Demokraci e drejtpërdrejtë

22 May 2011

Të rejat e procesit zgjedhor në Lëvizjen VETËVENDOSJE!


Procesi i zgjedhjeve të brendshme në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, të filluara më 15 prill të këtij viti, po zhvillohen në bazë të afateve kohore të parapara në planin e veprimit të këtij procesi. Nga 15 prilli e deri më 15 maj, në mbi 400 pika të Lëvizjes VETËVENDOSJE! anekënd Kosovës, nëpër fshatra e lagje të qyteteve, janë mbajtur mbledhjet zgjedhore në nivelin e parë organizativ. Tanimë aktivistët kanë zgjedhur kryesitë e Pikave si dhe delegatët e tyre për në Këshillat e Qendrave.


Procesi tashmë ka hyrë në fazën e dytë. Aktualisht janë duke u organizuar mbledhjet zgjedhore të Qendrave, për të zgjedhur Kryesitë dhe delegatët për në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Deri më 15 qershor do të mbahen mbledhjet zgjedhore në 28 Qendra brenda Kosovës si dhe në 6 Qendrat e Lëvizjes në diasporë.


Faza e dytë e zgjedhjeve në nivel qendrash ka filluar me mbledhjen zgjedhore e cila është mbajtur më 18 maj në komunën e Burimit. Delegatët e mbledhur kanë votuar për kryetarin e qendrës, për kryesinë, si dhe për delegatët e tyre për në Këshillin e Përgjithshëm. Deri më tani janë mbajtur edhe mbledhjet zgjedhore në qendrat në Artanë më 20 maj, në Vushtrri më 21 maj si dhe në Kaçanik e në Shtërpcë më 22 maj.


Kryetarët e zgjedhur nga votat e delegatëve në këto qendra janë:


Kryetari i Qendrës së Burimit – Skënder Shatri


Kryetari i Qendrës së Artanës – Lirim Gashi


Kryetari i Qendrës së Vushtrrisë – Xhemajl Pllana


Kryetari i Qendrës së Kaçanikut – Basri Kodra


Kryetari i Qendrës së Shtërpces – Faton Limani


Në fjalën e tij të rastit në mbledhjet zgjedhore, Albin Kurti ka përgëzuar aktivistët për angazhimin e deritanishëm, si dhe u ka bërë thirrje delegatëve që të zgjedhin përfaqësuesit për të cilët ata mendojnë se janë më të mirët dhe më të përkushtuarit në aktivitetin e tyre në Lëvizje. Ai ka theksuar se situata aktuale politike në Kosovë, kur priten kompromiset e para në negociatat e dëmshme me Serbinë është më e vështira që nga koha e pasluftës, dhe se Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes këtyre zgjedhjeve duhet ta forcojë organizimin për t’i ndalur proceset e dëmshme për Kosovën.


Zgjedhjet në nivelin e dytë pritet të përfundojnë më 15 qershor, për të kaluar më pas në nivelin e tretë organizativ, në Këshillin e Përgjithshëm.


Lëvizja VETËVENDOSJE! i fton delegatët dhe anëtarët e saj që të jenë të përkushtuar, në mënyrë që së bashku ta kalojmë provën e shtrirjes dhe të forcimit të organizimit politik dhe emancipimit nëpërmjet demokracisë së brendshme duke bërë të mundur përballjen sa më të mirë me sfidat që po na presin. Kurrë nuk kemi qenë më të fuqishëm se sa tani. Përgjegjësitë tona para qytetarëve janë tejet të mëdha, ndërsa përkushtimi dhe angazhimi ynë për realizimin e programit tonë të drejtë politik duhet të jetë mënyrë e të jetuari për ne. BASHKË NË ORGANIZIM, BASHKË NË DREJTIM!


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera