Reagim i qedrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Zvicër ndaj fushatës diskriminuese të Partisë Popullore Zviceriane

26 Sep 2011

Në Zvicër, me datën 24 Tetor 2011 do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Fushatës parazgjedhore kësaj rradhe nuk i mungon elementi provokues, i cili si zakonisht sillet prej Partisë Popullore Zviceriane (SVP) në zgjedhjet apo votimet popullore që ndodhin në Zvicër.


Para disa vitesh (2009) ishte kjo parti që inicoi dhe e fitoi votimin popullor që kishte për qëllim ndalimin e ndërtimit të xhamive në Zvicër, vendim i cili është në kundërshtim me Kushtetutën Zviceriane dhe Marrëveshjet Bilaterale që janë nënshkruar ndërmjet EU-së dhe Shtetit Zvicerian.  Sesa i diskutueshëm ka qenë ky votim, dëshmohet edhe nga raportimet e bëra pas këtyre votimeve nga gazeta prestigjioze « The Guardian », e cila cilësoi Shtetin Zvicerian si « Çerdhe e Nazizmit në Evropë ».


Si zakonisht, propaganda e partisë së lartpërmendur shoqërohet nga një fushatë e ashpër me plakatë parazgjedhore dhe me reklama në shtypin ditor, meqenëse reklamat politike në televizion dhe në radio janë të ndaluara me ligj.


Zgjedhjet parlamentare të këtij viti janë përsëri të mbizotëruara nga fuqia financiare e Partisë Popullore Zviceriane, e cila buron kryesisht nga miliarderi dhe kryeideatori i saj Christoph Blocher. Fushata e filluar në gusht të këtij viti ishte e dominuar nga pllakatet e partisë SVP që me një buxhet që vlerësohet të jetë mbi 30 milion franga Zviceriane, praktikisht e mbuluan Zvicrë). SVP jep sinjal për një politikë të dorës së ashpër, për ndalim të emigrimit dhe për dëbim.


Pas dy rasteve tragjike që ndodhën po ashtu në muajin gusht, dhe që përfunduan me vrasjen e dyfishtë dhe therrjen e një Zviceriani, akte këto të kryera nga dy shtetas shqiptarë nga Kosova, ilustrimet e botuara në shtypin ditor Zvicerian u "zbukuruan" me mbishkrimin "Kosovarët therrin Zvicerianët".


Ky mbishkrim është shëndërruar në "Kosovari therr Zvicerianin" pas reagimeve të shumta nga organizatat religjoze dhe ato joqeveritare si dhe pas refuzimit të disa gazetave për publikimin e këtij imazhi.


Në mbledhjën themeluese të Pikës së Aargaut, kjo ishte njëra nga temat e diskutuara. Ishte mendimi i të gjithëve të reagohet me një letër proteste drejtuar Ambasadorëve të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë që të gjithë Shqiptarë, për pasivitetin e tyre rreth kësaj çështjeje me arsyetimin se pllakatet dhe afishet sulmojnë në mënyre të vrazhdë një popull të tërë – shqiptarët e Kosovës.


 

Bajram Arifaj


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Zvicër


 

______________________________________________________________________________


Letër e hapur


I nderuari z. Ambasador,


 

Si anëtarë dhe aktivistë të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Zvicër, përmes kësaj letre ju drejtohemi për t’ju shprehur dëshpërimin, shqetësimin dhe indinjatën tonë të thellë, si pasojë e fushatës së egër dhe diskriminuese ndaj qytetarëve shqiptarë nga Kosova, e cila zhvillohet në kuadër të fushatës parazgjedhore, këto javët e fundit në Zvicër. Rrugët dhe mjetet informative janë mbushur me pllakata dhe artikuj, të cilët i etiketojnë të gjithë shqiptarët nga Kosova të vendosur në Zvicër, si kriminel, duke u bazuar në dy aktet e dhunës së ushtruar nga ana e dy shqiptarëve të Kosovës, në Pffäfikon dhe në Interlaken. Veprimet e turpshme dhe të izoluara nuk pasqyrojnë dhe as nuk përfaqësojnë qytetarët e Kosovës në Zvicër.


Kjo fushatë e prirë nga partia SVP, e cila për qëllime politike akuzon një popull të tërë, dhe ushqen vetëdijësisht tensionet dhe urrejtjen ndëretnike, dëmton rëndë imazhin e qytetarëve të Kosovës në Zvicër, shumica e të cilëve janë të integruar mirë në Zvicër. Jemi në pritje të një reagimi më të madh nga ana juaj, në institucionet përkatëse të Qeverisë Zviceriane. Deri më tani, asgjë nuk ndodhi dhe asnjë hap nuk është ndërmarrë. Përmes kësaj letre, kërkojmë nga ju një angazhim dhe një përkushtim më të madh, që të ndërmirren masat e duhura, për t’i dhënë fund kësaj fushate raciste.


Shpresojmë dhe mirëpresim që kjo kërkesë e jona, të hasë në mirëkuptimin tuaj, dhe presim nga ju që të kotribuoni për ta kthyer imazhin tonë dhe për ta mbrojtur dinjitetin e qytetarëve të Kosovës. Kemi dhënë dhe vazhdojmë të japim një kotribut të madh për mirëqenien dhe zhvillimin e Shtetit Zviceran, prandaj nuk meritojmë trajtim të tillë.


Duke ju falenderuar paraprakisht për përkushtimin tuaj rreth kësaj çështje.


 

Me respekt të madh,


 

Qendra Zvicër


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera