Fjalimi i Albin Kurtit në demostratën Kosova Republikë

27 Feb 2012

Beogradi dikur thoshte se shqiptarët janë njerëz me bisht. Kryeminstri ia nxori bishtin shtetin tonë. Ia hoqi republikën e ia shtoi fusnotën.


Asnjë shtet në botë nuk ka fusnotë te emri i vet. Kjo Qeveri nuk po na lidh me botën dhe nuk po na bën si e gjithë bota, por po na ndan prej botës e po na bën të ndryshëm nga bota.  


Këta qeveritarë po ngriten për vete duke e zbritur shtetin tonë. Kjo Qeveri ka mandatin që ta bëjë Kosovën sovrane e jo ta ndajë sovranitetin me Qeverinë e Serbisë.


Qeveria e Kosovës po mban qëndrim më të butë ndaj Serbisë sesa Gjermania dhe Qeveria e Kosovës po e ndihmon Serbinë ta marrë statusin e vendit kandidat më shumë sesa vetë Qeveria e Serbisë.


Serbia po shkon si shtet drejt BE-së, kurse Qeveria e Kosovës po premton se do të mund të shkojmë si individë.


Dialogu me Serbinë në Bruksel, duke qenë pa kushte për Serbinë dhe për çështje të brendshme të shtetit të Kosovës, është shumë i padrejtë dhe shumë i dëmshëm. Prandaj, pikat kufitare u bënë pika kaluese, kufiri ndërshtetëror u bë kufi administrativ, po i marrim veçse kopjet e regjistrave civilë dhe dokumentacionit kadastralë, dhe tash ia hoqën republikën emrit e ia shtuan fusnotën ku shtetësia jonë mbetet e kontestuar.


 

Ata janë të frikësuarit që duan të na frikësojnë. Sepse i kanë planet shumë të këqija për Kosovën. Na e shtuan fusnotën sot, për të na e shtuar autonominë e veriut nesër. Na e hoqën Republikën sot, për të na e hequr veriun nesër.


Sa më shumë që të forcohemi ne, aq më shumë të rrezikuar do të jemi. Sa më shumë që dobësohet regjimi, aq më i rrezikshëm do të bëhet ai.


Prej kësaj Qeverie nuk mund të presim as drejtësi e as mëshirë. Do të mund të na rrahin e të na arrestojnë, do të mund na lëndojnë e të na persekutojnë.


Mirëpo, nëse edhe njëmijë herë do të biem, njëmijë e një herë do të ngritemi. Nëse pafundësisht herë do të biem, një herë më shumë se pafundësisht herë do të ngritemi. Sepse gjallëria e pandalshme, ringjallja e përjetshme, është mënyra se si jemi ne VETËVENDOSJE!-s, ne që duam të vendosim për fatin tonë në vendin tonë.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera