Fushata “Duaje tënden” – Aktivitetet e zhvilluara nga 14 shtatori 2011 deri më 10 tetor 2011

10 Oct 2011

"Duaje tënden" është fushatë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, që ka për qëllim promovimin e prodhimeve të vendit, me qëllim të nxitjes së zhvillimit ekonomik. 


Sot kur Qeveria e Kosovës, e cila e ndërpreu reciprocitetin tregtar me Serbinë dhe lejon  që tregun tonë ta pushtojnë mallrat nga Serbia, është e domosdoshme që qytetarët të përkrahin prodhuesit e vendit duke konsumuar prodhimet vendore. 


Nëse vazhdojmë të blejmë prodhime nga Serbia, i ndihmojmë Serbisë që të zhvillohet ekonomikisht duke ndihmuar kështu përpjekjet e saj për dëmtimin e vendin tonë.


Konsumimi i prodhimeve të vendit, është faktor i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë dhe forcimin e shtetit tonë.  


Fushata “Duaje tënden” nuk do të pushojë. Aktivistë, prodhues e qytetarë po ndihmojnë që të intensifikohet çdo ditë e më shumë. Gjatë gjithë aktiviteteve të deritanishme, kemi hasur në mbështetje të plotë nga ana e qytetarëve dhe e prodhuesve vendas. Një numër shumë i madh i prodhuesve vendas janë tashmë në përkrahje të aktiviteteve.    


Në vijim i keni të pasqyruara aktivitetet e shumta të fushatës “Duaje tëndën”. Kontributi i gjithsecilit është i nevojshëm, prandaj mos hezito dhe bashko “Duaje tënden” (www.duaje.com). 


Fushata “Duaje tënden” filloi më 14 shtator 2011 përmes një vizite që aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! lokaleve të kompanisë ASK TRADE (Gjilan). Me këtë rast, letra ngjitëse me logon e fushatës u vendosën në prodhimet e kësaj kompanie. 


Të nesërmen, më 15 shtator 2011, në disa markete dhe kafene në Prishtinë aktivistët vazhduan me vendosjen e letrave ngjitëse nëpër prodhimet e vendit.  


Më 17 shtator 2011 u mbajt ndeja e parë me moton “Duaje tëndën”. Ndeja u organizua në lokalin Outback (ish “Te Kaqa”) dhe në të pati pjesëmarrje shumë të madhe të qytetarëve. Aty u promovuan prodhime vendore ushqimore si dhe u shërbyen vetëm lëngje vendore. 


Ndërkohë, gjatë kësaj kohe u krijua web faqja e fushatës (www.duaje.com) në të cilën përpos informatave rreth aktiviteteve të fushatës, qytetarë të shumtë u regjistruan për të punuar vullnetarisht në aktivitetet e fushatës. 


Portale të shumta shqiptare në internet e mbështetën fushatën, duke e vendosur logon e saj në ballinat e tyre.  


Më 23 shtator 2011 aktivistët e VETËVENDOSJE!-s ishin në fshatin Kovragë të komunës së Burimit ku po shënohej Dita e Mollës. Ky festival i mollës u mbështet nga fushata jonë dhe me këtë rast u shpërndanë shumë materiale të fushatës. Pemëtarët e pritën fushatën shumë mirë. 


Më 24 shtator 2011 u mbajt ndeja e radhës e fushatës. Ndeja u organizua në kafeterinë “Filikaqa” në Prishtinë. Pjesëmarrja e qytetarëve ishte shumë e lartë. Gjatë ndejës u ekspozuan fotografi nga aktivitetet e fushatës dhe u shërbyen vetëm pije vendore. 


Më 26 shtator 2011 fushata “Duaje tënden” e mbështeti panairin e prodhimeve artizanale të organizuar nga shoqata “Dera e Hapur”. Gjatë panairit u shpërndanë materiale të fushatës. Të gjitha prodhimet e ekspozuara në panair u pajisën me nga një letër ngjitëse “Duaje tënden – prodhim i vendit”. 


Më 27 shtator 2011 nëpër të gjitha lagjet e qytetit të Prishtinës u shpërndanë fletushka informuese mbi fushatën. 


Më 28 shtator 2011 “Duaje tënden” filloi aktivitetin e saj edhe në Shtërpcë. 


Më 29 shtator 2011 “Duaje tënden” vazhdoi rrugëtimin e saj edhe në komunat Rahovec, Therandë, dhe Kastriot. 


Më 30 shtator 2011 “Duaje tënden” filloi në Shtime. 


Më 1 tetor 2011 fushata vazhdoi në këto komuna: Kastriot, Mitrovicë dhe Prishtinë.  


Më 2 tetor 2011 fushata vazhdoi në Shtërpcë. 


Më 3 tetor 2011 u organizua ndeja e radhës. Në bashkëpunim me Qendrën e Studentëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! – “Studim, Kritikë, Veprim!” ndeja u organizua në oborrin e konvikteve në Qendrën e Studentëve – Prishtinë. Ndërkohë, gjatë kësaj dite aktivitete u zhvilluan edhe në Besianë, Lypjan, Malishevë, Prizren. 


Më 4 tetor 2011 fushata vazhdoi në Therandë. 


Më 5 tetor 2011 aktivistët e VETËVENDOSJE!-s ishin në panairin e prodhimeve bujqësore të organizuar nga OEK dhe Ministria e Bujqësisë. Atje ishim me kërkesë të prodhuesve që do të merrnin pjesë në panair. Megjithatë, aktivistët nuk u pritën fare mirë nga organizatorët e madje edhe u përzunë nga aty nën arsyetimin se “tani do të vijë kryeministri dhe nuk duam të ju kemi këtu”. Sidoqoftë, me kërkesë të prodhuesve që ekspozonin mallrat e tyre në panair, ne arritëm t’i pajisim të gjithë prodhuesit pjesëmarrës me materialet e fushatës.  


Në po të njëjtën datë, qendra jonë në Ferizaj e vizitoi marketin “Plus” i cili është ndër të vetmit në Kosovë që nuk mbanë fare produkte serbe. Aktivistët aty shpërndanë materiale të fushatës si dhe i vendosën shenjat “Duaje tënden” nëpër prodhimet e vendit.


Gjatë kësaj dite, aktivitete u zhvilluan edhe në Vushtrri, Lypjan dhe Viti. 


Më 6 tetor 2011 aktivistët e qendrës sonë në Vushtrri e vizituan fabrikën e prodhimit të çipsave “VIPA CHIPS” në Pestovë. Prodhimet e kësaj fabrike u pajisën me letrat e vogla ngjitëse “Duaje tënden – prodhim i vendit”.


Po në këtë ditë, aktivitete u zhvilluan edhe në Deçan, Skenderaj, Lypjan dhe Kaçanik. 


Më 7 tetor 2011 nëpër semaforët e qytetit të Prishtinës u vendosën letra ngjitëse me mbishkrimin “BOJKOTONI PRODUKTET E SERBISË” (në dritën e kuqe) dhe “DUAJE TËNDEN prodhim i vendit” (në dritën e gjelbër).


Gjatë po kësaj dite, në Gjakovë aktivistët e qendrës tonë atje e vizituan marketin “Nertil” i cili nuk mbanë fare prodhime të Serbisë. Aty u shpërndanë materialet informuese të fushatës si dhe u promovuan prodhimet e vendit përmes vendosjes nëpër to të shenjave “Duaje tënden – prodhim i vendit”.


Gjatë kësaj dite aktivitete u zhvilluan edhe në Therandë, Dardanë, Sharr dhe Mitrovicë. 


Më 8 tetor 2011 u mbajt në Prishtinë ndeja e radhës e fushatës. Kësaj radhe ndeja u organizua në kafiterinë “Creme de la Creme”. Pjesëmarrja ishte e lartë. Gjatë ndejës u shërbyen prodhime vendore ndërkohë që të pranishmit u pajisën me fanella dhe pulla që përmbajnë logo të fushatës.


Gjatë kësaj dite aktivitete u zhvilluan edhe në Artanë. 


Gjatë gjithë kësaj kohe, në kuadër të fushatës “Duaje tënden” u shpërndanë 250,000 letra të vogla ngjitëse nëpër prodhime të vendit, 50,000 fletushka informuese, 20,000 trakte politike, 4400 pulla(“badge”) me logo të fushatës, 3000 bluza me logo të fushatës, 19,400 letra ngjitëse “Unë blej prodhime të vendit” të cilat janë vendosur kryesisht nëpër pjesët e prapme të makinave.  


Lëvizja VETËVENDOSJE!


10 tetor 2011

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera