UNfair!

24 Jul 2012

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! rreth orës 11:00 shkruan parullën UNFAIR në hyrje të ndërtesës së UNMIK-ut në zonën industriale në magjistralen Prishtinë – Fushë Kosovë.


Me të filluar shkrimin e parullës, pa kurrfarë paralajmërimi dhe me gjithë faktin që dukej qartë që aktivistët thjeshtë do të shkruajnë një parullë, policët e Kosovës intervenuan në mënyrë të shfrenuar ndaj aktivistëve. Ata hodhën spray lotsjellës në mënyrë të pakontrolluar, goditën aktivistët me grushta dhe ofendonin pandërprerë. Edhe pasi aktivistët e shkruan parullën, policia insistonte në të njëjtën mënyrë të shfrenuar t’i arrestonte ata. Gjatë këtij intervenimi, shumica e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s u lënduan nga sprey lotsjellës, ndërsa aktivisten Krenare Krasniqi e përplasën për tokë duke ia lënduar kokën.


OKB nuk ka qenë e drejtë ndaj Kosovës. Për këtë arsye ne sot shkruam në murin e UNMIK-ut,“UNFAIR”, për t’i treguar edhe sekretarit të OKB se ne nuk e pranojmë qëndrimin diskriminues nga kjo organizatë e cila u themelua sipas parimit të Barazisë së kombeve, popullin shqiptar të Kosovës nuk e konsideron si të tillë.


OKB-në Kosova po e njeh përmes UNMIK-ut, dhe UNMIK për popullin tonë ka sjellë këto padrejtësi:


1.    UNMIK-u nuk dëshiron të na njohë – ai do vetëm të na qeverisë.


2.    UNMIK-u nuk e njeh Republikën e Kosovës – ai e njeh veç Beogradin.


3.    UNMIK-u ka investuar në ndarjen e Kosovës.


4.    UNMIK-u nuk na ka ndihmuar të zhvillohemi ekonomikisht.


5.    UNMIK-u pranohet vetëm prej strukturave kriminale të Beogradit dhe nga Qeveria e Thaçit.


6.    UNMIK-u e ka filluar procesin e privatizimit kriminal që na la pa pasuri publike.


7.    UNMIK-u i kanë rrogat nga 5.000-20.000 euro; pensionet në Kosovë janë 45-80 euro.


8.    UNMIK-u mund të bëjë vepra kriminale por nuk përndiqet sepse ka imunitet prej ligjeve tona.


9.    UNMIK-u i ka vrarë 2 dhe i ka plagosur 82 demonstrues paqësorë më 10 shkurt 2007 – askush nuk u dënua.


10.    Dhe më së fundi, kryetari i asamblesë së OKB-së ka paraqitur 6 pikat famëkeqe për vendin tonë, që na kthejnë hapa pas në rrugën tonë për pavarësi.


Por ne jemi të vendosur për pavarësi, në emër të sakrificave e përpjekjeve të së shkuarës, në emër të kërkesës së panegociueshme për drejtësi, në emër të së drejtës sonë universale për të qenë të barabartë me krejt popujt e botës, në emër të së drejtës për VETËVENDOSJE!.


24 korrik 2012


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera