Kundër strukturave paralele serbe në Vraniq të Sharrit

23 Oct 2011

Shprehim shqetësimin tonë për tolerimin e vazhdueshëm që komuna dhe kuvendi komunal i Sharrit, po ia bën strukturave paralele të Serbisë në Vraniq. Këto struktura janë ilegale e të papranueshme për popullin tonë.


Rasti konkret ka të bëjë me komunën paralele serbe në fshatin Vraniq të Gorës. Kjo komunë është rithemeluar në nëntor të vitit 2008. Pas zgjedhjeve të mbajtura në maj të po këtij viti dhe brenda autoritetit të vet përfshin të gjithë fshatrat e kësaj treve. Themi se është “rithemeluar”, pasi që ajo ka funksionuar si institucion i ndarë nga Komuna e Sharrit që nga përfundimi i luftës së parë botërore, dhe është dirigjuar direkt nga Beogradi, duke ruajtur e kultivuar në mënyrë besnike frymën shoviniste serbo-sllave. Në bazë të asaj që kemi arritur ta shohim, pasi që e kemi vizituar edhe personalisht këtë institucion ilegal, por edhe në bazë të informacionit të siguruar nga burime të besueshme, vëmë re, se bëhet fjalë për një institucion që ka hierarki dhe strukturë. Ky “institucion” është i organizuar me kujdes, funksionon në mënyrë të rregullt dhe ka drejtuesit e tij.


Emrat e drejtuesve nuk kemi mundur t’i sigurojmë sepse mbahen të fshehur. Me rëndësi është fakti se këtu kryhen një sërë shërbimesh, si:  


-regjistrimi i fëmijëve,


-marrja e certifikatave të lindjes dhe të marteses,


-regjistrimet pronësore,


-nxjerrja e certifikatave të shtetësisë dhe e pasaportave,


-apo edhe e çdo dokumenti tjetër që nevojitet për të qenë një nënshtetas i rregullt serb.


Objekti i këtij institucioni ilegal, pra i komunës ilegale serbe të Vraniqit gjendet në hyrje të këtij fshati dhe në pjesën e jashtme nuk ka ndonjë flamur apo simbol tjetër identifikues. Por brenda lokaleve të saj, çdo udhëzim, njoftim, vendim, kërkesë, apo ndonjë formë tjetër e shkruar, jepet në shkrim cirilik, në gjuhën serbe, ndërkohë që në pjesë të ndryshme brenda objektit ka të vendosur flamuj dhe simbole të tjera nacionaliste serbe. Po ashtu, kjo komunë merr direkt fonde nga Serbia dhe nëpërmjet filialit bankar që gjendet brenda objektit komunal paralel serb në Vraniq. Të gjitha transaksionet kryhen me anë të valutës serbe “dinar”.


Kjo komunë ilegale i paguan shërbyesit e saj të të gjitha fushave, si të arsimit, shëndetësisë, kulturës, etj. me paranë e atyre që deri dje na masakruan, e që sot po na e ndalojnë zhvillimin.


Kur jemi te arsimi duhet të themi me shqetësim se në shumicën e fshatrave e Gorës, që nga paslufta punohet me planprograme serbe, dhe veç pagave të majme që arsimtarët i marrin nga Serbia, po ashtu paguhen edhe nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Arsimit. Këta shërbyes të një vendi që nuk e njeh Kosovën e që ende ëndërron të na pushtojë, paguhen edhe nga taksapaguesit e Kosovës.


Për të gjitha këto fakte rreth funksionimit të kësaj komune janë mirë të njoftuar edhe drejtuesit e kuvendit komunal në Sharr dhe ata të nivelit qendror. Madje, në tubimin publik me qytetarë që kuvendi komunal i Sharrit e mbajti tri ditë para përfundimit të vitit 2010, kërkesa që i bëmë kryetarit të komunës, z. Salim Jenuzi, që çështjen e komunës paralele serbe të  Vraniqit ta ngrejë në instancat më të larta shtetërore, që të merren masa të menjëhershme e të domosdoshme, ai u përgjigj me këto fjalë: Unë nuk e njoh këtë komunë, kushdo që e njeh, le të shkojë atje. Kjo punë s’është e imja, u takon ‘të mëdhënjve.


Qeveria komunale e Sharrit, në vend që ta bllokojë këtë aktivitet, vazhdon ta përforcojë atë, duke paraparë në projekt-buxhetin për periudhën kohore 2012-2014, të miratuar më 27 shtator të këtij viti, investim në vlerë prej 60 000 €, në ndihmë të krijimit të një komune të re serbe sipas Planit të Ahtisarit. Kjo sjell rreziqe edhe më të mëdha, e do të jetë katalizator përshpejtues në procesin e bosnjëzimit të Kosovës.


Për rrezikun që sjell Komuna paralele serbe e Vraniqit, flet edhe fakti më i freskët, ku kohëve të fundit ajo iu del në ndihmë strukturave ilegale serbe në veri të vendit në forma të ndryshme. Vetëm ditën e mërkurë, 19 tetor 2011, janë dërguar në veri të Mitrovicës tre autobusë me goranë, për t’iu ardhur në ndihmë barrikaduesve.


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Sharr, e konsideron mjaft të rrezikshëm funksionimin e një “institucioni” të tillë dhe kërkon që organet kompetente shtetërore të marrin masa të menjëhershme lidhur me këtë çështje.


Poashtu, organeve komunale në Sharr, u bën apel që të mos u ikin përgjegjësive dhe  çështjeve të cilat u takojnë dhe njëkohësisht që janë në kundërshtim me funksionimin e mirëfilltë të shtetit dhe ruajtjes së sovranitetit e tërësisë territoriale të tij.


Krejt në fund duhet të themi se populli i Kosovës duhet të vetëdijësohet se nuk ekzistojnë strukturat ilegale serbe vetëm në veri të vendit dhe nuk po tentohet të copëtohet Kosova vetëm atje, por edhe në cepin më të largët jugor të saj, po ndodh një gjë e tillë, kurse qeveria e vendit po e vazhdon melodinë monotone të heshtjes edhe në këtë rast.



 
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Sharr

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera