01 06 2010

Çudia e madhe

Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, fjalën çudi e shpjegon në këtë mënyrë: Ndjenjë a përshtypje që na vjen nga diçka e jashtëzakonshme, e papritur ose e pakuptueshme për ne; gjendje e njeriut para diçkaje të papritur a të pakuptueshme; habi. Nga shpjegimi i kësaj fjale mund të përfundojmë se në të folurën tonë të përditshme por edhe në të shkruar, kemi nevojë ta përdorim më shpesh këtë fjalë, për ta shpreh ndjenjën tonë, përshtypjen tonë që na vjen nga shumëçka e jashtëzakonshme e papritur dhe e pakuptueshme! Them kështu ngase, jetën tonë politike-shoqërore, sikundër shpeshherë gjatë historisë, edhe tani po e përshkojnë ndjenja të tilla nga ngjarje të jashtëzakonshme sa të papritura po aq edhe të pakuptueshme! Prandaj nevoja e përdorimit të fjalës çudi apo habi është më se e domosdoshme. Lexuesi i mundshëm i këtyre radhëve do të mund të shtrojë pyetje: pse të çuditemi, për çka të habitemi, cilat janë ato ngjarje të jashtëzakonshme madje të papritura e të pakuptueshme për të cilat ne do të duhej të çuditeshim?

Unë tani do t’i radhis disa të dhëna të jetës kombëtare, historike dhe të përtashme, për të cilat do të mund të themi se është çudi.
Është çudi se si ne jemi njëri nga popujt më të motshëm në Evropë!
Është çudi, se si ne ndodhemi në vendin më të ndjeshëm në Evropë – në Ballkan i cili, siç thuhet, ka qenë fushë mejdani për përleshje të kahershme të perandorive të Lindjes dhe të Perëndimit!
Është çudi se si gjatë tronditjes së shekujve nuk jemi zhdukur!
Është çudi se si krejt Evropa është zhvilluar në të gjitha pikëpamjet, kurse ne kemi mbetur mjaft të pazhvilluar në shumë pikëpamje!
Është çudi se si pothuaj krejt popujt e Evropës e kanë zgjidhur çështjen e tyre kombëtare, ndërsa ne ende nuk e kemi zgjidhur atë!
Është çudi se si ne, çështjen kombëtare nuk kemi mundur ta zgjidhim atëherë kur i kanë zgjidhur fqinjët tanë çështjet e tyre, në të vërtetë është çudi se si fqinjët tanë i kanë zgjidhur çështjet e tyre në kurriz të çështjes sonë, por edhe më çudi është se si Fuqitë e Mëdha evropiane e kanë lejuar këtë dhe jo vetëm që e kanë lejuar por ato e kanë nxitur dhe e kanë ndihmuar!
Është çudi se si trojet shqiptare të përgjysmuara dikur, nuk do të bashkohen më vonë por do të vijnë duke u coptuar më tej!
Është çudi se si pajtohemi të jemi të copëtuar!
Është çudi kur na copëtojnë, por është dyfish çudi kur vetëcoptohemi!
Është çudi kur na serviren gënjeshtra por është dyfish çudi kur iu besojmë atyre!
Është çudi që gjithmonë kërkojmë por është dyfish çudi se si çdoherë kërkojmë më pak se ç’na takon!
Është çudi se si votojmë për ata të cilët për ne as që mendojnë!
Është çudi se si rrimë në terr, në shekullin njëzetenjë me fener!
Është çudi se si kryetari i shtetit të pabërë i quan armiq të pavarësisë ata të cilët në rrugë demonstrojnë paqësisht për pavarësi!
Është çudi kur i dëgjojmë politikanët tanë të thonë se “pavarësia është e panegociushme”, ndërkohë bisedojnë për “pavarësi”!
Është çudi se si thonë: “Nuk do të pranojmë asgjë më pak se pavarësi” dhe vazhdojnë: “Propozimi i Ahtisaar-it është zgjidhja më e mirë”!
Është çudi se si kryeministri ynë çështjen kombëtare (të pazgjidhur) e konsideron të mbyllur!
Është çudi se si (ata) nuk pranojnë kurrsesi t’i quajnë bisedimet, bisedime por, angazhime shtesë!
Është çudi që s’protestojmë, s’demonstrjomë por vetëm vështrojmë!
Është, çudi e madhe!
Lexues të dashur, të më falni, se këto të dhëna nuk janë të vetmet që po ju çuditin. Këso lloj ngjarjesh, sjelljesh, veprimesh, e mendimesh çuditëse, në jetën tonë politike dhe shoqërore ka pasur dhe ka shumë, dhe këto nuk do të jenë as të fundi. Jo, kurrsesi! Të tilla ngjarje po ndodhin edhe kur po i shkruaj këto radhë.
Përderisa ne vazhdojmë të besojmë në gjithçka që lidhet me premtimet për pavarësi, shumëçka domosdo do të na kthehet në çudi!

Kontribo