Vushtrri: Vazhdon keqqeverisja e Bajram Mulakut

30 Dec 2015
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Vushtrri shpreh shqetësimin e saj dhe të qytetarëve të Vushtrrisë për vazhdimësinë e keqqeverisjes nga kryetari Bajram Mulaku. Qeverisje kjo, e cila 8 vitet e fundit, ka treguar se ky në asnjë moment nuk kishte prioritet interesat e qytetarëve dhe mirëqenien e tyre, por vetëm rehatinë e militantëve partiakë, si dhe të klaneve e kompanive të afërta me PDK-në. Qytetarëve të Vushtrrisë vazhdon t’iu rëndohet gjendja ekonomike e sociale, ndërkohë që drejtorët e komunës dhe bizneset e afërta me pushtetin vazhdojnë të shënojnë rritje në pasuritë e tyre personale. Për rrjedhojë, derisa qytetarët nuk kanë ujë të pijshëm, kompania ndërtuese “Rrukolli”, e afërt me pushtetin, vazhdon t’i marrë tenderët kryesorë në komunën tone, siç e mori edhe tenderin për ndërtimin e fabrikës për përpunimin e ujit në fshatin Balincë, ndonëse nuk kishte asnjë përvojë paraprake në këtë fushë. Dhe si përfundim, as pas 4 vitesh kjo fabrikë nuk është funksionale. Në anën tjetër, kompania “Ariani”, pronë e familjes së drejtorit të Infrastrukturës, ka arritur majat e zhvillimit të saj duke ndërtuar me dhe pa kritere urbanistike paralelisht me kompaninë e familjes së kryesuesit të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, Shpëtim Zhegrova. E po ashtu, ngulfatjen e qytetit me ndërtime dhe blerje pronash, ndotje të ambientit me produkte gjaku nga thertorja në lumin “Sitnica” dhe djegie mbeturinash biologjike në ambient të hapur ‘përkujdeset’ kompania “Apetit-Group”, kompani tjetërt e afërt me pushtetin. Raste si këto, janë tregues se qeverisja lokale e Mulakut nuk është në shërbim të komunitetit lokal dhe qytetarëve, por në shërbim të klaneve dhe kompanive “Rrukolli”, “Ariani”, “Zhegrova”, “Apetit-Group”, “Ura e Gurit” e të tjera. Dhe në këtë mandate, kjo thuajse është legalizuar pasi që kryetari Mulaku, shefat e këtyre kompanive i ka emëruar në funksione të larta, madje edhe si drejtorë nëpër drejtoritë komunale dhe si kryesues Kuvendi. Kompanitë “Rrukolli” e “Ariani” kanë monopolin mbi projektet infrastrukturore. “Apetit-Group” dhe “Ura e Gurit”, kanë monopolin e organizimit të drekave dhe darkave luksoze, me çfarë Vushtrria ka dalë komuna e 4-të në Kosovë për shpenzime luksi. Dhe veç kësaj, tenderin për ndarjen e lopëve qumështore (që kanë rezultuar të sëmura) i është dhënë mu kompanisë “Apetit Group”.E për  t’iu ndihmuar të zhvillojnë bizneset e tyre private, komuna shpronëson pronën publike dhe ua falë atë këtyre kompanive. Përveç dallavereve me tenderë, Vushtrrinë e karakterizon gjendje e rëndë në çdo sektor. Hiç më mirë nuk qëndron puna as në sektorin e shëndetësisë, ku edhe në këtë vit, sikurse edhe gjatë tetë viteve të kaluara,  ka pasur mungesa të mëdha të furnizimit me barna, qofshin ato edhe për rastet emergjente. Po ashtu, këtë vit nuk kishte ekipe mjekësore që të kujdeseshin për të sëmurët e palëvizshëm dhe në gjendje të rëndë që nuk mund të dalin nga shtëpia. Ndërsa, shërbimi i stomatologjisë që do të duhej të funksiononte 24 orë, aktualisht funksionon me vetëm 8 orë Keqpërdorimet dhe parregullsitë kanë vazhduar edhe në Drejtorinë e Arsimit, ku edhe në këtë vit kanë vazhduar punësimet klienteliste nëpër shkollat e komunës së Vushtrrisë, përkundër reagimeve që LVV i ka bërë në vazhdimësi. Nepotizmi dhe klientelizmi nëpër konkurset e shpallura, si për mësimdhënës, drejtorë të shkollave dhe stafit teknik edhe këtë vit ka vazhduar me praktikat e vjetra. E rregullorja për ndarje të bursave për studentët e komunës së Vushtrrisë, ka mbetur e njëjtë, edhe përkundër reagimeve dhe propozimeve që janë dhënë nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Ndërsa, pavarësisht që kryetari Mulaku pati premtuar ndërtimin e disa çerdheve të reja në mandatin e tij të III-të,  Komuna e Vushtrrisë vazhdon të mbetet me vetëm një çerdhe publike. Dështimet kanë qenë të theksuara edhe në sektorin e Sportit dhe të Kulturës. Përkundër premtimit për përkrahje të sportit nga ana e pushtetit lokal, gjendja në klubet sportive të qytetit është duke u përkeqësuar çdo ditë e më shumë. Klubi futbollistik “Kosova e Vushtrrisë”, e cila vitin e kaluar ka qenë kampione në Superligën e Kosovës, sivjet rrezikon mbetjen në Superligë. E pothuajse në të njëjtën gjendje qëndron edhe “K.H Kosova Vushtrri”, e cila me vite të tëra ishte kampione e Kosovës. E rasti më dokumentues i gjendjes mjeruese në sportin vushtrrias është palestra “Jeton Tërstena – Tota”, ku për shkak të kushteve të rënda, nuk ka mundur të zhvillohet ndeshja e karakterit ndërkombëtar ndërmjet skuadrës kroate “Zelina” dhe “Kosovës së Vushtrrisë”, takim i cili është dashur të zhvillohet në Prishtinë. E për më keq. “K.H “Kosova e Vushtrrisë” është në gjendje të rëndë financiare, gjë që mund të çojë në shuarje të klubit. Dështim i madh në këtë sektor është premtimi për ndërtimin e palestrës sportive në fshatin Samadrexhë, që as që ka filluar së realizuari. Ndërsa në anën tjetër, plani për ta rrëzuar Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina” veçse ka filluar të realizohet, duke filluar me rrënimin e shkallëve në hyrjen kryesore të saj.  E degradimi i kulturës dhe tendenca pëe shuarjen e “Ansamblit të Këngëve dhe Valleve”, është një argument më tepër për antivlerat kulturore dhe dështimet e kësaj qeverisje, gjëra që e karakterizuan edhe këtë vit. E si në të gjithë sektorët, parregullsi ka pasur edhe në Drejtoratin e Bujqësisë. E më së miri këto vërehen në shpërndarje të subvencioneve dhe donacioneve pa kritere., ku shumica e subvencioneve janë dhënë në baza partiake e militanteske. Ndërsa, tjetër çfarë e ka karakterizuar këtë sektor është edhe shpërndarja e gjedheve të sëmura, sikurse edhe koshereve me bletë të infektuara dhe mjedrave të infektuara. Me gjithë këto dështime, në secilën fushë, e pa asnjë sukses të vetë, Bajram Mulaku dhe qeverisja e tij nuk gëzojnë aspak legjitimitet për të qëndruar më në krye të udhëheqjes komunale të Vushtrrisë. Dhe si përfundim, ata qysh në fillim të vitit 2016, duhet të largohen nga pushteti dhe t’i lënë vendin një qeverisje të drejtë dhe me alternativë.   30 dhjetor 2015 Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Vushtrri

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera