Një vit nga vjedhja masive e votave

12 Dec 2011

Këtu e një vit më parë u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës. Koalicioni i atëhershëm qeveritar u prish në mënyrë artificiale. Qeveria e rrëzoi veten. Dhe kishte disa arsye për këtë nguti. Hashim Thaçi po përgatitej për negociata të reja me Serbinë dhe për fazën përfundimtare të privatizimit të atyre pak ndërmarrjeve të mëdha publike që kishin mbetur. Kurse, në anën tjetër Lëvizja VETËVENDOSJE! po rritej e forcohej vazhdimisht. Për t’i realizuar të gjitha këto, Thaçit i duhej një mandat i ri. E këtë mandat të ri nuk mund ta arrinte pa mobilizimin e të gjitha resurseve agjenturore, manipuluese, shantazhuese, financiare e çfarë jo tjetër.


Më 12 dhjetor, ditën kur populli i Kosovës duhej ta deklaronte veten hapur për ndryshime, pushteti organizoi vjedhjen më të madhe të votave që ka ndodhur ndonjëherë në vendin tonë. Vjedhja nuk ishte një akt i vetëm që ndodhi sa hap e mbyll sytë, por orkestrim i një procesi përplot hollësi, që vazhdoi përgjatë gjithë ditës. Të gjitha hallkat e sistemit të zgjedhjeve u manipuluan maksimalisht.


Së pari u manipulua aspekti teknik. Sprejët për shenjat e gishtërinjve dhe llampat ultravjollcë qëllimisht ishin sjellë të dobët ashtu që të mos mund të identifikoheshin ata që kishin votuar tashmë dhe që të mund të votonin shumëfish; listat e votimit nuk ishin pastruar nga gjithë ata njerëz që kishin vdekur ndërkohë, ashtu që të votohej edhe në emër të tyre; nëpër qindra vendvotime kur shkuan vëzhguesit tanë kutitë e votimit ishin të mbushura ende pa filluar votimi; komisionerët dhe vëzhguesit tanë (aty ku kishim, meqë në gjysmën e vendvotimeve nuk u lejuam të kishim) u kërcënuan dhe diku-diku edhe u rrahën; manipulimet vazhduan edhe në përmbyllje sepse pati manipulim të numrit të votave të shënuara në formularët e numërimit dhe gjatë raportimit të tyre etj. etj.


PDK-ja ishte partia me aktivitetin më të ngjeshur manipulues. Mijëra vota u blenë dhe për këtë blerje u shfrytëzuan paratë e vetë qytetarëve. Pastaj ndodhën shumë kushtëzime e shantazhe për ato familje që kanë ndonjë të punësuar si shërbyes civil, punëtor administrate komunale a qendrore, apo të punësuar në sektorin publik si punëtor i arsimit a shëndetësisë. Eksponentët agjenturorë të cilët në këtë mënyrë kanë arritur të bëhen pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës vazhdimisht qëndruan afër vendvotimeve e bile jo rrallë herë edhe brenda tyre duke bërë propaganda të paligjshme dhe duke ushtruar shantazh mbi njerëzit për t’ua marrë atyre votat.


Të gjitha këto manipulime bënë që rezultati i zgjedhjeve të dhjetorit 2010 të jetë ky që ishte: një rezultat thellësisht i shtrembëruar dhe që nuk mund ta paraqesë vullnetin e vërtetë politik të popullit të Kosovës.


Gjatë procesit të zgjedhjeve dështuan po ashtu hallkat kryesore të shtetit meqë ato mbahen nga ky pushtet. Policia shpeshherë i mbylli sytë pikërisht aty ku duhet të vepronte. Kurse drejtësia u mor vetëm simbolikisht me këtë vjedhje industriale votash. Prej 5000 personave të akuzuar për zgjedhjet e fundit, më pak se një përqind e tyre është dënuar me burgim. Burgimi më i lartë ka qenë një vit, ndërkohë që sipas Kodit Penal mund të jetë deri në 5 vjet. Prokuroria e shtetit dhe prokuroritë komunale nuk i kanë trajtuar krimet zgjedhore me prioritet, kurse ato pak dënime që janë shqiptuar janë kryesisht me gjoba simbolike 250 deri në 1350 euro. Ky është një inkurajim i shkëlqyer për hajnat milionerë. Pushteti i vjedh votat; pushteti i blen votat me paratë tona; pushteti shantazhon dhe kushtëzon; pushteti i manipulon votat; pushteti e frenon policinë; pushteti e kontrollon drejtësinë.


Edhe vetë organizatat e ndryshme ndërkombëtare e vendëse treguan për manipulim votash në përmasa drastike. ENEMO bëri të ditur se në zgjedhjet e dhjetorit ishin manipuluar rreth 38% e votave.


Lëvizja VETËVENDOSJE! luftoi me të gjitha mundësitë që i kishte kundër këtij manipulimi dhe hajnie. Ne denoncuam qindra raste të keqpërdorimeve. Shumë prej tyre nuk u morën parasysh nga drejtësia e kontrolluar, disa prej atyre që u morën parasysh nuk u proceduan, kurse ato që u proceduan përfunduan me gjoba simbolike, ashtu që manipuluesit të mbeteshin të pacenueshëm dhe sërish të përdorshëm.


Ajo që ndodhi pas zgjedhjeve tregon për kuptimin e manipulimit. Me të ardhur në pushtet në kësi mënyre, Kryeministri Thaçi na tha se i kishte dy projekte madhore qeveritare: negociatat me Serbinë dhe privatizimin e pasurive tona publike. Kjo ndoshta e shpjegon edhe arsyen pse disa zyre të huaja në Kosovë heshtën përballë kësaj hajnie të madhe që bëri partia në pushtet.


Vota e manipuluar e dhjetorit 2010 edhe sot po përkthehet në koncesione të kësaj Qeverie ndaj Serbisë dhe humbje të pasurive që do të mund të shërbenin për zhvillimin ekonomik të Kosovës.


Për ta ndryshuar këtë pushtet që po na zhyt për çdo ditë e më thellë në krizë politike e sociale, duhet mobilizim gjithë popullor për ndryshime, dhe gatishmëri e trysni për zgjedhje të reja, në të cilat populli do ta mbronte vullnetin e tij të shprehur lirshëm.




Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera