01 06 2010

Borxhi i pashlyeshëm

Para pak ditësh, në një nga gazetat tona të përditshme, gjersa po lexoja një shkrim në të cilin bëhej një vështrim sipërfaqësor i ndarjes së trojeve shqiptare, veçova këtë fjali, e cila në të vërtetë e përmbante theksin e këtij shkrimi: “Kosova pret që deklarimet zyrtare të shteteve kryesore të BE-së të firmosen prej tyre, dhe me këtë e quan tërësisht të shlyer ‘borxhin’ evropian ndaj saj.”! Për shkak se është fjali përmbajtësore e tërë shkrimit, do të merrem vetëm me të, përkatësisht me pjesën e dytë të kësaj fjalie, pra me atë pjesën më të çuditshme, përveç tjerash, për dy arsye themelore: e para pse është pohim i padrejtë (sepse është pohim i pasaktë); dhe e dyta sepse është shqiptuar nga një personalitet i cili kishte qenë një nga figurat kyçe të UÇK-së, tani deputet në parlamentin e Kosovës. Duke e ditur rolin e tij gjatë luftës së UÇK-së dhe duke e pasur të njohur qëllimin kryesor të kësaj lufte, nuk mund të mos isha i çuditur gjersa lexoja shkrimin, e veçanërisht fjalinë e sipërtheksuar. E si të mos isha i çuditur?

Sikundër dihet tani më botërisht, nëse flitet për borxh, Evropa iu ka hyrë në borxh shqiptarëve shumë herë deri më tani gjatë hisorisë, por më dëmsjellëse kanë qenë forumet politike ndërkombëtare, si Kongresi i Berlinit (1878) dhe Konferenca e Londrës (1912-1913), me ç’ rast më shumë se gjysma e trojeve etnike shqiptare dhe më shumë se gjysma e popullit shqiptar u lanë jashtë Shqipërisë! Me lënien e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, Evropa nuk i ka hyrë në borxh vetëm shqiptarëve që kanë mbetur jashtë shtetit të tyre, por edhe shqiptarëve që kanë mbetur brenda shtetit shqiptar. Me lënien e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, Evropa nuk i ka hyrë në borxh vetëm shqiptarëve të Kosovës, e aq më pak të kësaj Kosove të sotme, dukshëm më e vogël se Kosova e dikurshme, por edhe shqiptarëve kudo në trojet e tyre etnike. Me lënien e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, Evropa nuk i ka hyrë në borxh vetëm shqiptarëve të tanishëm por edhe shqiptarëve të mëparshëm – breza e breza të tërë të cilët qoftë si luftëtarë – që u bënë dëshmorë a mbetën heronj të përjetshëm, ashtu edhe të tjerë – që u bënë martirë a u syrgjynosën në forma të ndryshme, duke i vuajtur të gjitha të zezat, si pasojë në radhë të parë e kësaj ndarje, e këtij krimi historik që bëri Evropa e djeshme mbi popullin shqiptar!

Lexuesi i mundshëm i pohimeve të tilla do të duhej patjetër të shtrojë pyetje si këto: e si mundet Evropa e tashme të na e shlyej borxhin vetëm me zgjidhjen e çështjes së Kosovës (!), madje me atë lloj zgjidhjeje që ata e quajnë zgjidhje – pavarësinë e mbikëqyrur të Ahtisaarit! Si mundet Evropa e tanishme t’ia kthej borxhin shqiptarëve në përgjithësi(?) duke ua ‘shlyer borxhin’ vetëm shqiptarëve në Kosovë madje në Kosovën e rrudhur! A do të kenë të drejtë shqiptarët e Kosovës të thonë se Evropa na e shleu, madje tërësisht borxhin pasi neve na e njohu pavarësinë(?) e pjesa tjetër e shqiptarëve dhe trojeve të tyre të mbesin nën sovranitet të shteteve të huaja! E përgjigjja në të gjitha këto pyetje, dhe të tjera si këto, patjetër se do të jetë mohuese

Mund të thuhet madje se, Evropa, popullit shqiptar kurrë nuk do të mund t’ia shlyen borxhin, por ajo do të mund ta përmirësojë gabimin e bërë në dy forumet historike të sipërcekura, jo vetëm duke ia njohur Kosovës pavarësinë, por edhe duke ua njohur të drejtën për vetëvendosje të gjithë shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre etnike dhe historike. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të arrihet të zgjidhet drejt, dhe mund të besohet përfundimisht, ajo që quhet: çështje shqiptare. Dhe vetëm atëherë Kosova do të mund të thotë se, Evropa e përmirësoi gabimin e saj historik, por jo na e shleu borxhin.

Mendimet që ka shprehur deputeti i Kuvendit të Kosovës në shkrimin e cituar janë mendime të padrejta sepse janë mendime të pasakta, jo objektive, të ngushta, domethënë krahinoriste. Ato e ngushtojnë çështjen shqiptare, duke e rrëgjuar në çështje të Kosovës, sepse e shpallin të mbyllur, e kjo domethënë të zgjidhur përgjithmonë çështjen shqiptare vetëm me pavarësinë e Kosovës. Kësi lloj pohimesh janë të dëmshme për çështjen kombëtare, përveç për arsyet e sipërthëna, edhe për shkak të gjendjes së tanishme politike të hapësirës shqiptare së cilës po i kanoset rreziku i copëtimit të mëtutjeshëm. Prandaj, edhe sot, sikur shpeshherë gjatë historisë, kemi shumë arsye të veprojmë si komb, pra si tërësi, dhe ta trajtojmë çështjen tonë si çështje të pandarë të një kombi të ndarë e të shpërndarë në shumë shtete, i cili synim themelor dhe historik të vetin ka pasur gjithmonë dhe e ka edhe sot – bashkimin kombëtar.

Kontribo