02 06 2010

Autonomia-

Për të kuptuar drejt se çfarë procese politike po ndodhin aktualisht në Kosovë si dhe për të depërtuar në përmbajtjen negative të tyre, minimalisht është i domodoshëm zbërthimi i dy faktorëve. Së pari, fatkeqësisht, duhet t’i lexosh me vëmendje planet e Serbisë për/kundër Kosovës. Së dyti, duhet analizuar thelbi dhe struktura e pushtetit politik antidemokratik në Kosovë. Si rrjedhim, s’ka se si të mos vihet re një korelacion i lartë ndërmjet natyrës së regjimit politik dhe përmbajtjes së planeve politike të cilat po realizohen në Kosovë.

Që prej fillimit të negociatave, qeveria serbe e Koshtunicës ka dalur me një ofertë të qartë para bashkësisë ndërkombëtare për “zgjidhjen” e statusit të Kosovës. Ky projekt serb u quajt “Autonomi përbrenda autonomisë”. Kjo do të thotë: autonomi e territoreve të banuara prej serbëve në Kosovë, përbrenda Kosovës si autonomi nën Serbi.

Gjatë pjesës së parë që përfshiu 15 raunde negociatash të zhvilluara në Vjenë, njëri prej planeve themelore të qeverisë serbe ishte i ashtuquajturi “decentralizim, me anë të të cilit synohej legalizimi i enklavave ekzistuese, zgjerimi i tyre, krijimi i komunave të reja serbe, lidhjet e tyre horizontale mes vete dhe vertikale me Beogradin, me fjalë të tjera – krijimi i entitetit autonom territorial serb përbrenda Kosovës, entitet ky i kontrolluar nga Serbia. Dokumenti që doli si rezultat i këtyre negociatave është Pakoja e Ahtisaarit që e kodifikon decentralizimin kontitucionalisht. ¾ e Pakos së Ahtisaarit kanë të bëjnë me decentralizimin. Prandaj në pjesën e parë të negociatave mund të thuhet lirisht që u realizua pjesa e parë e projektit serb, pra, autonomia e territoreve serbe përbrenda Kosovës.

Pikërisht ngaqë u realizua vetëm gjysma e projektit të saj, Serbia kërkoi negociata shtesë. Negociatat 120 ditëshe do të shfrytëzohen për ta realizuar pjesën e dytë të projektit serb – Kosovën si autonomi nën Serbi. Autonomi e cila do ta kishte një autonomi tjetër përbrenda. Prandaj, kjo autonomi si status është një autonomi minus.

Në vazhdën e këtyre përpjekjeve, kohëve të fundit është vërejtur një ndërmarrje ndërkombëtare për krijimin e një qëndrim homogjen ndërkombëtar, serb dhe kosovar për mosshpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës.

Gjatë viteve ’90, bashkësia ndërkombëtare përkrahte ato forca politike kosovare të cilat ishin të gatshme t’i nënshtroheshin Serbisë pa luftë të armatosur. Prandaj një herë a dy herë në vit e ftonin Ibrahim Rugovën në takime formale në Uashington e Bruksel, sa për një shkëmbin fotografish me udhëheqësit amerikan e evropian, të cilat imazhe e mbanin popullin e Kosovës nën iluzionet e ardhjes së pavarësisë. Sot, këtë vend e ka zënë Hashim Thaçi, i cili para pesë muajsh e ka paraqitur qartë ofertën e tij para bashkësisë ndërkombëtare, kur tha që nuk bën të ketë shpallje të njëanshme të pavarësisë së Kosovës (versioni diplomatik i këtij qëndrimi është: “nuk do ta shpallim pa miqtë tanë ndërkombëtarë”). Kjo është arsyeja pse ai para ca ditësh u ftua nga Havier Solana, Përfaqësues i Lartë i BE-së për Politika të Jashtme dhe Siguri. Të nesërmen ai ftoi në takim edhe Vojisllav Koshtunicën. Në po të njëjtën kohë, ish përfaqësuesi i BE-së për Kosovën gjatë negociatave të Rambujesë, Wolfgang Petritsch, lansoi tezën sipas të cilës pavarësimi i Kosovës do të ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Pra, po synohet krijimi i qëndrimeve të njëjta përbrenda bashkësisë ndërkombëtare, Serbisë dhe Kosovës që të pengohet pavarësia, të kemi bisedime tjera dhe, në këtë mënyrë, të shkohet drejt një zgjidhjeje, e cila nuk do ta prishte dhe nuk do të ishte në shpërputhje me të drejtën ndërkombëtare. E, me të drejtën ndërkombëtare formale është në përputhje vetëm autonomia e Kosovës. Kjo është arsyeja pse, duke u përpjekur të qëndrojnë ekskluzivisht nën koordinatat aktuale të së drejtës ndërkombëtare, tash së fundi dëgjuam, madje, edhe një propozim të çuditshëm ndërkombëtar për njëfarë “pavarësie” të Kosovës nën Rezolutën 1244, e cila Serbisë ia ruan sovranitetin!

Kosova mund ta kapërcejë këtë kornizë të ngurtë formale të së drejtës ndërkombëtare nëse përpjekja për liri shndërrohet në ndërmarrje kolektive për dekolonizim nga Serbia, e cila e okupoi ushtarakisht Kosovën më 1912. Kurse të gjitha propozimet e deritashme ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe intervenimin e NATO-s, nuk kanë tejkaluar nivelin e problematikës së të drejtave individuale të njeriut. Pakoja e Ahtisaarit përmend vetëm shtypjen e shqiptarëve në kohën e Milosheviqit, por jo edhe pushtimin e dhunshëm të Kosovës nga Serbia. Kjo është arsyeja pse lufta çlirimtare është degraduar në një orvatje për përmirësimin e të drejtave të mohuara të shqiptarëve prej Milosheviqit. Por, Milosheviqin e rrëzuan, kështuqë tash, thonë përfaqësuesit ndërkombëtar, nuk ka pengesa serioze për bashkëjetesë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në një entitet të përbashkët. Fitorja e vërtetë vjen atëherë kur të jemi në gjendje ta imponojmë problemin tonë si çështje e lirisë kolektive, e jo si problematikë e të drejtave individuale të njeriut. Liria kolektive e ka emrin vetëvendosje. Pa liri kolektive, nuk ka të drejta individuale.

Kontribo