27 02 2015

Albin Kurti, pret në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, z. Ditmir Bushatin

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti, i shoqëruar nga Puhie Demaku, Sekretare për Marrëdhënie me Jashtë dhe Glauk Konjufca, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kanë pritur sot në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, delegacionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, prirë nga Ministri z. Ditmir Bushati, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, Drejtori i Kabinetit të Ministrit, Pirro Vengu, Drejtor i lartë në Ministri, Bashkim Rama, e të tjerë .

Në takimin e përbashkët u diskutua për aktualitetin politik në Kosovë dhe për qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në raport me këtë aktualitet politik. Kurti tha se temat që do të kryesojnë agjendën politike në Kosovë për muajt e ardhshëm janë Trepça, Gjykata Speciale, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe energjia e ndërtimi i termocentraleve te reja.

Temë e veçantë e takimit ishte bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Shqipërisë në disa fusha, si institucionale, politike, ekonomike, arsimore, sociale etj, ku të dyja vendet do të mund ta plotësonin njëra tjetrën.

Z. Kurti e njoftoi Ministrin Bushati edhe për ndryshimet brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! si organizatë dhe për sfidat që e presin lidershipin e ri të Lëvizjes, si dhe rolin që Lëvizja VETËVENDOSJE! e luan në zhvillimet politike si opozita kryesore në vend, brenda Kuvendit dhe jashtë tij.

27 shkurt 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo

LAJMET E FUNDIT