Mitrovicë: Problemet e njëjta edhe në vitin 2015

31 Dec 2015
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Mitrovicë, në kohë ndërrimi motmotesh, konstaton se pos ndërrimit të vitit, situata politike, ekonomike dhe sociale mbetet po e njëjta që e ka karakterizuar vite me radhë këtë Komunë. Mitrovica mbetet me shkallën më të lartë të papunësisë, me numrin më të madh të përfituesve të ndihmave sociale dhe problemin e theksuar të kthimit të shqiptarëve në pronat e tyre në pjesën veriore të qytetit dhe urën e barrikaduar edhe me ndihmën ndërkombëtare. Në pjesën veriore në vend të shpërbërjes kemi forcimin dhe legjitimimin e strukturave paralele, kolonizimin e veriut me lagje të reja të investuara nga Qeveria e Serbisë ndërsa në anën tjetër pengimin e shqiptarëve në rindërtimin e shtëpive në pronat e tyre. Gjykata Komunale akoma funksionon në Vushtrri edhe pse në Mitrovicë paguhet qiraja për objektin e zbrazët. Nga të premtuara 15.000 vende të reja pune, sipas statistikave të ATK del se ka vetëm zvogëlim të numrit të punësuarve. Nuk ka akoma asnjë investitor të jashtëm dhe investim serioz edhe pse 18 muaj kemi funksionale Zonën Industriale në Frashër. Regjioni i Shalës nga atraksioni I premtuar turistik ka mbetur edhe më i izoluar dhe braktisur e pa asnjë perspektivë. Qeverisja komunale më shumë është marrë me veten dhe rehatimin e militantëve partiak dhe familjarëve të tyre se me zgjedhjen e halleve të qytetarëve të saj. Ka treguar papjekuri të skajshme dhe jostabilitet të theksuar me ndërrime të shpeshta të drejtorëve pa ndonjë arsyetim apo vlerësim. As investimet nga BE nuk ecin fare në Mitrovicë. Renovimi i Hallës së Sporteve “Minatori” nuk ka përfunduar as pas 4 viteve dhe ekipet tona të sporteve me dorë pos që ndeshjet dhe stërvitjet i zhvillojnë nëpër qytetet tjera, në të njëjtën kohë kanë humbur edhe shumë gjenerata të reja për shkak të mungesës së sallës. E njëjta gjendje është edhe me sallën e re multifunksionale “Omikron” dhe Qendrën Tregtare Afariste në ish parkun e qytetit, stadiumin ndihmës në Fidanishte, sanimi i urës së Ibrit dhe shëtitoren e qytetit. Kanë ngecur po ashtu punimet edhe të liqeni artificial që është projekt i Qeverisë. E sa janë të interesuar për Mitrovicën tregon kohëzgjatja e punimeve në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë. Lëvizja VETËVENDOSJE! në Mitrovicë, gjatë vitit 2015 ka qenë mjaft aktive në nivelin lokal, brenda Kuvendit Komunal por edhe jashtë saj. Kemi arritur që në projekt Buxhetin për vitin 2016 të zë vend edhe furnizimi i të gjithë nxënësve në klasat 1-5 me kifle që reflekton barazi dhe solidaritet për të gjithë pa marr parasysh gjendjen sociale dhe bindjet politike të prindërve të tyre. Nuk na është lejuar që ta fusim në rend dite Aprovimin e Deklaratës kundër Marrëveshjes për “Zajednicën” dhe e cila së fundmi doli antikushtetuese edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese e cila me siguri se do të mbetet në ndërgjegjen e gjithë asambleistëve tjerë të Kuvendit Komunal. Lëvizja VETËVENDOSJE! si në nivelin lokal e po ashtu edhe në atë qendrorë, mbetet e vetmja shpresë për qytetarin tonë për një jetë më të mirë dhe të dinjitetshme. Andaj i falënderojmë të gjithë ata që na kanë mbështetur dhe ndihmuar në aktivitetet e deritanishme si dhe bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që janë pakënaqur dhe kërkojnë ndryshime radikale pozitive të bashkohen rreth Lëvizjes dhe të jemi gjithë së bashku në këto momente kur po ndërtohet Republika për të gjithë, republikë e së Drejtës, sundimit të ligjit, barazisë dhe dinjitetit. Të gjithë qytetarëve të Mitrovicës por edhe mbarë Republikës së Kosovës iu urojmë Vitin e Ri 2016 me shpresë që të jetë vit i kthesës historike dhe i angazhimit qytetar që do të rezultojë me një qeverisje dhe qasje të re në skenën tonë politike.   31 dhjetor 2015 Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Mitrovicë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera