Aktiviteti “Mandati i fundit”

15 Dec 2011

Sot më 15 dhjetor, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi ekspozitën “Mandati i fundit” në disa nga Qendrat e saj nëpër Kosovë. Përmes kësaj ekspozite, secila Qendër e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka shpërfaqur problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët në komunat përkatëse.


Më poshtë e keni të përshkruar për secilën qendër denoncimet që kanë bërë nëpërmjet fotove, disa prej të cilave mund t'i shihni duke klikuar këtu.


1. Prishtinë


Ekspozita u mbajt në Pallatin e Rinisë (përballë Sallës së Kuqe). Fotografitë në këtë ekspozitë paraqitnin problemet e keqqeverisjes lokale në komunën e Prishtinës. Në kuadër të kësaj, kishte fotografi të rrugëve me gropa, ndërtimeve pa leje, problemeve në komunikacion për shkak të rrugëve të ngushta si dhe parkimet në këto rrugë në mungesë të parkingjeve të mëdha dhe probleme të tjera të ngjashme infrastrukturore.  


Probleme të tjera në Komunën e Prishtinës, të cilat nuk mund të paraqiten përmes fotografive, janë edhe reduktimet e ujit, reduktimet e ashpra të energjisë elektrike si dhe ndërprerja e ngrohjes nga Termokosi.


2. Dardanë


Në sheshin “Metush Krasniqi” në Dardanë, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! të kësaj Qendre organizuan ekspozitën “Mandati i Fundit”. Përmes fotografive, u shfaq projekti i renovimit të Ambulancës në Hogosht. Ky renovim ka filluar dy muaj më parë, me nismë të Kryetarit të Komunës Shaip Surdulli, pa i përfillur organet e Qendrës së Mjekësisë Familjare. E keqja tjetër e këtij projekti është se ky renovim po bëhet për të dytën herë, dhe prapë nuk po rregullohet mbuloja dhe kulmi i kësaj ndërtese. Problemi tjetër në këtë komunë është edhe mbushja e oborrit të Shtëpisë së Kulturës me mbeturina, me dijeninë e Kryetarit të Komunës, vetëm e vetëm që të shpallet tenderi për pastrimin e tij.


3. Deçan


Ekspozita “Mandati u fundit” u mbajt në rrugën “Luigj Gurakuqi”  të Deçanit. Në këtë ekspozitë pati fotografi që paraqitnin problemet kryesore që kanë të bëjnë me keqqeverisjen në këtë komunë. Qyteti shumë i papastërt, infrastruktura rrugore si dhe ajo arsimore e kulturore e rrënuar, pyjet që po rrallohen çdo ditë e më shumë, ishin pjesë kyçe e kësaj ekspozite.


4. Besianë


Ekspozita ‘’Mandati i fundit’’ në Besianë filloi në ora 12:00 në Sheshin e Qytetit. Fotografitë e kësaj ekspozite kishin të bënin me gjendjen e mjerueshme të objekteve shkollore, papastërtinë e madhe në këtë komunë e posaçërisht tek liqeni ku edhe ndahen fonde për mirëmbajtje. Kishte edhe fotografi të shumë projekteve të premtuara infrastrukturore gjatë fushatës, që sot e asaj dite nuk janë realizuar e as që është punuar në atë drejtim.


Pjesë e këtyre fotografive ishte edhe vetë sheshi ku po mbahej ekspozita. Secila nga partitë që kanë udhëhequr me Komunën e Besianës, kanë premtuar vendosjen e lapidarëve të dëshmorëve Zahir Pajaziti dhe Ali Ajeti në këtë shesh, por kjo asnjëherë nuk ka ndodhur.


5. Gjilan


Para “Teatrit të Qytetit” në Gjilan u mbajt ekspozita “Mandati i fundit”, ku u paraqitën problemet kryesore të kësaj komune. Temat kryesore në këtë ekspozitë ishin ujërat e zeza dhe mbeturinat që e ngulfatën qytetin e Gjilanit. Gropat në rrugë, mungesa e ndriçimit publik si dhe qentë e shumë endacakë që i rrezikojnë vazhdimisht qytetarët e kësaj komune ishin po ashtu pjesë e kësaj ekspozite.


6. Viti


Në Shtëpinë e Kulturës “Gursel dhe Bajram Sylejmani” në viti, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në këtë komunë hapi ekspozitën “Mandati i fundit”. Me këtë rast, u ekspozuan rreth 100 fotografi të bëra në qytetin e Vitisë dhe në rrethinë të saj, duke pasqyruar kështu defektet dhe problemet qe ballafaqohen qytetarët e kësaj komune. Natyrisht se këto defekte janë shkaktuar nga mungesa e përgjegjësisë dhe e angazhimit të udhëheqjes komunale në Viti për përmirësimin e jetës së qytetarëve të vet dhe për mënjanimin e këtyre dukurive negative që po e dëmtojnë ambientin dhe shëndetin publik në këtë komunë. Udhëheqja komunale duket se tani është më shumë e fokusuar në luftën e brendshme partiake që shpërtheu në degën e PDK-së në Viti .


Infrastruktura rrugore shumë e dobët, kanalizimet e mbyllura dhe me gypa shumë të vegjël, gjendja e rëndë nëpër objektet shkollore që janë mbuluar nga myku, gjendja e mjerueshme e tregut të qytetit, mungesa e ndriçimit në lagjet periferike të qytetit, uzurpimi i pronave publike,  shkatërrimi i pyjeve si dhe shume dukuri tjera negative  qe ishin pjesë e kësaj ekspozite.


7. Ferizaj


Qendra e Lëvizjes VETËVËNDOSJE! në Ferizaj organizoi sot para komunës ekspozitën “Mandati i fundit”. Qëllimi i kësaj ekspozite është që të tërheq vëmendjen e qytetarëve për situatën e krijuar nga keqqeverisja në Ferizaj në të gjitha fushat.


Përmes këtij aktiviteti, Lëvizja VETEVENDOSJE! përshkruan gjendjen e rëndë në të cilën po kalon qytetari i komunës së Ferizajt në sektorin e ekonomisë dhe mirëqenies sociale, si dhe problemet e mëdha me infrastrukturën e qytetit . Pushtetarët lokal në këtë komunë aktualisht po e rrisin nivelin e përfitimeve të tyre personale, kurse projektet për përmirësimin e gjendjes së qytetarit ferizajas po i anashkalon.


Lëvizja VETËVENDOSJE!, përmes fotografive të fabrikave të shkatërruara informon qytetarët për shkatërrimin e ekonomisë dhe kthimin e fabrikave në shitore dhe sipërfaqe ndërtimi. Pamjet e ndryshme nga qyteti flasin për një gjendje të tmerrshme në urbanizëm . Interesimi i qytetarëve ferizajas, për këtë aktivitet ishte  shumë i madh. Shumë qytetarë shprehën indinjatën e tyre për gjendjen në Ferizaj dhe menaxhimin e parasë publike.


8. Shtime


Te “Parku i Qytetit” në Shtime, u mbajt ekspozita “Mandati i fundit” me fotografi të shumta që lidhen me problemet e përditshme që i hasin qytetarët e kësaj komune. Ne fotografi shiheshin rrugët e paasfaltuara, mbeturinat në rrugë e në lum, objektet sportive të papërfunduara qe sa kohë si dhe shumë parregullsi tjera që kanë të bëjnë me keqqeverisjen lokale në Komunën e Shtimes


9. Drenas


Aktiviteti “Mandati i Fundit” në Drenas, u mbajt në sheshin e qytetit “Fehmi Lladrofci”.


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas nëpërmjet kësaj ekspozitë pati vënien në pah të keqqeverisjes së komunës në të gjitha fshatrat dhe lagjet e Drenasit.


Kjo ekspozitë përmbante fotografi të ndërtesave, rrugëve, dhe hapësirave publike që janë në gjendje të mjerueshme. Përveç kësaj në ekspozitë mund të shihen fotografitë që tregojnë premtimet e komunës për investime të cilat s’u realizuan kurrë.


10. Therandë


Ekspozita dhe fotografitë, iu referohen problemeve si në vijim:


Rrugë të premtuara, të nisura por  të papërfunduara, mungesës e ujit në qytet  ku qytetarët e Therandës bartin ujë, në mënyrë tradicionale si: me shishe dhe me enë të ndryshme, ndërsa premtimi gjeneral për këtë nga ana e Komunës ka qenë  furnizimi i plotë  me ujë i gjithë qytetareve të Komunës së Therandës.


Disa nga fotografitë paraqitën kushtet e jashtëzakonshme të shkollave në këtë komunë duke iu referuar numrit të madh të nxënësve në shkollën teknike ‘’Skënder Luarasi’’ ku në një klasë, saktësisht në klasën XI/7  mësojnë mbi  45 nxënës.


12. Vushtrri


Me ketë ekspozitë qytetarët do te njoftohen me :


Vendosja e antenës së PTK-së në shtëpinë e mikut të Hashim Thaçit në fshatin Martiraj; Me mbindërtimet në qendër të Vushtrrisë, të cilat po shkaktojnë pamundësimin e aktivitetit normal jetësor e të bisnesit; rreziku e përhapjes së epidemive për shkak grumbullimit të madh të stoqeve e mbeturinave; ndërtimet në tokën pjellore, afër përmendores së dëshmorëve të Kombit: Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhes dhe Hakif Zejnullahut; Trafo elektrike në mes te lagjes e cila është e hapur, pa dyer, duke paraqitur kështu rrezik për  qytetarët që banojnë aty;Shkatërrimi dhe zënia e tokës pjellore nga ndërtimet që bëhen;


13. Fushë Kosovë


Përmes fotove u vunë në pah ndërtimet jashtë çdo kriteri urbanistik; infrastruktura rrugore e cila në shumë pjesë të komunës është në gjendje të mjeruar; infrastruktura shëndetësore objektet e së cilës, edhe pse janë ndërtuar të reja për shkak se nuk janë vënë kurrë në funksion po rrënohen dita-ditës; shkollat të cilat janë në gjendje të rëndë duke iu referuar infrastrukturës së tyre; Nëpër fshatra rrugët janë lënë në gjysmë për shumë pak metra; Ndërsa rruga e kryetarit të komunës i cili ka ndërtuar shtëpi të veçuar në kodrën e Sllatinës është shtruar enkas për të deri tek dera e shtëpisë.


14. Malishevë


Në foto u paraqitën: Cilësia e dobët e rrugëve të shtruara gjatë fushatës, trotuareve dhe mungesa e ndriçimit; Mos kujdesi ndaj vlerave kombëtare; Uzurpimi I Qendrës së Rinisë; Luksi i komunarëve; Papastërtia në qytet, mirëmbajtja e lumenjve dhe minideponit e bërllokut nëpër fshatra; Shtëpitë e shëndetit jofunksionale; Mungesa e sigurisë të nxënësve në shkolla dhe fëmijëve në parkun e qytetit; Abuzimi me prona; Projektet e papërfunduara


15. Rahovec


Problemet kryesore të vëna re në këtë Komunë tonë janë: mos ndriçimi i rrugëve në qytet, rrugë kryesore të qytetit të pashtruara, asnjë përpjekje për rregullim të gropave në rrugë, si dhe kanalizime zbuluara.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera