Tryezë në Drenas – Pakoja e padrejtësisë dhe jofunksionalitetit

07 Jun 2007

Lëvizja Vetëvendosje! të enjten në Drenas organizoi një tryezë të rrumbullakët, ku ishin të ftuar subjekte politike, zyrtarët të kuvendit komunal, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, Bashkësia Islame, profesorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ftesës iu përgjigjën vetëm këto tri të fundit.


Tryeza ishte e ndarë në dy sesione dhe kishte për qëllim t'i shtjellojë tri aspektet kryesore të Pakos së Ahtisarit: aspektin politiko-juridik, atë ekonomik dhe aspektin e sigurisë. Sesioni i parë iu kushtua dy pikave të para, për të cilat në më shumë detaje foli aktivisti Visar Ymeri. Visari ua shpjegoi të pranishmëve ndarjen territoriale dhe politike që ia shkakton pakoja Kosovës, duke ia zhdukur kështu vendit tonë përherë shpresën për një funksionim normal politik. Decentralizimi e ndan Kosovën ne dy entitete territoriale, njërin të kontrolluar nga Serbia e tjetrin me shumicë shqiptare të kontrolluar nga misioni ndërkombëtar, përderisa koncesionet që i janë bërë Serbisë përmes negociatave në Vjenë, ia pamundësojnë funksionimin autonom institucioneve të ardhshme, veçanërisht kuvendit. Këtu Visari përmendi mekanizmin e shumicës së dyfisht e cila do ta paralizojë kuvendin dhe do ta bëjë atë tërësisht të varur nga vullneti i Serbisë. Shumica nga të pranishmit u pajtuan se Pakoja e Ahtisarit është një gjë e papranueshme për popullin tonë, ndërsa një pjesë tjetër e konsideronin pakon të dëmshme, por njëkohësisht të pranueshme si ofertën e vetme në tavolinë, të cilët duke qenë edhe vetë kundërshtarë të disa neneve më problematike të pakos, konsideronin pakon të pranueshme pasi që, sipas tyre, pakoja ka edhe klauzola të mira për popullin shqiptarë të Kosovës.


Sesioni i dytë e shtjelloi aspektin e sigurisë, për të cilin më gjerësisht foli aktivisti Hysen Durmishi. Hyseni theksin e vuri te Forca e ardhshme e sigurisë dhe Prania Ndërkombëtare Ushtarake. Kosova nuk do të ketë ushtri, ndërkohë që pakoja e Ahtisaarit e shuan tërësisht TMK-në. Madje pas plotësimit të standardeve. FSK do të jetë një trup jashtëzakonisht i mangët si në aspektin e personelit, ashtu edhe ne atë të pajisjeve teknike. 2500 pjestarët që do t’i ketë FSK as për së afërmi nuk do të mund t’i bëjnë ballë ushtrisë serbe e cila i 70 mijë ushtarë të rregullt, dhe 30 mijë reserve. Siguria brendshme e Kosovës do të jetë po ashtu e brishtë për shkak të autonomisë së stacioneve policore nëpër komunat serbe. Shumica nga të pranishmit, siç ishte mulla Osman Musliu, Izet Demaj, Beqir Hasi etj akuzuan UNMIK-un që po i përkrah planet e Serbisë kundër Kosovës dhe politikanët e Grupit Negociator të Kosovës të cilët janë zhytur në luks e po negociojnë me Serbinë për copëtimin e Kosovës, pa menduar se në çfarë gjendje të mjerueshme ndodhet populli i Kosovës.


Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Drenas

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera