Qendra Suedi: Tërheqje nga marrëveshjet e jo arrestime politike

01 Dec 2015
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Suedi është duke i përcjellë me shqetësim ngjarjet e fundit politike në Kosovë. Qendra jonë kërkon nga Qeveria e Kosovës që sa më parë t’i tërheq nënshkrimet nga marrëveshja për “Zajednicën” dhe marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi. Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në krye me shefin e SHIK-ut, Kadri Veselin, nuk duhet të thërras seanca pa u tërhequr nënshkrimet. Nuk janë seanca normale ato kur Parlamenti i Kosovës rrethohet me mijëra policë e ushtarë të KFOR-it, ndërsa deputetëve të opozitës u shqiptohen masa suspendimi. Ky pushtet policor ka arrestuar pesë deputetë të opozitës, qindra aktivistë dhe është në përndjekje edhe të deputetëve e aktivistëve të tjerë të opozitës. Pamjet e demolimit të zyrave të subjektit më të madh parlamentar që i kemi parë me 28 nëntor, janë pamje që nuk ndodhin në vende demokratike por vetëm në ato totalitare e diktatoriale. Ne i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës që t’i refuzoi urdhrat për arrestime politike nga politikanët e korruptuar. Po ashtu, ne i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës që të mos ushtroj dhunë ndaj popullit shqiptarë që po protestojnë kundër kthimit të Serbisë në Kosovë. Policia e Kosovës duhet t’i refuzojë urdhrat e atyre që para pak ditësh i dënuan me 9 vite burgim disa pjesëtarë të saj për shkak të ”keqatrajtimit ndaj truprojave të Vulinit”. 200 000 nënshkrime kundër këtyre marrëveshjeve, 35 000 protestues paqësor dhe më shumë se 77% e qytetarëve janë shprehur kundër këtyre marrëveshjeve. Është momenti i fundit që pushteti Mustafa-Thaçi të reflektoi dhe të tërhiqen nga marrëveshjet. Ne po ashtu kërkojmë lirimin sa më të shpejtë dhe të pakusht të të gjithë aktivistëve dhe të deputetëve të opozitës. Përmes këtij reagimi, ne shprehim solidaritetin tonë me të gjithë ata që janë kundër këtyre marrëveshjeve dhe që po angazhohen që këto marrëveshje të mos realizohen.   1 dhjetor 2015 Lëvizjes VETËVENDOSJE! – Qendra Suedi

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera