E ZËNË! PDK

18 Mar 2013
Sot aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! organizuan një aksion simbolik në lidhje me zaptimin e institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës nga partia në pushtet. Në rrethojat e Bankës Qendrore dhe në ato të Agjencisë së Privatizimit u vendosën tabelat "E zënë! PDK".   Ky aksion u ndërmor pasi që një numër i madh i përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe deputetëve të opozitës e kundërshtuan publikisht dhe bën thirrje që të ndaleshin nga kandidimi dhe më pas nga zgjedhja në Kuvend këto dy kandidatura krejtësisht partiake si Bedri Hamza për Guvernator dhe Blerim Rexha si kryesues i Bordit të AKP. Por PDK e Hashim Thaçit nuk u ndal nga synimi zaptues.   Kështu pasi e zaptoi Kuvendin, përmes deputetëve të votave të vjedhura dhe atyre të vendeve të rezervuara, Qeveria Thaçi e zgjati vetën edhe në shumicën e bordeve të ndërmarrjeve dhe institucionet publike, të cilat në kushtet e demokracisë duhet të jenë të pavarura nga ndikimi  i Qeverisë. Uzurpimi i institucioneve të drejtësisë (madje edhe vetë Gjykatës Kushtetuese), RTK-së, etj. u pasua nga zaptimet e kohëve të fundit të Agjensionit Kosovar të Privatizimit dhe të Bankës Qendrore të Kosovës.   Këto dy institucione janë shumë të rëndësishme për Qeverinë e Hashim Thaçit ngase përmes kontrollit në të parën ai e vazhdon lehtësisht privatizimin e egër neoliberal dhe tërësisht të korruptuar, kurse përmes kontrollit në BQK Thaçi me shokë ia zgjeron vetës kontrollin në industrinë financiare.   Kjo Qeveri e cila përkundër thirrjes në vlerat evropiane, po përpiqet në vazhdimësi ta instalojë veten si regjim despotik, e ka të qartë që ditët në pushtet i ka të numëruara. Prandaj vrulli i tyre për të zaptuar, kontrolluar, e keqpërdorur çka do që të munden, është më i madh se asnjëherë më parë.   Të gjithë e dimë dhe e kemi tashmë të vërtetuar se çka ndodh me një institucion që kapet nga Hashim Thaçi dhe shokët e ti. I tërë funksionimi i atij institucioni i nënshtrohet interesave private dhe familjare të këtij grupi banditësh të cilët, kuptohet, nuk e kanë preokupim se çka po ndodh me shtetin dhe shoqërinë që e qeverisin.   Shndërrimi i Bankës Qendrore të Kosovës në institucion partiak e klanor, është tejet i rrezikshëm për vendin tonë, ngase BQK-ja është institucioni kryesor financiar i Kosovës dhe ka kompetenca tejet të rëndësishme.   Përmes emërimit të servilëve të tij nëpër institucione e ndërmarrje publike, të njerëzve që janë thjeshtë klonime të Hashim Thaçit, ky i fundit i ka treguar haptazi synimet e tij uzurpuese. Por, këto synime janë në kontradiktë të papajtueshme me synimet e shoqërisë sonë për një shtet të zhvilluar dhe demokratik. Për një shtet që nuk i shërben një grupi uzurpatorësh, por që vihet në shërbim të të gjithë qytetarëve.   18 mars 2013   Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera