Qendra Fushë Kosovë: Neglizhenca e institucioneve u kushton qytetarëve me jetë

23 Oct 2016
Pas aksidenteve me fatalitet, të përsëritura në aksin rrugor Prishtinë-Pejë, afër fshatrave Vragoli dhe Miradi e Ulët, siç ishte ai i para dy ditëve , ku nga plagët e rënda nga goditja me makinë humbi jetën 62 vjeçarja Sabrije Gjyrevci, banorët e fshatit Miradi e Ulët protestuan sot duke e bllokuar rrugën për 30 minuta, nga ora 12:30-13:00. Fushë Kosova është i vetmi qytet përmes së cilit kalon një rrugë magjistrale në të cilën zhvillohet shpejtësi e lartë dhe nuk ka një unazë të qytetit. Me dhjetëra qytetarë kanë humbur jetën në pjesën e urbanizuar ku kalon kjo rrugë, ndërsa vendi më i pasigurtë është ai afër shkollës fillore “Mihail Grameno” ku ka lëvizje të shumta të nxënësve. Pasiguria e kësaj rruge afër fshatrave Miradi e Ulët dhe Vragoli, mungesa e nënkalimit apo mbikalimit dhe masave të tjera mbrojtëse është shqetësuese dhe sigurisht që nëse nuk intervenohet në të aksidentet do të përsëriten. Siç zakonisht ndodhë me pushtetet e PDK-LDK, banorët e fshatit edhe pse protesuan nuk i takoi askush nga zyrtarët përgjegjës, as nga Ministria e as nga Komuna. Përkundrazi e dërguan policinë për t’i disiplinuar ata. Kjo qasje e këtij pushteti në nivel qëndror po edhe në atë lokal nuk u jep shpresë qytetarëve se kërkesat e tyre do të plotësohen, andaj e vetmja rrugë për përmirësimin e gjendjes së tyre mbetet vetëorganizimi në protesta dhe forma të tjera të reagimit. Lëvizja VETËVENDOSJE!, Qendra në Fushë Kosovë i mbështet fuqishëm kërkesat e banorëve të fshatit Miradi e Ulët si dhe protestat e tyre dhe gjithashtu i bëjmë thirrjeve institucioneve gjegjëse që t’i përgjigjen kërkesave të qytetarëve ashtu siç e kanë  për detyrë dhe të intervenojnë me kohë para se të bëhemi dëshmitarë të ndonjë tragjedie tjetër pikërisht për neglizhencë të këtyre institucioneve. Me anë të kësaj komunikate, Lëvizja VETËVENDOSJE!, në Fushë Kosovë, u shpreh ngushëllime familjes Gjyrevci nga fshati Miradi e Ulët! Lëvizja VETËVENDOSJE!, Fushë Kosovë 23 tetor 2016

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera