Shkelje të mëdha nga Qeveria Komunale në Shterpcë

21 Jul 2011

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shterpcë shqyrtoi Raportin e Auditimit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat vjetore financiare të Komunës së Shterpces për vitin 2010 dhe me këtë rast vërejti një keq – menaxhim të theksuar dhe një dozë të lartë të jo-transparencës në të gjitha drejtoritë e Kuvendit Komunal te Shterpcës.


Gjatë shqyrtimit të raportit të auditorit të përgjithshëm shifet se të gjeturat dhe rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm nga viti 2007 e këndej nuk janë marrë parasysh dhe nuk është bërë asnjë përmirësim në fushat ku parregullsitë janë hasur gjatë kësaj periudhe.


Komuna nuk mban regjistra të ndarë për mjetet e saj themelore. Nuk ka fare evidencë për  verifikimin e ekzistencës fizike të këtyre mjeteve dhe nuk ka patur numërim fizik dhe barazim me librat e komunës. Me gjithë rekomandimet e dhëna nga ana e Auditorit të Përgjithshëm, Komuna nuk i ka implementuar detyrimiet e dala nga Udhezimi Administrativ 21/2009 dhe nuk ka ofruar një regjistër të kënaqshëm të aseteve fikse që i përkasin Komunës së Shterpcës.


Gjithashtu vërehet një mos respektim i ligjeve në fuqi nga ana e Komunës, sa i përket procedurave të prokurimit ku Auditorit të Përgjithshëm nuk i është ofruar asnjë raport i të gjitha kontratave që përfundojnë gjatë vitit 2010 dhe 2009, duke i renditur ato në bazë të vlerave të tyre dhe në përputhje me nenin 5 nga Rregullorja per Procedurat e Prokurimit. dhe 2009 edhe pse rekomandimi ju është dhënë edhe gjatë auditimit të fundit.


Një nga të gjeturat me flagrante të Auditorit të Përgjitshëm është identifikimi i 146 të punësuarve serbë në arsim dhe 7 serbë të tjerë të punësuar në departamentin e zjarrëfikësve lokalë, të cilët nuk kanë kontrata valide të nënshkruara. Edhe pse nuk kanë kontratë valide, atyre pagat u janë distribuar në mënyrë të rregullt, në xhirollogaritë e tyre nga ana e Komunës, edhepse asnjëri prej tyre nuk ka nenshkruar formularin e pranimit te pagave. Poashtu nuk ka një evidencë lidhur me orët e punës të nenshkruar, në bazë të të cilave Auditori i Përgjithshëm mund të bënte verifikimin se ata persona me të vertetë punojnë dhe egzistojnë. Përkundër rekomandimeve të dhëna nga ana e Auditorit gjatë auditimeve të mëparshme, komuna nuk ka siguruar kontratat dhe listat e pagave të këtyre punonjësve fiktivë dhe pse pagat e tyre vazhdojnë të tranferohen në llogaritë e tyre.


Gjatë testimit të dosjeve të punonjësve, jane identifikuar parregullsi edhe me dy punonjës te komunës, të cilët nuk kanë kontrata të rregullta dhe të vlefshme në dosjet e tyre gjatë periudhës në të cilën ata kanë marrë pagat e tyre.


Problem tjetër gjatë auditimit është hasja në mos barazim të rregullt mujor në mes departamenteve, të cilat mbledhin të hyra nga burimet vetanake. Edhe përkundër rekomandimeve nuk ka fare përmirsim dhe implementim të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi lidhur me këtë çështje.


Një fushë në të cilën janë hasur shkeljet me të mëdha është ajo e prokurimit, ku komuna nuk ka dënuar kontraktorët për mos kryerjen e punëve në afat të përcaktuar me kontratë dhe rekomandimet e bera nga Auditori nuk jane zbatuar. Gjetjet të cilat janë bërë këtë vit janë të shumta dhe shifet një përkeqësim  situatës sidomos në prokurim dhe në pagat dhe mëditjet e nëpunësve. Auditori ka konstatuar se pagat e stafit politik nuk janë distribuar në përputhje me Udhëzimin Administrativ 16-2008. Sipas këtij udhëzimi paga e kryetarit të komunës nuk mund të jetë mbi 900 euro, kur Kuvendi Komunal ka nën 21 këshilltarë, siç është rasti me komunën tonë. Nga gjetjet e Auditorit shifet se pagat e kryetarit dhe nënkryetarëve janë së paku 10% më të larta sesa parashihet me këtë udhëzim.


Tek prokurimi, komuna në shumë raste ka filluar procedurat pa zotimin paraprak te mjeteve, ndërkaq kontratat e prokurimit janë nënshkruar për shuma shumë më të larta sesa ato të aprovuara sipas buxhetit të komunës.


Duke patur parasysh të gjitha të gjeturat e Auditorit në Komunën e Shterpcës Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se janë bërë shkelje të mëdha të ligjit dhe abuzim flagrant të rregulloreve në fuqi.


Kjo udhëheqje komunale e përbërë nga koalicioni PDK-SLS  po funksionon në bazë të shkeljeve dhe abuzimeve me tatimet e qytetarëve, duke e praktikuar të njejtën politikë që e ushtrojnë edhe si koalicion në Qeverinë e Kosovës e në dëm të të gjithë qytetarëve të Kosovës.


Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon që këto shkelje dhe abuzime të ndalen dhe përgjegjësit për to të nxirren para drejtësisë.


Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Shterpcë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera