Feronikeli, nga krenaria e komunës së Drenasit, në dëmtuesin më të madh të saj

26 Aug 2011

Më 24 gusht në orët e mbrëmjes, një shpërthim i fuqishëm i tronditi sërish banorët e Drenasit. Për herë të dytë brenda 3 muajsh ne kompaninë “Feronikeli” ndodhin shpërthime, me ç’rast rrezikohet jeta e punëtorëve, dëmtohet ambienti për rreth dhe menaxhmenti privat i kësaj kompanie nuk e sheh të arsyeshme të japë asnjë përgjegjësi.


Duke qenë një nga gjigantët ekonomik të Kosovës, me rezerva në vlerë afro 2 miliardë dollarë e me 2200 të punësuar, kjo kompani u shit për një shumë qesharake prej 33 milionë dollarësh. Për më tepër, si pjesë e kontratës ishte edhe furnizimi i saj me rrymë me çmim 30% më lirë se sa çmimi i tregut. Numri i punëtorëve u përgjysmua, ndërkaq ata që konsiderohen me fat se kanë mbetur, punojnë në kushte të vështira për punë dhe të pa mbrojtur nga ligji i punës.


Lëvizja VETËVENDOSJE! përkrah fuqishëm kërkesat e punëtorëve të “Feronikelit” duke ndarë gjithë brengat që i preokupojnë banorët e Drenasit në përgjithësi. Ne konsiderojmë se puna e këtillë e këtij kompleksi industrial është e papranueshme. Kjo kompani duhet të marrë përgjegjësinë për dëmet e shkaktuara, të bëj kompenzimin e të dëmtuarve dhe t’i plotësojë të gjitha standardet ndërkombëtare për ruajtjen e ambientit dhe mbrojtjen e punëtorëve që punojnë në të.


Për më tepër Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon nga ministritë përkatëse të qeverisë së Kosovës që ta mbikqyrin punën e “Feronikelit” dhe aplikimin e këtyre standardeve.


Lëvizjes VETËVENDOSJE! – Qendra Drenas

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera