14 06 2019

Afera SHAHINI, zv.Kryeministri Hoxhaj dhe dëmi për Sigurimet Shëndetësore

Prej një dekade premtohen sigurimet shëndetësore publike. Bashkë me to dhe finalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor. Në vitin 2016, Lëvizja VETËVENDOSJE! denoncoi aferën e sistemit informativ shëndetësor, ku përveç të tjerëve përgjegjës për abuzimin me fondet e dedikuara ishte Ymer Shahini, kunati i Enver Hoxhaj, aktualisht zv.Kryeministër dhe nënkryetar i PDK-së.

Atëbotë, pas denoncimit tonë, z. Hoxhaj pati dalë publikisht duke e shfajësuar kunatin e tij, lidhur me këtë aferë i cili njëkohësisht ishte një i kërkuar nga drejtësia e Shteteve të Bashkuara. Madje, ai pati akuzuar Lëvizjen për shpifje dhe “fashizëm politik”.

Para tre ditësh Shahini, nënshkruesi i kontratës për SISH me Ministrinë e Shëndetësisë, u arrestua pas për ekstradim në SHBA ku akuzohet si pjesë e skemës së mashtrimit financiar. Ai qëndronte i fshehur dhe i mbrojtur në Kosovë. Atë asnjëherë nuk e intervistoi apo kërkoi Prokuroria e Kosovës për aferën e Sistemit Informativ Shëndetësor.

Përveç denoncimit publik morëm iniciativë edhe në Kuvendin e Kosovës duke i hapur rrugë Auditorit të përgjithshëm që të shqyrtonte këto kontrata. Rezultati ishte se paratë, mbi 20 milionë, një pjesë nga buxheti dhe një pjesë si donacion nuk kishin dhënë rezultat. Pra, prej vitit 2009 deri në vitin 2018 çdo vit është buxhetuar për këtë sistem deri në 5.600.000 në vit, dhe nga donatori deri në 20 milionë për të gjithë projektin.

Afera Shahini së bashku me Aferën Spitali implikojnë drejtpërdrejt drejtuesit e PANkoalicionit. Kryetari dhe Nënkryetarët e PDK-së, me pozicione drejtuese në Kuvend dhe Qeveri kanë penguar hetimet për këto raste dhe janë duke penguar zhvillimin e sistemit shëndetësor publik.

Uran Ismajli, ministër i shëndetësisë dhe nënkryetar i PDK-së, jo vetëm nuk po punon për të jetësuar Sistemin Informativ Shëndetësor, por ka hequr dorë plotësisht prej këtij detyrimi. PANministri në vend se të distancohej e të denonconte keqpërdorimet, ka vijuar me një tjetër tender, në vlerën 2.5 milionë euro për tani Fondin e Sigurimeve shëndetësore. Sipas nesh një afere e re duket në horizont.

Ende kryeprokurori nuk ka iniciuar asnjë hap për ta adresuar këtë aferë multimilionëshe që e ka lënë Kosovën si para dy shekujsh, pra pa Sigurime Shëndetësore. Edhe pse lënda për këtë rast ka qenë tek prokurori Shkëlzen Ibrahimi, asnjëherë nuk u zgjeruan e thelluan hetimet.

Doktor Jusuf Ulaj dhe doktor Mirsad Shkreta nga Komiteti për Shëndetësi risollën në vëmendjen e publikut këtë aferë, detajet dhe dëmet që ende po vijojnë në kurriz të qytetarëve të Kosovës.

Sistemi informativ shëndetësor është parakusht për Sigurimet Shëndetësore. Sigurimet janë jetike për vendin tonë. Ato ndihmojnë më të varfrit dhe parandalojnë skemat korruptive e abuzive në spitale.

Prokuroria duhet të hetojë. Përgjegjësit duhet të jenë para drejtësisë dhe buxhetit duhet t’i kthehen paratë e humbura duke ia sekuestruar ato dëmtuesve.

Kontribo

LAJMET E FUNDIT