PASOJAT E BUXHETIT TË VOCKËL PËR KOMUNËN E GJILANIT DHE GJILANASIT

04 Oct 2011

Nga konferenca për media e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan


Ne do të numërojmë vetëm disa nga pasojat negative që burojnë për Komunën e Gjilanit nga ndarja e një buxheti të tillë minimal:


•    Shumë projekte janë nisur dhe kanë mbetur pa u përfunduar, si bie fjala, projekti i asfaltimit dhe rregullimit të kanalizimit në lagjen “Dardania 1”, “Dardania 2” (rrugët e fundit, të cilat lidhen me një rrugë kaluese për në “Rrugën Qarkore” që ndërlidh qytetin e Gjilanit me rrugët për në Ferizaj, Prishtinë dhe Bujanoc); lagjja “Zija Shemsiu”, etj. Këto projekte janë stërzgjatur, duke ia vështirësuar ecjen dhe daljen me veturë qytetarëve të Gjilanit. Po ashtu, sipas disa informacioneve, Komuna e Gjilanit u ka mbetur borxhe të mëdha kompanive kontraktuale për asfaltimin e rrugëve. Dhe jo vetëm ky projekt, por edhe shumë projekte të tjera kanë mbetur pa u realizuar. Projekti për rregullimin e shtratit të Lumit Mirusha, që po ndotë të gjithë qytetin dhe veçanërisht banorët që jetojnë afër rrjedhës kryesore të Mirushës. Dhe këto borxhe dhe moskryerje të projekteve të Komunës vijnë edhe për shkak të pamundësisë së mbulesës financiare, por edhe qeverisjes së dobët, e të ngjashme.


•    Pasojë tjetër e këtij buxheti që nuk e quajmë buxhet, por më shumë asistencë sociale për Komunën e Gjilanit apo vitrat e llojit të Ramazanit, sepse një buxhet i tillë për një Komunë aq të madhe si Gjilani, është buxhet qesharak. Edhe pas 12 viteve, Gjilani ka mbetur pa një galeri të dinjitetshme për artistët e Gjilanit dhe atyre të tjerëve që dëshirojnë të ekspozojnë artin e tyre në komunën tonë. Galeri ka mbetur një korridor i ish Qendrës Rinore, mbi teatrin e qytetit. Dhe kjo vjen edhe nga të hyrat e vogla buxhetore të komunës.


•    Kushtëzimi i qytetarëve të Gjilanit për të marrë dokumentet relevante, për të paguar domosdoshmërisht ujin dhe bërllogun, vjen nga nevoja e Komunës të shndërrohet në qeverisje inkasantësh dhe të mbetet pa fonde të mjaftueshme financiare.


•    Qyteti i Gjilanit, por edhe fshatrat përreth, kanë mungesë të konsiderueshme të ndriçimit publik. Në shumë lagje, madje edhe në pjesët hapësinore përreth shkollave të mesme siç janë “Zenel Hajdini”, “Mehmet Isai”, dhe shkollat e tjera, janë pa ndriçim, apo kanë ngelur me ndriçim parcial. Madje, ka lagje që janë bërë me poça elektrikë, por që janë me reduktime, herë funksionojnë, e herë jo. Të vjen keq kur e sheh hapësirën rreth vatrave të diturisë, pa ndriçim publik, dhe kjo u vështirëson ecjen edhe nxënësve, gjithë personelit shkollor, por edhe vetë kalimtarëve, sidomos kur tash vjen stina kur nata bie herët dhe i kap edhe nxënësit pas daljes së orës së fundit mësimore.


•    Si pasojë e buxhetit të vogël, apo ndarjes së “asistencës sociale” për Komunën e Gjilanit, nuk janë bërë sa dhe si duhet investime në qendrat sportive dhe rekreative-kulturore për të rinjtë. Po të mos ishin disa nga palestrat e vogla sportive nga disa akterë privatë, rinia shumicë e Gjilanit, do të mbetej pa hapësirë për realizimin e aktiviteteve të ndryshme sportive dhe rekreative-kulturore.


•    Komuna e Gjilanit nga një qytet industrial, është shndërruar nga mungesa e investimeve dhe politikave zhvillimore, në qytet bastoresh, ku në disa lagje, ka më shumë bastore se çdo gjë tjetër; madje, në disa lagje, brenda perimetrit gjatësor 200 metërsh, gjinden 7-8 bastore. Kjo vjen edhe nga raporti përpjestimor jo i drejtë që investon Komuna dhe partneritetit publiko-privat.


Krejt në fund, këto pasoja më së shumti po dëmtojnë qytetarin e Gjilanit, të rinjtë dhe të gjitha moshat, të cilët kanë mbetur pa perspektivë dhe pa shpresë për një mirëqenie themelore zhvillimore. Qytetari i Gjilanit, sapo del nga hyrja e shtëpisë, nuk ka ndriçim publik, asfaltim dhe trotuare që mund të ecën sigurtë, pa besimin se mund të hyjë në punë edhe pas diplomimit, e të ngjashme. Prandaj, ne si Lëvizje Vetëvendosje, për të gjitha këto pasoja përgjegjësinë e bartim edhe te vetë udhëheqësia e Komunës, ku kryetari i Komunës priti para pak kohësh shefin e tij, kryeministrin Thaçi në Livoç, ndërsa po ky kryeministër i premtoi gjilanasve për 100 milionë euro investime, me hapjen e Universitetit Publik në Gjilan, etj., të cilat nuk i realizoi kurrë. Dhe kjo shihet edhe me investimet dhe buxhetin e sotëm për Komunën e Gjilanit. Kryetari i Komunës do të duhej t’i tregonte shefit të tij se, për gjilanasit Thaçi nuk është kryemistër i Kosovës, sepse ai do të duhej të jepte dorëheqje që moti për mospërmbushje të premtimeve të tij. Kryeministrat japonezë e perëndimorë, japin dorëheqje vetëm për një deklaratë irracionale apo që prek sedrën e qytetarëve, ndërsa këtu bëjnë skandale që do të duhej të ndiqeshin edhe penalisht, ndërsa vijnë edhe na buzëqeshin.


Lëvizja VETËVENDOSJE! - Qendra Gjilan

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera