Mbahet tubim me qytetarët dhe prezantohet pakoja e Ahtisaarit në Drenas

01 Feb 2007

Sot, më 1 shkurt 2007, duke filluar nga ora 10:00, nga aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, u prezantua pakoja shumë e dëmshme e Ahtisaarit në qytetin e Drenasit. Pakoja u vendos para zyrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në Drenas, ku interesimi për ta parë këtë pako ishte tejet i madh. Qytetarëve të pranishëm, të këqijat e pakos së Ahtisarit ua shpjeguan Petrit Bajraktari, Heroinë Binaku dhe Zgjim Hyseni, ku ndër të tjera u tha se: Pakoja e Ahtisaarit nuk i përmban asnjë prej gjërave jetike për popullin e Kosovës, ajo nuk përmban gjërat që nuk i ka pranuar Serbia. Kosova nuk do të ketë ushtri, Kosova nuk do të ketë ulëse në OKB, Kosova nuk do të ketë Ministri të Mbrojtjes. Dhe, për më keq, pakoja e Ahtisaarit parasheh zëvendësimin e UNMIK-ut, me një tjetër UNMIK të radhës, me Misionin Ndërkombëtar Civil si një administratë e BE-së. Qytetarët u shprehën të mllefosur me Grupin Negociator të Kosovës dhe thanë se janë ata vetë që duhet ta kundërshtojnë këtë pako.


Ndërkaq, nga ora 12:00 po këtë ditë në vazhdën e tubimeve që po zhvillon Lëvizja VETËVENDOSJE!, u mbajt një tubim publik në sallën e Kuvendit Komunal me qytetarët e Drenasit. Para të pranishmëve folën Albin Kurti e Dardan Molliqaj të cilët prezantuan proceset e decentralizimit, ‘eksterritorialitetit’ të objekteve ortodokse në Kosovë dhe ai i rikolonizimit të Kosovës. U diskutua për dëmet dhe rreziqet që sjellin me vete këto projekte, për nevojën e mobilizimit gjithëpopullor me qëllim të ndalimit të tyre si dhe për realizimin e lirisë nëpërmjet të drejtës për vetëvendosje. Gjithashtu u diskutua për demonstratën e ardhshme, që do të mbahet më 10 shkurt 2007, kundër Grupit Negociator dhe negociatave me Serbinë, kundër pakos së Ahtisaarit dhe Ahtisaarit, kundër entitetit territorial serb dhe Misionit Civil Ndërkombëtar që do ta pasojë UNMIK-un. Fare në fund u zhvillua një debat me të pranishmit të cilët shprehën hallet e tyre për proceset negative politike si dhe për problemet shoqërore e ekonomike me të cilat po përballet popullësia e këtyre anëve. Ata akuzuan UNMIK-un që po i përkrah planet e Serbisë kundër Kosovës dhe politikanët e Grupin Negociator të Kosovës të cilët janë zhytur në luks e po negociojnë me Serbinë për copëtimin e Kosovës, pa e çarë kurrnjëherë kokën për gjendjen e rëndë të qytetarëve të Kosovës.


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera