Ngritja e Flamurit Kombëtar në godinën e Kuvendit të Kosovës

28 Nov 2012

Sot deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! e ngritën prapë flamurin e madh që e kemi, në ndërtesën e Kuvendit te Republikës së Kosovës, për ta shënuar 28 nëntorin, pra ditën e Flamurit, ditën e Pavarësisë së shqiptarëve e kjo po ashtu koincidon edhe me 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së shqiptarëve. Është ky moment që duhet uruar të gjithë shqiptarët për këtë 100 vjetor të ekzistencës së shtetit shqiptar.


Është shume me rëndësi që ky moment dhe kjo ditë të shfrytëzohet për reflektim të vështirësive për këto 100 vite që i ka kaluar kombi ynë, me vështirësitë që po ballafaqohemi sot dhe për të ardhmen e kombit. Pra, 28 nëntori duhet të na kujtojë se projekti i rilindasve për një Shqipëri të pavarur e sovrane ende nuk është realizuar dhe ky projekt i rilindasve duhet të jetë projekt i secilit prej nesh dhe të gjithë neve së bashku. Pra më këtë 28 nëntor dhe më këtë flamur që e ngriti Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe me gjithë ata flamuj që janë ngritur gjithandej nëpër Kosovë dhe trevat shqiptare, duhet t’a kujtojmë se shteti shqiptar i cili nuk u përfundua me 1912, është domosdoshmëri e jona dhe sot duhet ta kujtojmë, sepse për shkak se jemi të ndarë, jemi duke e jetuar këtë varfëri. Për shkak se jemi të ndarë jemi duke e jetuar këtë tendencë gllabëruese të fqinjëve për trevat tona. Dhe për shkak se jemi të ndarë jemi sot ne pozitën në të cilën jemi. Pra, bashkimi do të na bënte më të fortë dhe me të fuqishëm dhe bashkimi do ta garantonte sovranitetin e shqiptarëve dhe do ta siguronte sigurinë e tokave shqiptare.


Pra sot duhet ta kujtojmë se si ende Kosova edhe pas 5 viteve pavarësi nuk ka arritur që ta kontrollojë tërë territorin e vet. Sot duhet ta kujtojmë se gjithandej kah jetojnë shqiptarë jetojnë në kushte të mjerueshme, jetojnë ne varfëri sociale dhe jetojnë në degradim ekonomik. Pra këto janë ato probleme me të cilat  ballafaqohemi si komb dhe për të cilat duhet të punojmë, në mënyrë që kombi shqiptar dhe shteti shqiptar, të jetë shtet prosperues dhe shtet i dëshiruar për të jetuar në të dhe kjo dëshirë është vullnet i shqiptarëve, është aspiratë e shqiptarëve dhe si të tillë duhet t’a trajtojmë në vitet që po vijnë, në ditët që po vijnë dhe duhet ti konsiderojmë institucionet tona edhe të kërkojmë nga institucionet tona, ti shtyjmë institucionet tona, në mënyrë që ato të jenë institucione për shqiptarët dhe të jenë institucione të shqiptarëve.


28 nëntor 2012


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera