02 06 2010

Çarja

  Te Fenomenologjia e Frymës së Hegelit, ndër shkallët e shumta të njohjes, kategoria e vetëdijes shfaqet si Çarje dhe Rezistencë, ajo fillon si Ndarje. Në fillim, subjekti është krejtësisht i ‘zhytur’ në Natyrë. Vetëdija është parakushti i dallimit të vetes sonë nga diçka jashtë saj, e cila nuk mund të asimilohet ontologjikisht në atë të parën. Kështu, pra, fillon ‘drama’ filosofike e themelimit të raportit ndërmjet dy koncepteve bazike të krejt historisë së njohjes: Subjektit dhe Objektit. Është, si të thuash, problematizimi i parakushtit filogjenetik të tërë procesit të njohjes.

Një logjikë të ngjashme e gjejmë te shqyrtimi ontogjenetik i zhvillimit të vetëkonceptit në psikoanalizën e Lacanit. Në fillim, foshnja është e tëra e kredhur në Nënën. Momenti i të kuptuarit të dallimit ndërmjet vetes dhe Nënës (Tjetrit) përjetohet si çarje traumatike, si humbje (Loss). Lacani mendon që krejt nevoja e pastajme e individit për krijimin artificial të unitetit dhe koherencës së Unit s’është tjetër veçse kompensim i kësaj humbjeje primordiale.

A s’gjendet në të njëjtën linjë edhe koncepti i Erich Frommit për shkëputjen e njeriut nga ‘lidhjet primare’, nga ku lind ankthi, ndjenjë që shkakton ‘ikjen nga liria’? Ajo që është me interes te teoria e nxënësit të Freudit ka të bëjë me konceptin e tij të sadomazohizmit. Sipas Frommit, sadizmi manifestohet pothuajse rregullisht së bashku me mazohizmin. Sadizmi si praktikë e përjetimit të kënaqësisë nga shkaktimi i vuajtjes te Tjetri, është shenjë e pafuqisë së subjektit në raport me nevojën e pakompenzueshme për pasjen e objektit të ushtrimit të sadizmit. Pra, mazohizmi përbrenda sadizmit merr formën e varësisë së sadistit ndaj objektit të ushtrimit të sadizmit. Sadisti është peng i objektit të tij.

Përparësia e zbërthimit të Frommit qëndron në nxjerrjen e këtij koncepti nga kuadri freudian i natyrës së pastër seksuale. Sadomazohizmi, pra, përshkon shumë praktika njerëzore, edhe aty ku mungon përmbajtja e tij me bazë libidinale. Diçka nga sadomazohizmi ka edhe shefi i propagandës në Reichut të Tretë, Goebbelsi. Sadomazohizmin e tij Frommi e gjen tek ditari personal i ministrit. Ai aty përshkruan shumë hollësisht ndjenjën e tij të plotësisë kur komandon dhe manipulon masat e mëdha të njerëzve. Ky pozicion epror i kishte kaluar atij në një varësi të pakompensueshme.

Njëjtë edhe për vetë raportin e Führerit me mbesën e tij – Geli Raubal. Hitleri fillon t’ia kontrollojë jetën asaj deri në një nivel maniakal, për të përfunduar në një varësi totale ndaj saj. Kur ajo kërkoi që t’i largohej kontrollit të tij, duke tentuar të ikte në Vjenë gjoja për të studiuar, ai e izoloi dhunshëm. Thuhet që me të çoi, madje, edhe jetë intime. Ajo u vetëvra. Te të gjitha rastet, pra, shohim një emërues të përbashkët: nevojën e fuqishme e të pareduktueshme për posedimin e objektit të poshtërimit, e cila nënkupton varësinë totale ndaj tij.

Para disa ditësh dëgjova një rast që plotësisht kualifikohet në këtë kategori. Një femër po përjetonte një torturim kryesisht psikologjik, por jo rrallë edhe fizik nga partneri i saj. Maltretimi kishte të bënte me nevojën patologjike të atij personi jo vetëm për ta tradhtuar seksualisht partnerin, por për më tepër – dhe këtu qëndron poenta e sadomazohizmit – për t’i treguar asaj deri edhe në hollësitë më të imta praktikat e orgjive që bënte me femrat tjera. Thjeshtë, ai kishte nevojë që ajo t’i dëgjonte të gjitha këto. Por, kur asaj më në fund iu sos durimi, u nda nga ai. Sadomazohizmi në këto raste arrin kulmin: personi i braktisur kishte pësuar një thyerje shpirtërore, dhe pasi e kishte kërkuar gjatë, e kishte takuar atë dhe duke qajtur si fëmija ia kishte bërë me dije se s’mund të jetonte pa të! Ajo i ishte kthyer, por i njëjti tregim: e njëjta praktikë – orgjitë, maltretimet, varësia…

Dhe, tash le ta shtrojmë një çështje të pazakontë: ku do të mund të gjendej sadomazohizmi në një nivel mbiindividual? A s’është pikërisht raporti i shtetit të Serbisë ndaj Kosovës një raport i pastër sadomazohist, tamam sikur ai i Hitlerit me mbesën e tij? Kosova për shtetin e Serbisë ka qenë dhe vazhdon të jetë ai objekti i ‘domosdoshëm’ i poshtërimit, pa të cilin ajo s’mund të jetojë. Poshtërimi i tjerëve për të gjithnjë ka pasur një kuptim varshmërie absolute. Sa herë ata e kanë humbur objektin e tyre të sadizmit, e kanë zhvendosur këtë nevojë në një objekt tjetër. Ja pse Serbia është shkaktare e katër luftërave në ish Jugosllavi. Zyrtarët serbë, bile, haptazi kanë filluar të ofrojnë disa kinseprivilegje që do të mund t’i kenë shqiptarët e Kosovës po u kthye vendi ynë i tëri nën Serbi. Vetëm e vetëm që të zgjatet mundësia e ushtrimit të sadizmit shtetëror. Me dije qoftë – sadizmi është problem që i përket patologjisë së sentimenteve, e jo arsyes. A nuk pat deklaruar udhëheqësja e Qendrës Koordinuese Serbe për Kosovën – Sanda Rasgkoviq-Iviq, që vendi ynë për Serbinë qenka ‘çështje iracionale’?

Të kthehemi edhe një herë te Hegeli, Lacani dhe Frommi. Çarja ndërmjet Subjektit dhe Objektit fillon si vetëdije dhe vetëkoncept. Aty fillon vetërefleksioni. Kushti më i rëndësishëm i normalizimit të Serbisë është humbja e objektit që ia garanton asaj zhytjen në ujërat e sadomazohizmit. Natyrisht që për Serbinë faza e parë e kësaj humbjeje do të jetë melankolia në kuptimin lacanian të fjalës. Por, ç’t’i bësh – ky është çmimi minimal i normalitetit, apo jo?

Kontribo