17 02 2010

Corpus Delicti, zoti Kermabo!

“Gjykatësi është dënuar kur krimineli është shfajësuar.” Kjo maksimë e latinit të famshëm Publilius Syrius, u bë edhe një herë aktuale, ndërsa data 10 shkurti erdhi për të tretën herë, së bashku me kujtimin për vrasjen e dy të rinjve në sheshin kryesor të Prishtinës, vetëm e vetëm sepse po ushtronin një nga të drejtat themelore që bën pjesë në listën e të drejtave të njeriut, protestën.

Se si rrodhën ngjarjet pas vrasjes së dy të rinjve, janë një tregim i njohur; sekuestrime, arrestime të anëtarëve të VETËVENDOSJES, burgosja e liderit të kësaj lëvizjeje Albin Kurti, largimi i policëve rumunë nga Kosova pa u ndëshkuar, por jo dhe gjykimi e dënimi i policëve të UNMIK-ut.

Mungoi gjykatësi që do të duhej të ndëshkonte krimin, por në vend të tij u dënua drejtësia që fali kriminelët. Së paku moralisht. E kjo është drejtësia në radhë të parë e organizatës më të rëndësishme në botë, Kombeve të Bashkuara, e më pas ajo e një shteti që bën pjesë në Bashkimin Evropian, Rumanisë. Përzierja apo ndarja e kompetencave apo zinxhirëve komandues mes organizatës dhe anëtarëve të saj nuk i interesojnë askujt, aq më tepër familjeve të të vrarëve. Fakti është se UNMIK-u apo vetë OKB-ja nuk dëshmoi asgjë më shumë se vërtetimin e sentencës së njohur: një krim ku marrin pjesë shumë veta mbetet pa u ndëshkuar.

Dhe do të ndalej këtu rrëfimi për 10 shkurtin sikur saga e turpit të drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë të mos vazhdonte rrugëtimin e saj. Misioni i Bashkimit Evropian që ka ardhur për të vënë drejtësi në në këtë vend, gjë që vendorët kanë dëshmuar me sukses se nuk e bëjnë dot, EULEX-i bëri të njëjtin gabim- ra në grackën e ndëshkimit të atyre që patën më pak faj, nëse faj mund të konsiderohet e drejta për të protestuar, siç është ta zëmë në Iranin e sotëm të Ahmedinexhadit.

Në kohën kur të gjithë po prisnim me padurim të binte në rrjetën e misionit evropian për polici dhe gjyqësi, ndonjë “peshk i madh” i sojit të peshkaqenit, soj i cili duket se në Kosovën e pasluftës është kultivuar me shumicë, misioni EULEX do të rifillojë procesin gjyqësor ndaj Albin Kurtit, pikërisht për ngjarjet e 10 shkurtit.

Një zhvendosje e vëmendjes për të mos u përballur me dështimin në zënien e “peshqve të mëdhenj”, apo frika nga e vërteta se EULEX-i nuk është misioni që pritën me shpresa të mëdha shumica e qytetarëve të Kosovës, se më në fund po instalohej një pushtet që do të vendoste sundimin e ligjit, si e vetmja garanci për ta bërë këtë vend?

Apo është thjesht një hakmarrje personale ndaj Albin Kurtit dhe lëvizjes VETËVENDOSJE që me kohë e parashikuan dështimin e EULEX-it, kur ende nuk e mbante as këtë emër. Mund të ketë persona në EULEX që mendojnë se izolimi apo ndëshkimi i Albin Kurtit mund tiu ndihmonte për ta përmirësuar imazhin e dëmtuar, jo aq për faj të tij, sesa si pasojë e komplikimeve diplomatike dhe ligjore, e më së shumti falë dështimit në terren pas vendosjes së tij në Kosovë. Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: kushdo që përfiton nga krimi, është fajtor për të.

Nga ana tjetër është interesant të shpjegohet fakti që në mesin e 1200 dosjeve për krime të rënda që i ka lënë trashëgim UNMIK-u, kjo iu ka rezultuar si më e rëndësishmja apo më e ngutshmja. Si duket, bosët e korrupsionit apo kriminelët e luftës do të mund të qëndrojnë edhe për ca ditë në liri se iu bën mirë, ose mund të qëndrojnë përgjithmonë, se iu bën edhe më mirë. Dhe e dini pse? Sepse “ushtrisë” blu të gjeneralit Kermabon i mungon guximi. Guximi për të ndërmarrë arrestime të rëndësishme, guximi për të hyrë në pjesën veriore, ose “mbretërinë e krimit”, e mbase guximi për të prishur rehatinë…

Por, EULEX-i, duke rihapur rastin e gjykimit të Albin Kurtit dhe jo duke e mbyllur atë, siç do të ishte e udhës, ka bërë një gabim strategjik, të cilin nuk e ka për herë të parë, e që do ti kthehet në bumerang. Dhe ja pse.

Së pari ka dalë kundër vullnetit të qytetarëve të Kosovës, pasi askush prej tyre nuk beson se Albin Kurti ka faj për vrasjen e protestuesve.

Së dyti ka dalë kundër të gjitha organizatave të rëndësishme për të drejtat e njeriut, të cilat kanë pohuar se me 10 shkurt Policia e UNMIK-ut ka dhunuar të drejtën për jetë të dy qytetarëve të Kosovës. Për EULEX-in do të kishte mjaftuar ta zëmë raporti i Amnisty International dhjetor të vitit 2007, një organizatë me renome botërore, e cila gjithashtu arriti në përfundimin e mësipërm dhe se gjykimi ndaj Albin Kurtit ishte një rast i “motivuar politikisht.”

Por, edhe sikur të kishte lexuar raportin e hetimeve të brendshme që ka bërë UNMIK-u në lidhje me këtë ngjarje, i cili ka dalë në përfundimin se vdekja e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit dhe plagosja e rreth 80 demonstruesve të tjerë erdhi si pasojë e përdorimit pa kriter të plumbave të skaduar nga njësia e policëve rumunë, zyrtarët e EULEX-it do ta kishin kuptuar se fajtori është tjetërkund.

Madje edhe momenti i rihapjes së gjykimit është i gabuar; vetëm dy ditë para festës së pavarësisë së Kosovës. Pra rihapja e gjykimit të Albin Kurtit, ku kërkohet shpallja e tij fajtor, në mënyrë indirekte për vrasjen që kanë kryer policët rumunë, vërtet nuk është një veprim i zgjuar politikisht. Ky akt vetëm sa e rrënon edhe më tej reputacionin e EULEX-it, i cili tashmë duket se ka kundër edhe një pjesë të mirë të shoqërisë civile.

Dhe armiqësimi me shoqërinë civile ka pasojat e veta. Ajo do të kishte qenë përkrahëse e flaktë sikur EULEX-i të ndërmerrte hapat që do të ndihmonin në vendosjen e drejtësisë në këtë vend, si konsolidimi i policisë, gjyqësisë që është njolla e errët e këtij shteti, mbyllja e pikave doganore në veri dhe bllokimi i kontrabandës, futja në sistem e pjesës veriore dhe shuarja e strukturave paralele, rikthimi i gjykatësve në Mitrovicë dhe vënia në funksion e saj, deri tek arrestimi i kriminelëve të luftës dhe peshqve të korrupsionit, që përmendëm më sipër, pasi në këtë vend korrupsioni çdo ditë e më shumë po bëhet rregull dhe jo përjashtim.

Në vend të tyre ky mision ka vendosur të merret me një gjykim politik dhe të padrejtë ndaj Albin Kurtit, gjykim i cili përveç të tjerash është edhe humbje kohe dhe shpenzim i kotë energjish. Dhe e dini pse zoti Kermabo? – Sepse Corpus Delicti akuzon dikë tjetër!

Kontribo