Privatizimit të distribucionit po i vjen era e padurueshme

06 Jul 2012

Sot ishte parashikuar takimi me temën “Privatizimi i Distribucionit dhe furnizimit të KEK” i Komitetit Qeveritar për Privatizim, në të cilin ishin prezent, Ministri i Zhvillimit të Ekonomik, Besim Beqaj, Ministër i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Nenad Rasič, Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, si dhe përfaqësuesit e kompanive Limak dhe Çalik, etj.


Lëvizja VETËVENDOSJE! e pengoi zhvillimin e këtij takimi, nëpërmjet bombolave kundërmuese, të cilat e pamundësuan qëndrimin e mëtutjeshëm të të pranishmëve në sallën e takimit.  Ky aksion u ndërmor sepse:


Privatizimi i rrjetit të distribucionit dhe shpërndarjes së KEK-ut është një prej akteve më shqetësuese që ka ndërmarrë qeveria Thaçi. Shitja e këtij aseti të rëndësishëm publik, duke ndërtuar një monopol privat që përfshin edhe rrjetin po edhe tregtimin e energjisë e dëmton rëndë ekonomikisht Kosovën, dhe secilin qytetar të saj. KEK-u është një ndërmarrje publike e ndërtuar dhe e mirëmbajtur nga populli i Kosovës përgjatë 50 viteve të fundit. Për ndërtimin, mirëmbajtjen, menaxhimin dhe zhvillimin e kësaj prone publike kanë paguar taksa, kanë derdhur djersën dhe kanë dhënë mundin dhe sakrificën e tyre me qindra mijëra qytetarë të Kosovës. Kjo ndërmarrje duhet të mbetet publike sepse furnizimi me energji elektrike është kusht themelor për mirëqenien e qytetarit dhe të shoqërisë. Rrjedhimisht, përbën një të drejtë që secili qytetar duhet ta gëzojë dhe një mjet tepër të rëndësishëm për politikat sociale dhe zhvillimore ekonomike të shtetit. Drejtësinë dhe domosdoshmërinë nuk mundet ta përmbushë tregu, por vetëm institucionet publike shtetërore të cilat janë të popullit dhe i japin atij llogari. Kompanitë që e privatizojnë sot rrjetin e distribucionit përfaqësojnë vetëm interesa private, në këtë rast monopoliste, dhe jo interesat e popullit të Kosovës. Prandaj këtij privatizimi po i vjen një erë e padurueshme.


 

E drejta për qasje në energji elektrike po cënohet nga ky proces privatizimi i udhëhequr nga qeveria Thaçi. Privatizimi nuk ka rezultuar as me rendiment më të lartë e as më efikas për asnjë prej ish-ndërmarrjeve publike të Kosovës të cilat janë shitur me çmime qesharake dhe ofenduese. Nga procesi i privatizimit në Kosovë kanë humbur vendet e tyre të punës mbi 70,000 punëtorë. Nga i njëjti proces, sot me mijëra punëtorë punojnë në kushte të mjerueshme të punës, me orare të stërzgjatura, me kontrata të shkurtra dhe me rroga minimale, ndërkohë që llogaritë personale të pushtetarëve që kanë drejtuar këto procese kanë ardhur duke u fryrë vazhdimisht. Me privatizimin e KEK-ut qeveria Thaçi po kryen krimin ekonomik të radhës.


 

Ky privatizim nuk përkrahet nga shumica e aktorëve të prekur nga ky proces. Privatizimi i distribucionit po kundërshtohet sot nga punëtorët, organizatat e shoqërisë civile, subjekte të ndryshme politike, dhe mbi të gjitha ky proces po kundërshtohet nga pronari i vetëm legjitim i kësaj prone publike: populli i Kosovës.


 

Lëvizja VETËVENDOSJE!, si forcë politike, do të protestojë për të ndalur privatizimin, do të bashkëpunojë gjerësisht me qytetarët, punëtorët e grupet e interesit, do ta hetojë këtë proces, si nga ana proceduriale, ashtu edhe nga ana politike – dhe nuk do ta respektojë këtë privatizim kur të vijë në pushtet. Qëllimi ynë do të jetë zhbërja e privatizimit, në rast se ky ndodh, por edhe e dënimit ligjor të cilësdo shkelje, padrejtësie, dëmtimi apo vjedhje që i bëhet popullit të Kosovës dhe aseteve e pasurive strategjike që publiku zotëron.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera