paskrupullt, problemin e ikjes masive të qytetarëve nga vendi, e trajtoi si çështje që lidhet me krimin e organizuar si dhe me prirjen e qytetarëve për të bërë jetë luksoze. Krejt kjo, për ta shfajësuar veten, duke iu shmangur turpshëm trajtimit të shkaqeve të vërteta që kanë si pasojë ikjen masive, e që janë padyshim mjerimi e kushtet e rënda ekonomike e sociale, për të cilat shkaktarja kryesore është po e njëjta Qeveri.   Ndërkohë që Ministrat e Kryeministrit Thaçi, u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos e lëshojnë vendin, këtu brenda i kanë vënë ata në kuadrin e një mizerje të gjithanshme ku 80% jetojnë përgjithësisht në varfëri, rreth 30% në varfëri ekstreme, e rreth 50% e qytetarëve të këtij vendi janë të  papunë.   Asnjë prej Ministrave e aq më shumë Kryeministri nuk kanë as të drejtë morale e as politike që të thërrasin për mos ikje nga vendi. Gjëja më e vlefshme në këto momente do të ishte ikja e kësaj Qeverie bashkë me “lulëzimin ekonomik” që i solli Kosovës.   5 gusht 2013 Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera