Qendra Lipjan: Buxhet klientelist e aspak zhvillimor

29 Sep 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE! në Lipjan ka analizuar buxhetin e komunës së Lipjanit për vitin 2017, buxhet ky i cili u aprovua së fundi, e të cilin e vlerësojmë se është në kundërshtim të plotë me nevojat dhe kërkesat e vërteta të qytetarëve të kësaj komune. Buxheti i miratuar shprehë paaftësinë e qeverisjes aktuale për të adresuar drejtë dhe në mënyrë profesionale interesat e qytetarëve të Lipjanit për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, sikurse që e konfirmon qasjen klienteliste dhe keqmenaxhuese me pasurinë dhe financat publike të kësaj strukture qeverisëse në komunë e Lipjanit. Mëtej, buxheti i miratuar i është shprehje e dështimit për t’i përmbushur premtimet e dhëna para qytetarëve, e përshtatje ndaj nevojave dhe planeve elektorale të kryetarit aktual të komunës dhe partisë së tij, duke ishpërndarë shpenzimet pa kurrfarë analize paraprake dhe pa vlerësim të ndikimit të këtyre investimeve në mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të komunës. Kjo mënyrë e projektimit buxhetor, zbërthen qartazi qëllimet dhe prapaskenat e një plani, i cili në esencë ka blerjen e votës në formë institucionale dhe përmes buxhetit të komunës, duke tentuar të mashtrojë qytetarët me projekte tmerrësisht të vogla, të paqëndrueshme dhe larg zhvillimit lokal të mirëfilltë. Ky plan buxhetor nuk dallon nga buxheti i viteve të kaluara, ku ka mbizotëruar asfalti e betoni dhe mungesa e planeve zhvillimore në cilindo nga sektorët si: bujqësia, blegtoria dhe lavërtaria, përpunimi industrial i produkteve bujqësore, artizanateve, zejtarisë e industrisësë lehtë përpunuese. Përkundër premtimeve që kishte dhënë kryetari aktual, plani i buxhetit nuk përmban pothuajse asnjë investim serioz që do të tregonte se komuna është e orientuar drejt zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës, përmirësim të nivelit të edukimit dhe shkollimit, mirëqenies së qëndrueshme sociale, shëndetësisë, kulturës dhe pyllëzimin e hapësirave të lëna djerrinë nëpër lagje dhe fshatra. Sikurse edhe më parë për nga natyra e shpenzimeve, madje më keq, për nga arsyeshmëria e investimeve, qeverisja aktuale buxhetin e komunës që iu takon të gjithë qytetarëve përtej pikëpamjeve politike, e ka vënë tërësisht në shërbim të interesave elektorale dhe apartçikëve të saj partiakë. Me projekte mëhallash, siç janë 30 projekte për asfaltim rrugicash, ku nga shuma e përgjithshme prej  1,3 milionë eurove që janë dedikuar për asfaltim për të gjitha këto projekte, i bie qe mesatarja e gjatësisë sëasfaltit për një fshat do të jetë rreth 350 metra. Për më shumë, në asnjërën nga këto fshatra nuk përmendën emrat e rrugëve dhe as gjatësia e tyre, duke i lënë qëllimshëm hapësirë vetes që gjatë vitit të ardhshëm të kenë mundësi  që të bëjë pazare politike në këmbim të votave,tani kur po afrohen zgjedhjet lokale. Interesi i qytetarëve është që të realizohen projekte investive të nevojshme, që e përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve dhe ndikojnë direkt në zhvillimin ekonomik, por jo qëtë hedhen paratë në asfalte rrugicash, kur ende nuk është rregulluar ujësjellësi e kanalizimi në ato pjesë, për t’u demoluar më vonë të njëjtat rrugë në emër të infrastrukturës tjetër nëntokësore. Përfundimisht, projektbuxheti ka mangësi të shumta. që nga mungesa e specifikave dhe saktësisë së lokacionit të investimeve për projekte të veçanta,arsyeshmëria, e deri tek fokusimi vetëm në projekte të mëhallave mbi baza partiake, e përmes të cilave, pushteti aktual sikurse ai i kaluari po përpiqet që në njërën anë t’i mashtrojë qytetarët duke përfshirë investimeve kapitale me çmime qesharake, dhe në anën tjetër të shpërblejë militantët dhe funksionarët e afërt me kryetarin.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera