Pushtetarët e Vitit të Ri – pushtetarët e rrenave të vjetra

22 Dec 2011

Kur mendojmë për ta, për veprat e për fjalët e tyre, e vetmja e vërtetë që na shfaqet është pafytyrësia e tyre. Ata flasin për drejtësi, e favorizojnë kriminelët. Ata flasin për ekonomi, e favorizojnë vjedhësit. Ata flasin për shtet, e favorizojnë strukturat ilegale. Ata flasin për sovranitet të popullit, por i vetmi sovranitet që mund të na japin është ai i të paligjshmes që mundëson të pasurimin duke zhvatur popullin.


Inkonsistenca e tyre, mohimi i vazhdueshëm që ata i bëjnë fjalës që e kanë thënë vetë më parë, është një ves të cilin ata e kultivojnë prej kohësh, është një cilësi që i karakterizon këta politikanë të mashtrimit.


Bajram Rexhepi është ministri i brendshëm që gjatë ka për t’u kujtuar si mishërim i impotencës së kësaj qeverie të ndërtuar mbi vjedhjen e votave. Ai më 14 shtator ka premtuar që çarmatosjen e strukturave ilegale serbe ka për ta bërë KFOR-i dhe EULEX-i, duke lënë të kuptohet se qeveria e Kosovës nuk e ka vullnetin që të vendosë rendin për qytetarët e saj. Mirëpo dëshirën e Bajram Rexhepit nuk e ka plotësuar ende babadimri.


Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri në korrik deklaroi se më 1 nëntor të vitit që po shkon do të shkatërroheshin gjithë strukturat paralele të Serbisë në Kosovë. Po as Editës babadimri nuk ia plotësoi dëshirat, e ndërkohë që zonja zëvendëskryeministre vijon planin e takimeve, vetë partneri i saj në bisedime, Borisllav Stefanoviçi merr pjesë në barrikadat e strukturave ilegale në veri.


E mashtrimin më të madh, siç pritej, e ka thënë kryemashtruesi, Hashim Thaçi. Menjëherë pas aksionit të policisë së Kosovës në veri, aksion i cili u mbështet nga i gjithë populli, ai u tërhoq, dha urdhër që policët të kthehen në kazerma, dhe u hapi rrugë ngritjes së barrikadave. Në 28 korrik ai deklaronte se nuk kishte për të pasur asnjë kompromis me serbët, dhe reciprociteti do të vendosej medoemos. Mirëpo, partia e tij voton kundër çdo iniciative parlamentare për reciprocitet, edhe kur mocioni i VETËVENDOSJE-s për reciprocitet u miratua nga parlamenti, duke u kthyer në vendim, Thaçi shpall publikisht se parlamenti është institucion që jep opinione, e jo ligjvënësi.


Qeveria e Thaçit po e kthen shtetin e Kosovës në një republikë të mashtrimit përmes këtij desublimimi represiv të fjalës politike, këtij poshtërimi të çdo institucioni, të çdo të drejte dhe të çdo angazhimi publik të shqiptarëve për të pasur shtet.


Por le të mos jenë mashtrimet e qeveritarëve shenjuesi përfundimtar i të ardhmes sonë. Edhe pse këtë vit të vjetër e mbyllëm duke konstatuar rrenat e tyre, kundër të cilave jemi angazhuar si qytetarë e si shoqëri, vitin e ardhshëm le të kemi një tjetër synim. Le të jetë 2012 viti i së vërtetës sonë të përbashkët, viti i angazhimit dhe i organizimit kundër Rrenës në pushtet, kundër shtypjes, vjedhjes e varfërisë që buron prej saj. Le ta fillojmë që në janar, të gjithë së bashku, qëndresën tonë në emër të së drejtës për të qenë popull sovran, në emër të së drejtës për të pasur rend, siguri, ekonomi edhe shtet tonin, ashtu siç ka qenë aspirata historike e shqiptarëve, ashtu siç është edhe vullneti ynë!





Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera