Ekspozita e Pakos së Ahtisaarit

27 Feb 2007

Aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! gjatë tërë javës kanë ekspozuar nenet nga Pakoja e Ahtisaarit të cilët ngërthejnë në vete padrejtësitë e tmerrshme të këtij dokumenti, i cili do t’ia shkatërrojë Kosovës të ardhmen. Këto nene nga të gjitha anekset e pakos shpjegojnë në detaje pengesat që do t’i ketë Kosova në të ardhmen, pengesa këto që kanë të bëjnë me funksionimin e politikës, ekonomisë dhe shoqërisë së Kosovës në përgjithësi. Ato janë shtypur në fleta të mëdha dhe i janë vënë në dispozicion qytetarëve që të kenë mundësi t’i lexojnë dhe kuptojnë ashtu siç janë ato.


Me këtë ekspozitë Lëvizja VETËVENDOSJE! mëton t’i nxitë qytetarët që përmes të lexuarit dhe të debatuarit ta fitojnë një pasqyrë të vërtetë për propozimet e Ahtisaarit, duke i ikur kështu interpretimeve të rreme të Grupit të Unitetit dhe disa analistëve të afërt me pushtetin këtu në Kosovë.


Anekset në vehte ngërthejnë robërinë e re të Kosovës, të kamufluar me gjuhë diplomatike të këndshme për veshët, por të rrezikshme për ardhmërinë e qytetarëve të Kosovës. Anekset e pakos, si dhe nenet e caktuara janë ato që e përmbajnë ndarjen e Kosovës në dy entitete, ku entiteti serb do të ketë më shumë liri dhe autonomi në qeverisje se sa ai që popullohet me shqiptarë. Në anekse parashihet uzurpimi i tërësishëm i trashëgimisë kulturore të Kosovës. Po ashtu në anekse është detajizuar robëria e Kosovës përmes një misioni të ri monarkik ndërkombëtar që do të jetë në krye të politikës në Kosovë. Janë anekset dhe nenet e veçanta ato që e shuajnë TMK-në, dhe me të, frymën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe janë po këto anekse që ia hapin dyertë Serbisë për t’u future thellë në territorin dhe politikën e Kosovës përmes komunave të reja, legalizimit të struturave paralele, shumicës së dyfisht në kuvend si dhe financimit për pjesë të caktuara të Kosovës.


Kjo ekspozitë nuk i ka harruar as anëtarët e Grupit të Unitetit. Ata janë paraqitur aty përmes një skulpture të bërë nga aktivistët e Lëvizjes, e cila paraqet se sa unik janë ata dhe për çka (kliko këtu për fotografinë e kësaj skulpture). Për shkak se janë këta politikanë të mjerë të cilët kanë kontribuar në përpilimin e kësaj pakoje, si dhe janë po këta që e kanë pranuar këtë robëri të re pa as edhe një kusht të vetëm. Janë këta që i rrinë prapa Ahtisaarit dhe Serbisë duke iu përulur atyre që të shkelin mbi Kosovën.


Qytetarët që po i afrohen ekspozitës indinjohen kur shohin se çka po i pret. Shumica prej tyre i kanë parë këto të vërteta për herë të parë. Lëvizja VETËVENDOSJE! thërret të gjithë qytetarët e Kosovës që ta lexojnë pakon me vëmendje, ta diskutojnë atë me miq e të afërm, për shkak se vetëm kur e kuptojmë qartë se çfarë e keqe po na pregatitet do të jemi në gjendje ta luftojmë atë pa ngurrim dhe pa hamendje.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera