Takim me intelektualët e Prizrenit

02 Feb 2007

Sot, më 2 shkurt në Prizren u mbajt takimi mes aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe intelektualëve të qytetit. Në këtë tubim u diskutua për rrethanat aktuale politike nëpër të cilën po kalon Kosova, për procesin e dëmshëm të decentralizimit si dhe çështjen e uzurpimit të kulturës dhe historisë sonë, përmes zonave të veçanta përreth kishave dhe manastireve ortodokse. Vëmendja u përqendrua veçmas në manastirin e Kryeengjëjve, gjegjësisht në manastirin e Shën Arhangjelit dhe manastirin e Levishkës në Prizren. Aktivistët e Lëvizjes para intelektualëve prizrenas, përmes projektorit bënë prezantimin e planeve të Serbisë për rikolonizimin e Kosovës. Intelektualët gjatë diskutimit shfaqën brengat dhe frikën e tyre prej zgjidhjeve të imponuara nga jashtë, si dhe frikën e ripërsëritjes së historisë, si rezultat i paaftësisë dhe servilitetit të kinsepërfaqësuesve tanë. Aktivisti Albin Kurti u foli qytetarëve për domosdoshmërinë e referendumit për vetëvendosje, për zgjimin e popullit nga gjumi para tragjedisë, si dhe dëmet që sjellin proceset aktuale politike. Po ashtu, para intelektualëve prizrenas është folur edhe për demonstratën gjithëpopullore të 10 shkurtit në Prishtinë. Gjatë gjithë rrjedhës së tubimit, qytetarët disa herë konfirmuan përkrahjen e tyre të parezervë për demonstratën.


Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Prizren

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera