NUK KEMI NEVOJË PËR PROTESTA!

05 Nov 2011

Për nga sovraniteti popullor, demokracia shoqërore dhe mirëqenia e qytetarëve, Kosova është vendi më i avancuar në botë. Institucionet ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore të vendit, përherë të pakënaqura me të arriturat e deritashme vazhdimisht e reformojnë vehten, dhe jetën tonë, duke i dhënë kështu progresit të vazhdueshëm përmasa të reja dhe të papara. Ato punojnë 25 orë në ditë, në mënyrë që ne, qytetarët, të kemi mundësi të jetojmë me vetëm 4 orë pune në ditë.


Më 1 nëntor 2011, ashtu siç na premtoi Edita Tahiri, strukturat paralele të Serbisë në Kosovë u shuan! Kushdo që është i interesuar, mund të pijë kafe me Bajram Rexhepin në cilindo cep të veriut të vendit. Atje nuk ka më barrikada dhe as që bëhet fjalë për qarkullim të veturave me targa të strukturave paralele apo të shtetit të Serbisë. Gjithçka u rregullua, mbi të gjitha falë përkushtimit, mençurisë dhe trimërisë së kryeministrit të Kosovës dhe ministrit të rendit, Bajram Rexhepit. Ky i fundit e ka ndalur me Urdhëresë Administrative edhe erën që fryente nga veriu. Serbia na njohu, falë procesit të negociatave, ndërkohë që ajo u bind përmes këtij procesi, dhe prapë fal zhdërvjelltësisë së zyrtarëve tonë qeveritar që të kërkojë falje, të na i dorëzojë të gjtihë kriminelët e luftës, dhe të na i paguajë dëmshpërblimin për të gjitha shkatërrimet materiale të kryera në Kosovë gjatë kohës së kolonizimit të dhunshëm.


Hashim Thaçi u shpall kryeministri më i pakorruptuar në Evropë ndërsa Kosova u radhit e para në top-listën e shteteve më demokratike të botës. Nga oazë e krimit dhe hajnisë qeveritare, sot Kosova është parajsë e drejtësisë e barazisë shoqërore, ku në të vërtetë politikanët janë njerëzit më të varfër. Hashim Thaçi, bashkë më ministrat e tij të cilët i detyroi vet, hoqën dorë nga pasuria e tyre personale dhe ia kthyen atë popullit, duke e konsideruar kështu atë, pra popullin, si pronar të vetëm legjitim të kësaj pasurie. Tashmë nuk na duhet ligji anti-mafia kur politikanët i kemi të tillë.


Në vitin 2012 buxheti i Kosovës po dhjetëfishohet kështu që nuk ka gjasë për krizë financiare. Reduktimi i papunësisë ka arritur përmasa rekorde: sot i kemi 3% vende pune më shumë se sa që kemi njerëz në dispozicion për të punuar, gjë që e bën vet fjalën papunësi të pakuptimtë. (Prandaj edhe kërkojmë ta heqim nga fjalori.) Varfëria është zhdukur tërësisht, ndërkohë që një grusht njerëzish, kryeministri, zëvendës ministrat, ministrat, dhe zëvendës ministrat, që gjithsej janë vetëm 45 veta, janë personat e vetëm në Kosovë të cilët bëjnë pjesë në programin e asistencës sociale. Privatizimi i çdo ndërmarrjeje publike e shoqërore po i jep frytet e tij marramendëse në të mirë të ekonomisë së vendit. Pronarët privatë të këtyre kompanive kanë investuar shuma të mëdha në rritjen e mirëqenies shoqërore, ata hoqën dorë nga të gjitha fitimet e tyre dhe po e ndihmojnë vrullshëm shtetin e Kosovës. Dhe jo vetëm kaq: këta kanë kërkuar me ngulm që tatimet që ia paguajnë Kosovës t’u rriten pasi që konsiderojnë se shumat që po i paguajnë janë tejet të vogla. Historikisht e gobalisht nuk dihet të ketë pasur ndihmë më të madhe, dhe kaq të befasishme nga investitorë të tillë siç ka ndodhur rasti me Kosovën. Shumë lehtë mund të themi se Kosova ka pasur procesin më të dobishëm të privatizimit për të cilin ka dëgjuar historia. Prej se është privatizuar PTK-ja, komunikimin me telefon, fiks apo mobil, e kemi falas, ndërkohë që privatizimi i Distribucionit të KEK-ut dhe falja e Kosovës B dhe thëngjillit Kosovës së re, na e ka mundësuar që edhe biçikletat t’i kemi me rrymë, për shkak se edhe rrymën tash e kemi falas dhe të bollshme.


Të gjitha projektet kryesore rrugore tashmë i kemi të përfunduara, dhe atë nga vetëm një kompani. Zhavorri i Bechtelit i cili fillimisht na dukej tejet i shtrenjtë, doli të jetë më i liri. E vërtetë se ata i përdorën gurët e Kosovës pa pagesë për këtë zhavorr, por larja e tij më ujë të veçantë e bëri atë që t’i rezistojë krejt atij qarkullimi të maunave të rënda, që nuk do ta duronte kurrë asnjë lloj tjetër zhavorri po të mos lahej me këtë ujë të Bechtelit.


Prej datës 16 shtator 2011, kur Mimoza Kusari i hoqi masat e reciprocitetit me Serbinë, 4000 mauna me mallra nga Kosova po kalojnë për në Serbi ndërsa nga kjo e fundit vetëm 40 sosh po futen në vendin tonë. Mallrat e Kosovës po e vërshojnë tregun e rajonit! Eksportet janë rritur dukshëm sa që nganjëherë po duhet ta reduktojmë konsumin për t’i plotësuar eksportet.


Sipas raporteve ndërkombëtare, liria e shprehjes në Kosovë ka tejkaluar çdo vend të rajonit ndërsa standardet e RTK-së tashmë janë kriteri me të cilën eurosondazhet cilësojnë pavarësinë dhe profesionalizmin për televizionet publike në BE.


Zbatimi i plotë i Pakos së Ahtisaarit na i ktheu simbolet kombëtare ndërsa komunat me shumicë serbe vendosën që të heqin dorë nga financimi prej Serbisë duke iu nënshtruar kështu autoritetit të shtetit të Kosovës! Kisha Ortodokse Serbe hoqi dorë vullnetarisht nga zonat eksterritoriale përreth monumenteve të trashëgimisë kulturore të popullit të Kosovës.


Pas referendumit të mbajtur kohë më parë, u vendos që më 28 nëntor të shpallet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.


Populli nuk ka më nevojë për protesta. Dhe kjo është e vërtetë po aq sa janë të vërteta ato që u thanë më sipër!





Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera