Fushë Kosovë: VETËVENDOSJE! paditë Komunën e Fushë Kosovës

08 Jul 2016
Mostransparenca dhe arroganca e Komunës së Fushë Kosovës ka marrë përmasa shqetësuese. Përpjekja për të marrë një informacion sado të vogël është bërë e pamundshme. Lëvizja VETËVENDOSJE!, për t`u siguruar që taksat e qytetarëve po investohen në mirëqenien e tyre, ka ndjekur të gjitha rrugët ligjore për të marrë informata mbi punën e komunës. Mirëpo Komuna asnjëherë nuk është përgjigjur në kërkesat për qasje në dokumente publike, të parashtruara nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe ato pak herë që është përgjigjur, përgjigjja ka qenë gjysmake, aq sa ju ka konvenuar atyre dhe duke mos dhënë asnjë informacion të rëndësishëm. Gjithashtu, përpjekje kemi bërë edhe përmes asmableistes tonë, Trëndelinë Duli, e cila ka më shumë se dy vite që ka bërë kërkesë, që në pajtueshmëri me Ligjin për Qeverisje Lokale dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit Komunal, të bëhet publikimi i audioinçizimeve të mbledhjeve të kuvendit, por Komuna ka vazhduar ta shkelë ligjin dhe rregulloren duke refuzuar t’i publikojë ato. Janë parashtruar me dhjetëra pyetje parlamentare e kërkesa për dokumente që poashtu asambleistja jonë ia ka drejtuar qeverisjes komunale por asnjëherë nuk ka marrë përgjigje. Për mosveprimet e komunës karshi përgjegjësive ligjore, ne i jemi drejtuar Institucionit të Avokatit të Popullit, i cili ka nxjerrë një Raport me rekomandime në lidhje me kufizimin e së drejtës në dokumente publike. Përkundër faktit që në Raport ishin konstatuar një sërë shkeljesh dhe me këtë rast Avokati i Popullit përpos që ka bërë konstatimin e gjendjes faktike dhe juridike në kuptimin e procedurave ligjore, i ka rekomanduar komunës që të na mundësojë qasje në dokumente të cilat kanë karakter publik, në përjashtim të atyre që janë të kufizuara me ligj. Përkundër rekomandimeve të IAP-së, komuna në vazhdimësi ka penguar qasjen në dokumente. Andaj, sot Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në Fushë Kosovë përmes Koordinatores Albana Gashi, duke u bazuar në dispozitën e Nenit 10, të Ligjit 03/L-215 për Qasje në Dokumente Publike, ka deponuar një padi në Gjykatën kompetente. Mbyllja e Komunës së Fushë Kosovës në njërën anë duke mos publikuar asnjë projekt, teder, kontratë, listë subvencionësh, leje ndërtimi dhe në anën tjetër parregullësitë, ndërtimet e egra, punësimet nepotike, janë bazë për dyshime që kjo komunë është zhytur në korrupsion e keqpërdorime. Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Fushë Kosovë denon këtë sjellje dhe mendësi korruptive dhe i bënë thirrje Prokurorisë së shtetit të nisë hetimet në këtë komunë.   8 korrik 2016 Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Fushë Kosovë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera