Nuk zmbrapsemi!

12 Oct 2011

Sot, më 12 tetor, rreth orës 12.00, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, më saktësisht në mes fshatrave Prugovc dhe Milloshevë, ndaluan kamionin me targa serbe KV-111-578, i cili kishte në rimorkio mall ushqimor serb. Me këtë rast, ata e nxorrën nga rruga dhe e bënë të palëvizshëm.


Në situatën në të cilën kjo Qeveri është e paaftë për ta mbrojtur vendin ndërkohë për ta ruajtuar pushtetin e saj është e gatshme të negociojë e të bëj koncensione në dëm të interesave të vendit, aksioni politik mbetet alternativa e vetme për ta penguar atë.


Qeveria e Kosovës nuk e pa të udhës që as t’ia përmend Robert Cooperit në vizitën e tij këtu moslejimin e mallrave të Kosovës në Serbi, edhe pse paraprakisht e kishin degraduar shtetësinë e Kosovës duke ja hequr emërtimin “Republikë”. Si vazhdim i këtij degradimi, kjo qeveri po i përgatitë targat KS për serbët e Kosovës, të cilat pritet të jenë në qarkullim nga 1 nëntori. Si “dhuratë” konkluzionet e Raportit të Progresit e paraqesin Serbinë si vend i cili, ka arritur përparim të dukshëm, sepse “është pajtuar dhe po merr pjesë në procesin e dialogut me Kosovën, me ç’rast janë arritur disa marrëveshje, siç janë qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave, regjistrat civilë, kadastri dhe Serbia i ka marrë hapat fillestarë për implementimin e këtyre marrëveshjeve”.


Qeveria e Kosovës në vend se të kujdeset për qytetarët e saj, për mbarëvajtjen e institucioneve, sovranitetin, sigurinë dhe ekonominë, e ka transformuar veten në lehtësuesen e procesit të integrimit të Serbisë në Bashkimin Europian.


Lëvizja VETËVENDOSJE! do t’i intensifikojë edhe më shumë aksionet saj kundër mallrave serbe që po dëmtojnë Kosovës e po ndihmojnë Serbinë.




Lëvizja VETËVENDOSJE!
Sekretariati për Media dhe Komunikim

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera