Shtime: Shpenzimi pa kontroll i parasë publike

01 Mar 2016
Në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal të Shtimes, ndër pikat e rendit të ditës ishte Raporti vjetor financiar për vitin 2015. Edhe në këtë raport si shumë të tjerë më herët, nuk kanë ndërruar politikat e gabuara të pushtetit aktual, i cili vazhdon të keqmenaxhojë paranë publike. Ky raport tregon rritje të shpenzimeve në kategori që do duhej të zvogëloheshin shpenzimet, për t’u drejtuar në sektor më të rëndësishëm që ndikojnë në mirëqenien e qytetarit. Nga 5 milionë e 794 mijë euro sa ka shpenzuar në total Komuna, më së shumti para kanë shkuar për derivate, mallra dhe shërbime, udhëtime e blerje tjera. Në këto kategori ka rreth 100 mijë euro më shumë shpenzime se në vitin 2014. Vetëm për derivate Komuna ka shpenzuar 99 mijë euro. “Shpenzime për shërbime”, ku nuk dihen çfarë shërbimesh, janë shpenzuar 92 mijë euro, si dhe nën emërtimin “blerje tjera” ku prapë nuk janë të specifikuara çfarë blerje janë shpenzuar 97 mijë euro. Në vazhdim janë edhe shpenzimet për udhëtime 14 mijë euro, për dreka zyrtare 22 mijë euro, blerje të mobileve 16 mijë euro, shërbimet e telekomunikimit 9 mijë euro, në marketing 5 mijë euro dhe shpenzimet e përfaqësimit 7 mijë euro. Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! përmes asambleistëve Yllka Fejzullahu dhe Labinot Beqa, kanë kërkuar llogari dhe sqarime për shpenzime që nuk janë të specifikuara qartë si dhe kanë dhënë propozime për zvogëlim shpenzimesh në disa kategori. Ekzekutivi nuk ka marrë parasysh kërkesat, sidomos propozimet për rritje të subvencioneve në bujqësi dhe ne sport. Është me rëndësi të thuhet se në bujqësi janë të ndara vetëm 27 mijë euro dhe për sport 25 mijë, ndërsa vitin e kaluar komuna vetëm për një veturë ka shpenzuar rreth 20 mijë euro. Me shpenzime të tilla të pakontrolluara, me moskujdes në kursim dhe drejtim të duhur të parasë publike, pushteti komunal vetëm po e thellon krizën dhe problemet që kane pllakosur jetën e qytetareve të Shtimes. Ky pushtet nuk duhet të shpenzojë paranë e qytetarëve si të ishte e saj, por t’i konsultojë dhe informojë qytetarët rreth shpenzimeve të parave të tyre. Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shtime, do të vazhdojë të kërkojë raporte të detajuara të shpenzimeve vjetore dhe të japë propozime konkrete në fusha të ndryshme që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarit të komunës sonë. Ne do bëjmë maksimumin tonë, që shpenzimet të mos shkojnë në qejfet e pushtetarëve por në nevojat e qytetarëve.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera