Privatizimi shpunësoi 76 mijë punëtorë të Kosovës

28 Sep 2012

Aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! realizuan sot aksion simbolik në sheshin Nëna Terezë në Prishtinë, në të cilin u shkruan 76 mijë vija, duke ju referuar punëtorëve të shpunësuar nga procesi i privatizimit në Kosovë. 76 mijë vijat u shënuan në një mur simbolik të ndërtuar nga aktivistët.


Gjatë këtij aksioni Sekretari organizativ i VETËVENDOSJE!-s, Dardan Molliqaj tha se:


Ky mur i ndërtuar nga aktivistët paraqet njërën nga pasojat që ka sjellë privatizimi në Kosovë. Secila vijë e shënuar në këtë mur simbolikisht përfaqëson një punëtor që ka humbur vendin e punës si pasojë e privatizimit. Shuma e të gjitha vijave tregon numrin në total të punëtorëve që kanë humbur vendin punës, 76 mijë sosh. Humbja e këtyre vendeve të punës ka rrezikuar mirëqenien e rreth 12,667 familjeve në Kosovë. Privatizimi ka rezultuar në shkatërrimin e vendeve të punës, që i ka ulur të ardhurat për familje dhe si pasojë ka rrezikuar shkollimin e fëmijëve dhe kujdesin shëndetësor në  këto familje.


Privatizimi e ka shkatërruar industrinë duke ia ndërruar destinimin shumicës së ndërmarrjeve prodhuese duke i shndërruar nga ndërmarrje prodhuese në hotele për ahengje, nga toka bujqësore në ndërtime betoni. Plani i qeverive të Kosovës, që nga pas lufta, për zhvillim ekonomik përmes privatizimit nuk e zhvilloi vendin, por, për më keq e degradoi. Ky model na ka rrezikuar edhe potencialin tonë për zhvillim ekonomik, duke na kthyer në një vend që vetëm konsumon. Procesi i privatizimit është faktori kryesor që Kosova sot të renditet e para në Evropë për nga varfëria dhe papunësia. Pra, papunësia dhe varfëria ka adresë të qartë e ky është privatizimi i egër.


Ky proces ka prodhuar 76 mijë punëtorë që e kanë humbur vendin e punës, ka shkatërruar prodhimin dhe industrinë në njërën anë, dhe nga ana tjetër ka sjellë pasurimin e paligjshëm të dhjetëra politikanëve dhe familjarëve të tyre.


Ne na duhet të mësojmë nga vendimet e gabuara që janë marrë në të kaluarën, pasojat e të cilave po i vuajmë të gjithë si shoqëri. E në vend që të mësojmë prej këtyre gabime, politikanët që janë sot në pushtet po na kërkojnë që t’i përsëritim ato, kësaj radhe me pasoja edhe më të rënda sepse flitet për privatizimin e ndërmarrjeve e të sektorëvë më të rëndësishëm për zhvillimin e vendit: PTK, KEK, dhe Trepçë. Privatizimi i këtyre ndërmarrjeve duhet ndalur në mënyrë të evitohet një katastrofë ekonomike sot, në mënyrë që nesër brezit të ri mos t’i trashëgojmë veç varfërinë.   


28 shtator 2012


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera