BASHKË NË ORGANIZIM, BASHKË NË DREJTIM!

07 May 2011

Lëvizja VETËVENDOSJE! është më e fortë se kurrë. Organizimi ynë politik është rritur e është zgjeruar. Kemi themeluar 28 Qendra me 400 Pika nëpër lagje qytetesh dhe fshatra në krejt Kosovën, dhe gjithashtu kemi themeluar edhe 6 Qendra të tjera jashtë Kosovës.


Më 15 prill në Lëvizjen VETËVENDOSJE! ka filluar procesi i zgjedhjeve të brendshme. Përkushtimi për realizimin e programit tonë politik nëpërmjet organizimit demokratik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, po konkretizohet nëpërmjet zgjedhjeve të brendshme, strukturimit, politikbërjes dhe vendimmarrjes direkte të aktivistëve.


Organet vendimmarrëse dhe ekzekutive të Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë duke u strukturuar në tre nivele nga baza drejt qendrës. Boshti që i mban këto nivele të lidhura me njëri-tjetrin është demokracia e drejtpërdrejtë. Në këto zgjedhje të para aktivistët po votojnë, për drejtuesit e strukturave të ndryshme për delegatët e tyre nga një nivel në tjetrin si dhe për Kryetarin e Lëvizjes.


Në nivelin e parë organizativ janë themeluar rreth 400 Pika të Lëvizjes VETËVENDOSJE! të shtrira nëpër lagje të qyteteve dhe në fshatra në tërë Kosovën, si dhe në diasporë. Brenda secilës Pikë zgjidhet Kryesia e Pikës (Kryetari, Nënkryetari, dhe Sekretari). Krahas kryesisë votohet edhe për delegatët e Pikës për në Këshillin e Qendrës – niveli i dytë organizativ. Numri i delegatëve për secilën Pikë është në proporcion të drejtë me numrin e anëtarëve të Pikës. Pra, sa më shumë anëtarë të ketë një Pikë, aq më fuqishëm do të jenë të përfaqësuar në nivelin e dytë organizativ. Njëkohësisht, Pikat po votojnë për të zgjedhur edhe Kryetarin e Lëvizjes.


Mbledhjet zgjedhore të Pikave po organizohen në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, nëpër ambiente publike, si dhe nëpër oda. Zgjedhjet e organizuara në oda, janë edhe më të veçanta kur në këto oda po votojnë dhe po zgjidhen edhe gra dhe vajza aktiviste të Lëvizjes.


Anëtarët e Lëvizjes po e ushtrojnë të lire vullnetin e tyre në këto zgjedhje dhe deri më tani nuk është raportuar për asnjë incident.


Procesi i votimit nëpër Pika do të mbyllet në datën 15 maj, pas të cilit do të fillojnë zgjedhjet në nivelin e dytë organizativ për të zgjedhur drejtuesit e Lëvizjes nëpër komuna dhe delegatët për në nivelin e tretë organizativ. I gjithë procesi i zgjedhjeve të brendshme do të përfundojë deri në fund të muajit qershor të këtij viti me themelimin e Këshillit të Përgjithshëm në nivelin e tretë organizativ.  


Anëtarët e Lëvizjes në të ardhmen do të votojnë edhe për çështjet më të rëndësishme të Lëvizjes siç mund të jenë dalja në demonstrata gjithpopullore apo koalicione të ndryshme me subjekte të tjera politike, në bazë të parimit një anëtar një votë.


Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje të gjithë anëtarëve të saj të vazhdojnë dhe të rrisin angazhimin e tyre brenda këtij procesi demokratik vendimtar për Lëvizjen tonë. I ftojmë të gjithë anëtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që ende nuk janë pajisur me kartela të anëtarësisë, që këtë ta bëjnë deri dy ditë para mbajtjes së mbledhjes zgjedhore në pikën të cilës i përkasin.


Të drejtat brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! duhet të përkthehen në përgjegjësi për secilin anëtar, në mënyrë që çdo anëtar të jetë vazhdimisht në angazhimin brenda Lëvizjes e në aktivitete për qytetarët. Duhet të përgatitemi për betejat që na presin. Koha nuk pret. BASHKË NË ORGANIZIM, BASHKË NË DREJTIM!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera