Cilët po e blejnë Telekomin e Kosovës?

02 Jun 2013
Sot, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! organizuan një aksion simbolik në hyrje të ndërtesës kryesore të Postë Telekomit të Kosovës. Pas veprimit të Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për ta shitur Telekomin e Kosovës dhe konkretisht një konsorciumi, lideri i të cilit ACP AXOS nuk i dihen as burimi i të ardhurave e as investimet në fushën e telekomunikacionit, është të domosdoshme të theksojmë se cilëve do t'u falet aseti kryesor strategjik i Kosovës.   Për këtë arsye aktivistët vendosën sot një baner ku paraqiteshin të dhënat e Postë Telekomit të Kosovës dhe kompanisë që pretendon ta blej Telekomin.   Gjatë prononcimit për media, drejtuesi i Sekretariatit për ngritje ideo-politike, Zgjim Hyseni, sqaroi si më poshtë:   AXOS i ka 2 punëtorë ndërsa PTK  i ka 3349 punëtorë.   AXOS ka asete në vlerë prej 155 mijë eurosh, ndërkaq shuma e aseteve të PTK-së arrin shifrën e 200 milionë eurosh.   AXOS nuk dihet të ketë ndonjë klient në fushën e telekomunikimit, por PTK i ka 1 milion e 200 mijë klientë.   AXOS nuk ka shpërndarë fare dividendë, PTK i ka dhënë shtetit të Kosovës dividendë në vlerë prej 55 milionë euro.   AXOS-it nuk i dihen të ardhurat vjetore, PTK i ka ato në shumën prej 165 milionëve.   AXOS është themeluar më 25 korrik 2012, PTK është themeluar më 21 dhjetor 1959.   Gjithë këto të dhëna flasin për një dallim shumë të madh midis PTK-së dhe AXOS. PTK është larg përpara kësaj kompanie qoftë në performancë biznesi, qoftë në vlerë asetesh,  po ashtu edhe në shkallë profesionalizimi në fushën përkatëse. Por, krejt kjo logjikë përmbyset kur kuptojmë së është AXOS që e ka blerë PTK-në. Ndodh zakonisht përgjatë procesit që njihet si centralizim i kapitalit që kompania më e madhe, përmes mundësive më të mëdha konkurruese, ta fusë nën sqetull të voglën. Asnjë racionalitet, asnjë logjikë ekonomike nuk e shpjegon këtë transaksion absurd.   Shpjegimi megjithatë qëndron diku tjetër. AXOS është një kompani fantome që po paraqitet si mbulesë për paratë e pista të korrupsionit e krimit të organizuar të bandave që udhëhiqen nga kryeministri Thaçi. Jo rastësisht as ish ministri Beqaj dhe as Kryeministri Thaçi nuk u përgjigjen kurrë se të kujt janë realisht paratë e fondit investiv AXOS. Si për ta vërtetuar gjithë këtë proces të shpronësimit grabitqar, kuptojmë se paratë për shitjen e PTK-së vijnë prej ishujve Cayman. Ky vend njihet si parajsë fiskale, ku nuk paguhet kurrfarë tatimi për paratë e investuara, por çfarë është më e rëndësishme, nuk kërkohet kurrfarë llogarie për prejardhjen e parasë, pikërisht siç i nevojitet pushtetit kriminal të PDK-së.   Secili subjekt politik që do të qeverisë nesër, nëse ka për qëllim ose jo mbrojtjen e interesit publik, do të matet me veprimet që (s)do të ndërmarrë lidhur me këtë shpronësim që po i bëhet popullit të Kosovës. Ekzistojnë të gjitha mundësitë argumentuese, nga ato ekonomike si dëmtim i interesit publik, deri tek shkeljet ligjore për ta kthyer mbrapsht këtë proces. Ne në Lëvizjen  VETËVENDOSJE! jemi të vendosur për ta bërë këtë.   2 qershor 2013   Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera