Mbahet tubimi në Lagjen e Spitalit në Prishtinë

07 Feb 2007

Mbahet tubimi në Lagjen e Spitalit në Prishtinë        


Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! qëndruan të mërkurën, më 7 shkurt, në Lagjen e Spitalit në Prishtinë. Aty u takuan me banorët e lagjes me të cilët u diskutuan zhvillimet aktuale politike në Kosovë, rreziku që i kanoset Kosovës dhe qytetarëve të saj nga këto zhvillime, si për domosdoshmërinë e organizimit gjithëpopullor për ta ndalur procesin aktual politik dhe për ta kthyer atë kah populli dhe interesat e tij.


Të pranishmëve fillimisht u foli aktivisti Visar Ymeri, i cili u përqendrua në pakon e Ahtisaarit dhe në pamundësimin praktik dhe ligjor të ndarjes së Kosovës nga Serbia që kjo pako e ngërthen në vete. Në njërën anë, përmes procesit të decentralizimit, pakoja ia pamundëson Kosovës pavarësinë nga Serbia, për shkak se ia jep Serbisë nën kontroll të drejtpërdrejt 1/3 e territorit të Kosovës. Në anën tjetër, përmes mekanizmit të shumicës së dyfisht që do të përdoret ne Kuvendin e Kosovës, pakoja ia pamundëson shkëputjen e Kosovës nga Serbia, duke ia pamundësuar shpalljen e kësaj shkëputjeje pa miratimin paraprak të deputetëve të pakicave që kanë vende të rezervuara në kuvend. Pakoja e Ahtisaarit e ndan Kosovën në dy entitete: njëri me shumicë serbe i qeverisur drejtpërdrejt nga Serbia përmes strukturave paralele të Serbisë këtu; tjetri me shumicë shqiptare i cili do të jetë i qeverisur nga dora e hekurt burokratike e Misionit Civil Ndërkombëtar. Përderisa Serbia fiton territore të reja nën kontroll, Kosova fiton një mision tjetër – trashëgues të UNMIK-ut – i cili do ta vazhdojë shtypjen dhe nëpërkëmbjen e popullit e Kosovës aty ku do ta lë UNMIK-u. Dhe e tërë kjo, sipas pakos, do të funksionojë si autonomi nën sovranitetin e Serbisë.


Pastaj fjalën e mori aktivisti Zgjim Hyseni i cili i paraqiti përmes videoprojektorit hartat e zonave ‘eksterritoriale’ të cilat pakoja ia jep Kishës Ortodokse Serbe. Zonat ‘eksterritoriale’ për kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovës kanë qenë tema e dytë për nga rëndësia që i është kushtuar në negociatat në Vjenë. Ky proces është shumë i rëndësishëm për Serbinë, për shkak se përmes tij Serbia synon ta uzurpojë trashëgiminë kulturore dhe historike të Kosovës duke e quajtur atë padrejtësisht serbe. Kështu, Serbia, përmes Grupit Negociator të Kosovës po e ‘vërtetëson’ gënjeshtrën e saj historike se shqiptarët janë ardhacak në Kosovë, të cilët janë vendosur këtu gjatë shekullit të XVII dhe si të tillë nuk kanë arritur të krijojnë artefakte kulturore në këtë vend. Si ardhacak shqiptarët shndërrohen në refugjatë në vendin e tyre.


Ahtisaari kërkon krijimin e 6 komunave me shumicë serbe. Këto komuna do të kenë kompetenca të tilla që ua mundëson atyre funksionimin plotësisht autonom nga pjesët tjera të Kosovës. Ato do të kenë kompetenca në polici, arsim, shëndetësi, [ështje sociale si dhe disa aspekte të ekonomisë. Pakoja e Ahtisaarit ia hap dyertë krjimit të mëtutjeshëm të komuna të qeverisura nga serbët në të ardhmen sa herë që një vendbanim e kalon pragun prej 5000 banorësh sa është e nevojshme për krijimin e komunës, dhe kur 75% të këtyre banorëve janë pjestarë të pakicave.


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE!në Prishtinë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera