Nga konferenca për media e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan

26 Aug 2011

Sot, më 26 gusht, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan ka mbajtur konferencë për media. Kryetari i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Artanë, Lirim Gashi, ngriti shqetësimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për investimet dhe ndërtimet ilegale të Serbisë në oborrin e Kishës Ortodokse në Dragancë.   


Në fshatin Dragancë, rreth Kishës Ortodokse, Serbia këto ditë po ndërton objekte ndihmëse dhe murin e oborrit të Kishës pa leje ndërtimi, pa leje për investime, madje edhe pa i njoftuar organet komunale e as ato qendrore për investim dhe ndërtim .


Kryetari i Komunës së Artanës, aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! iu kishe thënë se askush nuk ka kërkuar leje për ndërtim në Komunë, e madje as nuk e ka njoftuar Komunën për punën që po e bënë Serbia bashkë me autoritetet kishtare atje.


“Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon nga organet kompetente komunale dhe qendrore, që menjëherë të ndërhyjnë dhe t’i ndërpresin këto punime ilegale që po bëhen rreth Kishës së Dragancës. Nëse Serbisë i lejohen investime pa kontroll dhe ndërtime pa leje, ajo mund të filloj ta ndërtojë edhe ndonjë bazë ushtarake brenda territorit të Kosovës”, u shpreh Gashi.


Lidhur me keqpërdorimet e fondeve publike si dhe korrupsionin në komunën e Gjilanit, foli kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në këtë Qendër, Ismajl Kurteshi. Ai foli për tenderin për rregullimin e Stadiumit të Qytetit, i cili është në kundërshtim me qëndrimin për reciprocitet dhe bojkot të mallrave e shërbimeve të Serbisë.


Javëve të fundit Komuna e Gjilanit i ka investuar rreth 200.000 euro në rregullimin e “Stadiumit të Qytetit”. Bazuar në informatat jozyrtare punët i ka krye një kompani nga Serbia. Nga Serbia është sjellë edhe bari i stadiumit në kohën kur i tërë vendi po angazhohet për reciprocitet dhe bojkotim të prodhimeve dhe shërbimeve nga Serbia. Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, e ka drejtuar një kërkesë zyrtare në zyrën e prokurimit në lidhje me këtë rast, dhe shpresojmë se shpejtë do ta kemi një përgjigje me shkrim por edhe respektim të vendimit të institucionet më të larta të Kosovës në lidhje me reciprocitetin dhe bojkotimin e mallrave nga Serbia.


Lidhur me shpenzimet e reprezentacionit, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, këto ditë  u ka kërkuar njëmbëdhjetë Drejtorëve të Drejtorive Komunale, Kryetarit dhe Zëvendës kryetarit të Komunës, që të na njoftojnë se sa kanë shpenzuar  gjatë vitit 2010, si dhe në gjashtë muajt e parë të këtij viti.  


“Bazuar në informatat që dihen deri tani,  shuma e shpenzuar për këtë qëllim është shumë më e madhe se shuma e lejuar. Jemi të informuar se Komuna ka hyrë në borxhe të mëdha në restorante të ndryshme, ku për pije e ushqime ka shpenzuar shumë”,  tha Kurteshi.


Duke folur për konkursin për pranim të kuadrit arsimor në Gjilan, Kurteshi kritikoi mënyrën e zgjedhjes së komisionit për intervistim.


“Para se të filloj intervistimi i atyre që kanë konkuruar në shkollat tona, Kuvendi Komunal unanimisht kishte votuar që kryetari i Komisionit të Arsimit të jetë anëtar i komisionit për intervistim. Këtë vendim të Kuvendit Komunal e ka zhvlerësuar Kryetari i Komunës duke dërguar në Komision të preferuarit e tij. Ky akt arbitrar i Kryetarit të Komunës sipas të gjitha gjasave do të pasohet me përzgjedhje arbitrare që do ta dëmtojnë cilësinë në arsim, siç që ka ndodhur edhe herëve tjera nga i njëjti”, u shpreh ai.


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera