Për buxhet komunal që fillon të orientohet kah qytetarët

07 Oct 2016
Dje në mbledhjen e Kuvendit Komunal në Malishevë është diskutuar dhe më pas është miratuar buxheti për vitin 2017. Miratimit të buxhetit i ka paraprirë një proces i gjerë diskutimesh përmes së cilave Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Malishevë, ka ndikuar dukshëm në orientimin e buxhetit kah kërkesat dhe nevojat qytetare, dhe i cili bazohet në shpërndarjen gjithëpërfshirëse, mirëqenien qytetare, sigurinë njerëzore, përkujdesjen ndaj kulturës dhe historisë së lavdishme të UÇK-së dhe dëshmorëve të saj, cilësinë në arsim dhe kujdesin ndaj nxënësve, përkrahjen në bujqësi dhe në infrastrukturën bazike, çështje këto të parapara edhe në alternativën tonë qeverisëse lokale. Angazhimi ynë ka qenë i drejtuar kah krijimi i parakushteve të domosdoshme për funksionim më transparent, llogaridhënës dhe profesional të institucioneve lokale duke filluar nga transmetimi i drejtpërdrejtë i seancave të Kuvendit Komunal dhe qasja në dokumente zyrtare e deri tek përfshirja e drejtë politike si dhe denoncimi dhe hetimi i rasteve të keqpërdorimeve dhe korrupsionit. Përpjekjet tona të vazhdueshme bënë që qytetarët e Malishevës të fillojnë të shihen në tërësinë e nevojave të tyre dhe jo vetëm si asfalt dhe kanalizim. Sot, pas shumë muajsh e vitesh angazhimi është arritur të futet në planifikimin buxhetor për vitin e ardhshëm sigurimi i shujtave për nxënësit e klasave të para deri në ato të pesta në të gjitha shkollat fillore të Komunës së Malishevës. Përveç kësaj, buxheti ka vazhduar të orientohet kah subvencionimi i bujqësisë dhe shëndetësisë, kurse theks i veçantë i është dhënë fushës së arsimit, kulturës dhe sportit, ku janë paraparë kabinete për shkolla, transport nxënësish, pasurim i fondit të librave në bibliotekën e qytetit, organizimin e panairit të parë të librave, fusha sportive, por në veçanti renovimin dhe përkujdesjen ndaj Varrezave të Dëshmorëve dhe të gjitha përmendoreve të tjera, përfshirë edhe hapjen e pjesës së muzeut për luftën e UÇK-së dhe dëshmorëve të saj. Në pjesën e investimeve infrastrukturore jemi angazhuar në qasjen e drejtë dhe gjithëpërfshirëse të investimeve ku përveç rrugëve, shkollave dhe kanalizimeve është arritur të adresohet siguria njerëzore që përfshinë trotuaret, ndriçimin dhe shenjëzimet rrugore duke sjellë në qendër të vëmendjes kujdesin ndaj fëmijëve, nxënësve dhe qytetarëve në përgjithësi. Sasia dhe cilësia e investimeve të deritanishme ka qenë larg nivelit të standardeve të kërkuara,për çka ne në vazhdimësi kemi ngritur zërin dhe kemi adresuar shkeljet. Qeveria lokale duhet të bëjë ndryshime radikale në përmirësimin e zbatimit të projekteve duke respektuar në mënyrë rigoroze kriteret dhe standardet e parapara ligjore dhe teknike-profesionale, gjithmonë duke ia bërë me dije që ajo do të bartë të gjitha përgjegjësitë për moszbatim dhe dështim. Ne mbesim të përkushtuar që bashkërisht me qytetarët të vazhdojmë të mbikëqyrim zbatimin e përpiktë të projekteve komunale që janë kërkesa dhe nevoja qytetare duke mos bërë kompromis me asnjë devijim apo ngecje nga zotimet e shprehura në buxhetin komunal për vitin 2017. Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Malishevë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera