Tubim publik në Skënderaj

05 Feb 2007

Sot, më 5 shkurt 2007, duke filluar në orën 16:00, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tubim me qytetarë në sheshin ‘Adem Jashari’, përballë shtëpisë së kulturës ‘Hasan Prishtina’. Para qindra të pranishmëve foli aktivisti Albin Kurti i cili sqaroi dëmin që do t’i sjellë Kosovës pakoja e Ahtisaarit nëse ajo shndërrohet në marrëveshje. Grupi Negociator i Kosovës e pranoi pakon e Ahtisaarit me një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Edhe vetë Ahtisaari e faktorë të ndryshëm ndërkombëtar vunë në pah mundësitë e ndryshimeve ndërkohë që negociatorët kosovar flisnin për pavarësinë në emër të së cilës i kishin bërë koncesionet e pafalshme në Vjenë, pra flisnin për atë që jo vetëm nuk ndodhej askund në pakon e Ahtisaarit, por edhe pamundësohej përmes saj. Albini analizoi detalisht pjesën e përgjithshme si dhe anekset e kësaj pakoje të cilat e forcojnë institucionalisht dhe e zgjerojnë territorialisht Serbinë brenda Kosovës.


Pjesa e dytë e këtij tubimi iu kushtua thirrjes së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për demonstratën e 10 shkurtit në Prishtinë. Ishte qëndrim i përgjithshëm se qytetarët e Kosovës duhet të angazhohen që t’i ndalin këto projekte negative meqë nuk mund të shpresohet prej këtyre politikanëve që vazhdimisht kanë gënjyer popullin në kurriz të të cilit janë kredhur në luks e privilegje të mëdha.


Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Skënderaj

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera