Komuna e Ferizajt qeveriset me modelin Thaçi

04 Jul 2011

Kryesia e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj shqyrtoi Raportin e Auditimit  të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat vjetore financiare të Komunës së Ferizajt për vitin 2010.


Raporti i Auditorit të përgjithshëm flet për një gjendje kaotike në fushën e menaxhimit të mjeteve dhe pasurisë së Komunës së Ferizajt.


Gjendja vlerësohet si kaotike për faktin që mungon çfarëdo kontrolli për të hyrat e Komunës, shpenzimet dhe pasurinë e Komunës së Ferizajit.


 

Më 17 Tetor të vitit 2008 në Komunën e Ferizaj është formuar Komiteti i Auditimit  me përbërje prej tre anëtarësh. Komiteti s’ka miratuar statutin e vet mbi detyrat dhe përgjegjësitë siç kërkohet në bazë të Udhëzimit administrativ U/A nr.11/2010. Një komitet i auditimit pa statut dhe pa përgjegjësi është një komitet që nuk ekziston, një komitet që nuk e kryen punën që i takon. Këtë e vërteton më së miri fakti se ky Komitet gjatë vitit 2010 ka mbajtur vetëm 3 mbledhje dhe nuk ka ndërmarr asnjë masë për të siguruar se të gjeturat dhe rekomandimet nga auditorët janë zbatuar nga drejtoritë përkatëse.


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj shtron pyetjen kujt i shërben mënjanimi faktik i Komitetit të Auditimit? Përgjigjja është e thjeshtë. Një veprim i tillë i shërben udhëheqjes së papërgjegjshme komunale e cila përmes këtij veprimi heq mundësinë për çfarëdo kontrolli në lidhje me mjetet financiare dhe pasurinë e Komunës së Ferizajit. Mënjanimi faktik i kontrollit mbi mjetet dhe pasurinë i hap rrugë keqpërdorimit dhe abuzimit me pasurinë qytetare.


 Aty ku nuk ka kontroll shtetëror, ka keqpërdorim, ka keqmenaxhim, ka abuzim.


Duke pasur parasysh që udhëheqja e Komunës së Ferizajt po përpiqet që t’i ikë çfarëdo kontrolli financiar, Lëvizja VETËVENDOSJE! i fton qytetarët, që ta njoftojnë Qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj për të gjitha shkeljet financiare, keqpërdorimin e buxhetit dhe pasurisë së Komunës për t’i publikuar ato dhe për ta ftuar udhëheqjen aktuale të jep përgjegjësi për çfarëdo shkelje dhe keqpërdorimi të mjeteve, pasurisë dhe detyrave të drejtuesve komunal.


 

Raporti ve në dukje që Komuna e Ferizajt nuk ka regjistër të pasurisë fizike. Kjo flet për një zot shtëpie që “nuk di” për thesarin që posedon. Pasuria për të cilin nuk dihet, sepse nuk është e evidentuar askund, nuk mund të përdoret. Kjo do të thotë që ajo përdoret nga persona apo subjekte të cilave nuk ju takon. Me fjalë të tjera ajo keqpërdoret përderisa nuk përdoret nga komuna. Se a ka kjo të bëjë me paaftësinë e udhëheqjes komunale për të menaxhuar  apo me një veprim te qëllimtë të udhëheqjes për të abuzuar me pasurinë e pa regjistruar qytetare është një pyetje të cilës udhëheqja komunale duhet ti përgjigjet urgjentisht.


Kryetari i Komunës së Ferizajt ka formuar me 21.12.2010 një komision për inventarizim. Tashmë ka kaluar me shumë se 6 muaj dhe komisioni nuk e ka kryer detyrën e vet.


 

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj kërkon nga udhëheqja komunale në afatin më afërt të dalë publikisht me regjistrin e pasurisë së komunës për t’i dhënë mundësinë edhe qytetarëve për të kontrolluar nëse kjo pasuri vërtet është regjistruar tërësisht. Derisa administrata komunale të mos publikojë regjistrin e pasurisë së Komunës ka mjaft arsye te besohet se me këtë pasuri po abuzohet.


Shumë shqetësues është fakti që përkundër rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm në vitin 2009 vetëm tri nga rekomandimet janë realizuar ndërsa për gjashtë rekomandimet tjera nuk është bërë asnjë veprim. Ky fakt flet për papërgjegjësinë dhe paaftësinë e udhëheqjes komunale për të bërë ndryshime pozitive në komunën tonë dhe për të ndërprerë keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e pasurisë qytetare. Qeveria komunale, në të gjitha segmentet që rrisin kontrollin ndaj pasurisë dhe  menaxhimit të mjeteve shënon ngecje.


 

Sipas këtij raporti Komuna ka dështuar në inkasimin e të hyrave. Drejtoria për Ekonomi, Financa dhe Buxhet ka pasë obligim që për vitin 2010 të inkasojë 258,871 euro, ndërsa ajo ka arritë ta realizojë planin e saj vetëm për 121,107 euro. Pra, të hyrat e komunës nga burimet vetjake janë më të ulëta për 137764 euro.


Kjo  qeveri shënon rritje te vazhdueshme dhe suksese të jashtëzakonshme vetëm në rritjen e kaosit dhe reduktimit të kontrollit shtetëror dhe qytetar ndaj mjeteve shoqërore.


 Komuna e Ferizajt nuk i ka përmbushur 6 rekomandimet e auditorit të përgjithshëm:


 ·        Forcimin e kontrolleve rreth menaxhimit të të hyrave nga prona publike;


    * Harmonizimet mujore në mes të të dhënave të drejtorive, regjistrave të bankës dhe librit kryesor (departamentit të Thesarit);


    * Zhvillimin e procedurave të prokurimit në përputhje me ligjet e aplikueshme;


    * Regjistrimin e plotë dhe të saktë të detyrimeve kontingjente dhe raportimin e tyre në Pasqyrat vjetore Financiare;


    * Regjistrimin e pasurisë jo financiare, siç kërkohet me UA Nr. 21/2009; dhe


    * Njësia e Auditimit të brendshëm të jetë më efikase.


 Sipas raportit Komuna ka ndërrmarrë procedura të prokurorimit publik të cilat nuk janë në pajtim me Ligjin mbi prokurorimin publik. Pra, komuna e ka shkelur ligjin. Ja disa shembuj:


    * Lidhja e kontratave pa zotim të mjeteve


    * Mungesa e sigurimit të ekzekutimit të kontratës


    * Lidhja e kontratave për projektet të cilat nuk kanë qenë të planifikuara me Planin e Prokurimit Publik


    * Mos arritja e realizimit të punëve sipas planit dinamik të paraparë më kontratë


 Kulmin e keqpërdorimit të mjeteve administrata e Komunës së Ferizajt e bën në prag dhe gjatë fushatës zgjedhore duke investuar gjatë kësaj periudhe mbi 60% të mjeteve për investime kapitale. Ky veprim është keqpërdorim i mjeteve të buxhetit të Komunës për  efekte të fushatës zgjedhore.


Kjo politikë që ndjek udhëheqja komunale ka bazat e sajë në politikën nacionale që udhëheq Kryeministri Thaçi i cili në të njëjtën mënyrë bëri keqpërdorimin e buxhetit të Kosovës përmes shtimit të rrogave në arsim, duke i përdor ato vetëm për efekte pozitive për fushatën.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera