Kryetar shite xhipin!

24 Dec 2011

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj  kërkon nga Kryetari i Komunës së Ferizajt ta shes xhipin zyrtar.


Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dolën sot para ndërtesës së Komunës në Ferizaj dhe kërkuan  nga Kryetari i Komunës Bajrush Xhemaili ta shes veturën zyrtare që kushton rreth 50 000 Euro dhe të blej një veturë më të lirë pasi që shumica e qytetarëve të Kosovës ngasin vetura që janë 20 herë më të lira. Me shitjen e xhipit mund të sigurohen mjetet të cilat mund të sigurojnë ekzistencën e së paku dhjetë familjeve për një vit. Kryetari i Komunës vihet para alternativës: “Luks për veti apo bukë për 10 Familje ?” Në letrën dërguar z. Bajrush Xhemailit ata shkruajnë:


“Jemi në prag të Festës së Krishtlindjeve dhe Festës së vitit të ri. Ju jeni në dijeni që komuna jonë është prej dy komunave me numrin më të madh të qytetarëve që jetojnë në varfëri të skajshme. Me buxhetin e paraparë për vitin e ardhshëm, pa dashur të hyjmë në detaje, janë shtuar shumat  për mëditje jashtë  orarit të punës, për karburant, ushqime dhe pije, ndërsa janë ulur për afro 40 për qind ndihmat sociale.


Në këto kushte të vështira ekonomike për shumicën e qytetarëve të komunës sonë, ju ngisni një makinë e cila ka një vlerë prej afro 50 000 eurosh në kohën kur shumica e qytetarëve të Kosovës ngasin makina të cilat kanë një vlerë mesatare prej 2500 eurosh.


Lëvizja VETWVENDOSJE! në Ferizaj  ju fton publikisht  që ta shisni xhipin e blerë për postin e kryetarit të komunës dhe të bleni një makinë e cila nuk kushton më shumë se 10 000 euro. Me të hollat e mbetura mund të ndihmoni jetesën e më së paku 10 familjeve në komunën tonë.  Përdorimi i një makine që kushton më lirë dhe shpenzon më pak karburant do të ishte një shembull I mirë edhe për punonjësit tjerë të administratës në Ferizaj të cilët ngarkojnë buxhetin e Ferizajt me blerjen e makinave të tjera në vitin 2012.


Me shitjen e xhipit të Kryetarit të Komunës  do jepni një shembulli të mirë personal dhe do të ndikoni tek administrata e komunës që në të gjitha fushat të bëhen kursime të ngjashme duke hequr dorë nga luksi dhe duke përdorur paranë publike aty ku duhet.


Shembulli juaj do të kishte ndikim pozitiv edhe tek kryetarët e komunave të tjera në Kosovë të cilët do të mund të ndiqnin shembullin tuaj.


Ne jemi të vetëdijshëm që shitja e xhipit nuk do ta ndryshoj shumë varfërinë në Ferizaj,  por do të ishte një sinjal I mirë dhe do të ndikonte për një trajtim më të mirë të parasë së qytetarëve”,


thuhet në letrën e Lëvizjes VETWVENDOSJE! dërguar Kryetarit të Komunës në Ferizaj z. Bajrush Xhemaili.




Lëvizja VETËVENDOSJE!  Qendra Ferizaj

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera