Këtu banon një hajn!

14 Apr 2013
Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! organizuan sot aksionin simbolik "Këtu banon një hajn", duke vendosur tabela treguese që tregojnë drejtimin se nga gjendet banesa e hajnit. Këto tabela u vendosën në shtëpitë e Hashim Thaçit dhe Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj. Arsyet e këtij aksioni simbolik i paraqiti para mediave, Frashër Krasniqi, drejtues i sekretariatit të aktiviteteve në Lëvizjen VETËVENDOSJE!   Më poshtë është prononcimi i tij:   "Jemi këtu përballë vendit ku banon përkohësisht, derisa të ndërtohet shtëpia e tij luksoze, kryehajni dhe kryenegociatori i Kosovës, Hashim Thaçi.   Përderisa patundshmëria e e tij dhe “dostave” të tij po rritet, patundshmëria e shqiptarëve në veri po shitet. Pra, numri i shqiptarëve në veri të Ibrit po pakësohet vazhdimisht. Si pasojë e kësaj, numri i serbëve po rritet, dhe mbi këto shifra po ndërtohet baza e autonomisë së asaj pjese të Kosovës.   Hashim Thaçi, po i udhëheq e përkrah edhe hajnat tjerë, Bajram Rexhepin e Besim Beqajn. I pari, ministër i skandaleve e i keqpërdorimeve milionëshe ne MPB, i dyti, si shpronësues i qytetarëve të Kosovës, apo shitës i pasurisë publike e shoqërore përmes tenderëve të dyshimtë.   Distribucioni i Kosovës, u shit për vetëm 26 milion euro, apo për 2 km asfalt. Përmes këtij privatizimi, u kalua nga monopoli shtetëror në monopol privat, me pretekstin e ekonomisë së tregut të lirë, apo siç shprehen ata vetë “ekonomisë së lirë të tregut”.   75% të aksioneve të PTK-së, apo më saktësisht, pjesa fitimprurëse e PTK-së, po shitet për 242 milion euro, apo rreth 25km asfalt. Kjo duke e llogaritur shumën më të lartë të tenderit të dyshimtë, që ishte 277 milion euro, e duke ia hequr shumën prej 35 milion euro, siç ka kërkuar vetë kompania fituese, e që nuk dihet se ku do të shkojnë.   Në të njëjtën rrugë po shkon edhe gjiganti metalurgjik i Kosovës, Trepça. Në rast se në Trepçë do të investoheshin vetëm 200 milion euro, ajo do t’i krijonte rreth 10.000 vende të reja pune nëpër sektorët përkatës që kanë të bëjnë me xehet e industrinë. Por jo! Ky investim nuk do të bëhet nga këta qeveritarë, ngase qëllimi i tyre nuk është rigjenerimi i publikes, rritja e prodhimit dhe zhvillimi ekonomik, por shkatërrimi i ndërmarrjeve dhe privatizimi i tyre.   Përmes këtyre proceseve të dëmshme, këta po e shesin e po e vjedhin Kosovën. Po I bëjnë milionat për vete, përderisa arka shtetërore po zbrazet.   Meqë Qeveritarët tanë janë sinonim i hajnisë, ne e vendosëm këtë shenjë “Këtu banon një hajn”, tek banesa e shefit të tyre, për të vazhduar edhe tek të tjerët me radhë."       14 prill 2013   Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera